Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, UN Women dhe FAO prezantojnë nismën GREAT

Në Ditën Ndërkombëtare të Grave, në ambjentet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u zhvillua një aktivitet për të shënuar këtë ditë së bashku me UN Women dhe FAO në Shqipëri.

Në këtë takim morën pjesë Z. Niko Peleshi, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Brian Williams, Koordinator i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara, Znj. Merita Xhafa, Përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Z. Arben Kipi, Asistent Përfaqësues i FAO në Shqipëri, Z. Giuseppe Belsito, Përfaqësues i UN Women në Shqipëri, Znj. Birgitta Jansson, Drejtuese e SIDA në Shqipëri, si dhe përfaqësues të donatorëve të ndryshëm në vend.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi theksoi se ka ardhur koha për veprime konkrete për fuqizimin e grave në zonat rurale. “Ne duhet të krijojmë modelet e para që sjellin një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Përmes projektit të 100 fshatrave dhe nismës së përbashkët që kemi me UN Women dhe FAO, si të parët mbështetës konkretë të kësaj nisme kombëtare, gratë rurale do të jenë përfitueset kryesore për të arritur një ekonomi më të shëndetshme familjare.”

Në Shqipëri 54 përqind e forcës punëtore aktive të grave punojnë në bujqësi. Ato janë më të përfshira se burrat në aktivitetet e fermës, por përfitojnë pesë herë më pak nga shërbimet mbështetëse. Grave rurale i mungon mbështetja financiare dhe kanë pak të drejta mbi pronën dhe mungesë informacioni për zhvillimin e bizneseve dhe aksesit në financa.

Duke dashur të fuqizojnë gratë në zonat rurale dhe të rrisin rolin e tyre në zhvillimin rural si një nga objektivat e Axhendës2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, UN Women dhe FAO kanë punuar mbi një nismë të veçantë për “Barazi Gjinore në Zhvillim Rural dhe Turizëm” (GREAT – Gender Rural Equality and Tourism). Nisma GREAT i përgjigjet projektit të 100 fshatrave nga perspektiva gjinore dhe fokusohet në: krijimin e një mjedisi biznesi të favorshëm për gratë përmes krijimit të inkubatorëve të produkteve tradicionale që janë mbështetës të turizmit rural, shërbimeve të pushtetit vendor; krijimin e një zinxhiri produkti që lidh gratë fermere me tregun dhe konsumatorët, si dhe mbështetje për krijimin e grupimeve vendore të zhvillimit (LAG) sipas kritereve te BE-së.

“Jemi këtu bashkë për të diskutuar dy fusha kryesore: zhvillimin rural dhe fuqizimin e grave-fusha të cilat kanë sfida dhe shumë mundësi në të njëjtën kohë. OKB mbështet motorët që fuqizojnë gratë. Ato janë agjente kryesore të ndryshimit dhe me fuqizimin e tyre përfiton e gjithë shoqëria”- u shpreh Brian Williams, Koordinator i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri.

“Gratë që jetojnë në zonat rurale janë një nga grupet me të cënuara në Shqipëri. Përmes nismës GREAT ne synojmë që t’i fuqizojmë ato, duke u ofruar shërbime përmes bashkive, apo organizuar në grupime aktive” tha Giuseppe Belsito, Përfaqësues i UN Women në Shqipëri.

Nga kjo nismë synohet të përfitojnë gratë në zonat rurale të cilat kanë biznese apo duan të zhvillojnë një të tillë me fokus në turizëm, bashkitë e vendit dhe shoqëria civile.