Dollarët rusë trazojnë Tiranën dhe fusin në luftë Ramën me Bashën

Lobimi i Partisë Demokratike në SHBA, sipas mediave amerikane me para të paguara nga rusët, ka trazuar skenën politike shqiptare. Pas disa reagimesh nga zyrtar të PS-së, dje në terrenin e akuzave për lidhjet ruse ka zbritur direkt kryeministri Edi Rama. Në një shënim në Facebook, Kryeministri Edi Rama shprehet pa asnjë dyshim se Lulzim Basha është financuar nga Rusia. Kryeministri jep arsyet e veta për këtë financim dhe zbulon se me paratë e Kremlinit Lulzim Basha ka nisur fushatën që e akuzon qeverinë e tij për drogën dhe krimin. Pasi shpreh shqetësimin si kryeministër për futjen e interesave ruse në Shqipëri, Edi Rama e përdor me dinakeri këtë argument për luftë politike.

“Kjo histori s’mund të mbyllet pa u zbardhur deri në fund, nëse ka apo jo, interferenca malinje forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cënimit të imazhit të Shqipërisë (drogë drogë drogë krim krim krim), me qëllim pengimin e procesit të integrimit europian dhe destabilizimin e vendit, kjo është absolutisht e padiskutueshme!”,- shkruan Kryeministri. Të njëjtën gjë përsëriti disa orë më vonë kreu i Komisionit të Ligjeve deputeti socialist, Ulsi Manja dhe gjithë deputetët e PS në rrjetet sociale.

Për mazhorancën jo vetëm merret e mirëqenë që dollarët me fonde nga Rusia kanë hyrë në SHBA me anë të politikës shqiptare, por edhe janë përdorur për të sulmuar qeverinë “Rama” dhe interesat e vendit. Deklarata e Edi Ramës kundër Bashës dje ngjante më shumë si një sulm ndaj opozitës dhe PD-së, sesa ndaj Lulzim Bashës dhe rrezikut rus në Shqipëri. Në deklaratën e Ramës i mëshohej faktit se këto para të dhëna për PD nga Rusia u përdoren për të ngritur çështjen e drogës dhe të kanabisit në vend. Nëse Basha ka marrë lekë apo jo nga Rusia është një çështje që duhet ta sqaroj Basha dhe prokuroria, por që droga dhe kanabisi ishin një fenomen që kishte mbështetjen e qeverisë, për këtë gjë nuk duhen financime të huaja për ta kuptuar. Por Edi Rama po e përdor me mjeshtëri lidhjen hipotetike ruse të Lulzim Bashës, jo për dëmtuar Bashën, por gjithë kauzën e opozitës lidhur me kanabisin. Përballë tezës së lidhjeve ruse të PD, në SHBA dhe BE të gjitha gafat që mund të ketë bërë Edi Rama në qeverisje janë të amnistuara. Madje, Rama po e përdor këtë histori duke dalë dhe si më patrioti më i madh në Uashington dhe Bruksel, pasi po mban larg ndikimit në rajon Rusinë. Kjo është ajo që tha Edi Rama dje e nxjerrë opozitën dhe PD, si forca reaksionare dhe antikombëtare, ndërsa Lulzim Bashën si poliagjentin e ri, që u shkollua në Holandë.

Në këtë histori me rusë që i ngjan sallatës ruse, Basha ka variantin e tij. Kreu i PD-së i është përgjigjur Edi Ramës me të njëjtin monedhë. Ndërsa Rama flet për lidhje të PD me shtetas rusë, Lulzim Basha përmend disa fakte që nuk njihen në publik. Ai thotë se në zyrën e kryeministrit Edi Rama ka zhvilluar takime me drejtuesin e një kompania ruse të naftës dhe gazit, që rezulton se është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Akuzova publikisht Edi Ramën për lidhje të errëta me kompaninë ruse Gunvor, por ai sot nuk u përgjigj, duke gatuar një tjetër sallatë ruse, si ajo e Mother Jones, për të fshehur të vërtetat. Nëse ka rrezik rus në Shqipëri, ai vjen përmes Ramës kryeministër! Jo vetëm sepse si njeri i zhytur në krim, ai është lehtësisht i shantazhueshëm nga kushdo, por sepse ai, konkretisht, ka mirëpritur ndikimin rus! Edi Rama duhet të sqarojë publikisht se kush ia solli, çfarë ka biseduar dhe çfarë i ka premtuar kompanisë Gunvor, me të cilën është takuar të paktën një herë në zyrën e tij në Tiranë”,- deklaroi Basha. Sipas kreut të PD, rreziku rus ndaj Shqipërisë vjen nga Edi Rama. Në këtë histori me rusë dhe lobingje në SHBA, Basha veç deklaratave publike se nuk ka asnjë kontakt me qytetarë të Rusisë, Basha përdor dhe një argument tjetër. Sipas tij, këto ditë po përgatitet lirimi nga akuzat i Saimir Tahirit. Një vendim i tillë do të sjellë reagimin e ashpër të opozitës. Ndaj Edi Rama, sipas Bashës, ka nisur sulmin me agjentë rusë për të minimizuar reagimin e opozitës në arenën ndërkombëtare.

Në fund të fundit, kush mund të besojë në SHBA dhe BE protestat e një  opozite që financohet nga Kremlini?- Ky është qëllimi i PS-së. Dhe po dje prokuroria thirri si dëshmitar Arben Ristanin në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të PD-së  për çështjen e financimeve ruse. Pra indirekt prokuroria dha të drejtë akuzave të PS-së ndaj “financimeve ruse” për PD-në.

Dueli Rama-Basha ka futur Kremlinin në mes për të fituar sejcila pikë në Uashington, ndërkohë që prokuroria e cila ka influencën e kryeministrit do të thërrasë javën e ardhshme për të dëshmuar për këto financime, siç akuzon kryeministrit Rama dhe një media amerikane.