Në Kamëz nxënësit përjetojnë makthe

Varreza ngjitur me oborrin e shkollës! Pamja aspak e zakontë, është shumë e zakonshme për nxënësit e shkollës “Tahir Sinani”, nga klasa e parë tek e nënta, që shohin varreza kur hyjnë në shkollë, kur kthejnë kokën nga dritarja e klasës, kur luajnë me top në oborr, derisa dalin nga shkolla, megjithëse pamjet i marrin me vete në shtëpi, disa edhe si makthe në ëndrrat e tyre.

“Kam frikë, njëherë kam parë një ëndërr, sikur më ra topi te varrezat dhe kur shkova për ta marrë, mu ngul një hekur në kraharor. Mbasdite është më frikë. Kur marr motrën nga shkolla natën është frikë…”, thonë nxënësit.

Psikologia e shkollës thotë se ka trajtuar rastet e shumë fëmijëve që kanë kërkuar ndihmë për shkak të mendimeve të frikshme që u vijnë nga varrezat.

Për Bashkinë Kamëz korrespondenca me Drejtorinë Arsimore ka qenë korrekte, madje sipas tyre shkresa ka marrë zgjidhje zyrtare. Nga Drejtoria e Komunikimit në Bashkinë Kamëz thonë se kanë projekte konkrete për shkollën “Tahir Sinani”.

“Muri real, që është pjesa rrethuese e parcelave do të ngrihet në ato nivele që s’do të jetë kërcënim vizual për nxënësit, ndërsa për pjesën e ambientit që ka komunikim pamor me parcelat do të jetë totalisht e izoluar dhe nuk do të ketë fushëpamje për këtë ambient. Shpresojmë që të jetë brenda 2018, por brenda vitit do të bëhet realizimi i projektit”, thotë Artan Dervishi nga Bashkia Kamëz. /Top Channel/