Ridvan Bode: Basha ka vetëm retorikë, nuk po jep shpresë tek njerëzit

Anëtari i Kryesisë së PD, Ridvan Bode, një nga kritikët e Lulzim Bashës ka thënë se e gjitha kjo që po ndodh në Partinë Demokratike bëhet për të mos hapur debatin.

Sipas tij, opozita është përgjegjëse sepse nuk po jep shpresë tek njerëzit.

“Unë mendoj që e gjithë kjo është një përpjekje për të mos hapur debat në PD. Vendi është duke përjetuar një periudhë rrënimi të shpresës dhe besimit të njerëzve. Sigurisht që rrënimi vjen nga keqqeverisja. Gjithë përgjegjësia e rrënimit të shpresës tashmë është te opozita sepse nuk mundi të akumulonte rreth vetes mundësinë për të dhënë shpresë”, tha ai.

Më tej, Bode shtoi se Basha ka vetëm retorikë. Sipas tij, Basha ka tradhëtuar Partinë Demokratike, duke kujtuar këtu marrëveshjen e 18 Majit.

“Basha ka vetëm retorikë. Retorika është boshe. Liderët vlerësohen për idetë që japin, vendimit që marrin dhe aksionin politik. Zoti Basha ka rritur brengën mes demokratëve për faktin që marrëveshja e 18 Majit ishte një tradhëti e madhe”, u shpreh Bode.

Tek Basha mungon aksioni, kështu u shpreh ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

Sipas ish-deputetit ka një këmbënulje në Partinë Demokratike për të vazhduar me të njëjtën strategji që nuk përfaqëson interesat e demokratëve.

“Aksioni është ai që dallon politikanin me kredibilitet me atë falso. Tek Basha mungon aksioni. Njeri të pagabueshëm nuk ka. Çdo njeri është i gabueshëm, por këtu ka një këmbëngulje për të vazhduar në të njëjtën rrugë me të njëjtën strategji dhe me interesa që nuk përfaqsojnë demokratët”, u shpreh ai.

Prej disa kohësh, brenda PD-s është ngritur një lëvizje, e cila synon ringritjen e partisë.
Ridvan Bode, si një ndër pjesëtarët e kësaj lëvizjeje shprehet se qëllimi është për t’i dhënë shpresë demokratëve.

“Ne jemi për t’i dhënë shpresë demokratëve. Nuk kërkojmë poste as pozicione por një paketë rregullash të zbatueshme dhe i kërkojmë kryetari të heqë dorë nga personalizimet e çdo gjëje në PD”, tha Bode në ABC News.

Në mbledhjen e kryesisë u vendos që Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike të mbahet në datat 28-29 Prill.