PS dhe qeveria sulm Bashës: Paguar nga rusët!

-Është e pabesueshme të thuash se kryetari i PD-së po i vendos shkrepsen Ballkanit se është pro rus, ndërkohë që Basha nuk po arrin dot të rrëzoj kryeministrin Rama, edhe kur mblidhen 100 mijë protestues në Tiranë.

Një artikull i një reviste amerikane, ku hidhen dyshime për financim të takimeve të Lulzim Bashës në SHBA nga kompania me shtetas rusë, ka pështjelluar skenën politike në Tiranë. Revista me qendër në SHBA, “Mother Jones” shkruan se kompania e një lobisti amerikan që i siguroi Lulzim Bashës takimet para zgjedhjeve të vitit 2017 në SHBA, figuron se ka marrë 500 mijë dollarë për shërbimin ndaj PD, nga dy kompani në Skoci me pronarë rusë. Duke renditur një herë dokumentesh dhe investigimesh, revista amerikane ngre në titull pyetjen: “A e shfrytëzuan rusët sistemin politik amerikan për të promovuar të djathtën shqiptare në Uashington dhe nxitur trazira në Ballkan?”.  Me këtë artikull në dorë deputetët e Partisë Socialiste kanë nisur dje kryqëzatën ndaj PD dhe Lulzim Bashës, në media, komisione parlamentare dhe konferenca për shtyp. Taulant Balla, Erjon Braçe dhe gjithë deputetët e zëshëm të Partisë Socialiste kanë kërkuar dje llogari nga Partia Demokratike për futjen e Rusisë në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri. Numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla tha dje se Partia Demokratike ka cenuar sigurinë kombëtare duke paguar për shërbimet në SHBA nga shtetas rusë, ose duke përdorur rusët për të paguar në emër të PD-së. Sipas tij, Partia Demokratike po kthehen në kërcënim për integrimin e vendit në Bashkimin Europian duke treguar se “ PD është aleatja më besnike e Rusisë në vendin tonë”.

Në Komisionin e Ligjeve deputetët e Partisë Socialiste kanë cilësuar si skandal atë që ka publikuar revista amerikane dhe kanë kërkuar verifikime nga institucionet e sigurisë kombëtare. Ndërkohë, Partia Demokratike në një deklaratë për mediat ka mohuar të gjitha akuzat. Sipas PD, shkrimi ku bazohen akuzat e PS-së vijnë nga një media e dorës së dytë në SHBA që është paguar nga qeveria “Rama”. “Makina e propagandës së Edi Ramës ka prodhuar dje një shkrim, me pagesë, në një media të majtë të dorës së dytë për të shpifur për financimin e Partisë Demokratike. Shkrimi është qesharak për nga përmbajtja dhe skandaloz për nga fallsifikimi i fakteve dhe kapërcimet logjike. Shkrimi është produkt i një fushate të gjerë që ka ndërmarrë Edi Rama, të financuar nga burime të paligjshme që vijnë nga bota e krimit dhe e korrupsionit. Kjo fushatë ka për qëllim të shkurajojë përpjekjet e opozitës dhe të çdo faktori tjetër kundër drogës dhe krimit”,- thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.

Për zhvillimet e fundit me akuza për ndërhyrje të agjenturave të huaja, reagoi dje dhe Ambasada Ruse në Tiranë. Në një deklaratë për mediat, Ambasada thekson se politika e jashtme e Rusisë ka parim mosndërhyrjen në punët e brendshme dhe zgjedhjet e një shteti tjetër. Ndërkohë që ambasada e cilëson shkrimin e medias amerikane si sajesë dhe pjesë të fushatës së SHBA kundër Rusisë. Në këtë mënyrë, politika e vogël e Tiranës është futur dje në lojën e madhe SHBA-Rusi, duke e përdorur konfliktin e superfuqive për llogaritë naive të politike të ditës. Historia e lobimeve të partive politike shqiptare në SHBA dhe pagesat për një foto me presidentin apo sekretarët e amerikanë, nuk i bën nder asnjë partie politike. Para se të dilte në skenë Basha me kompanitë e çuditshme me pronarë rusë, ishte Edi Rama që u lakua deri në proceset gjyqësore në SHBA paratë që i dha taksistit Bilal Shehu. Madje ky i fundit rrezikoi edhe 13 vjet burg për foton e Ramës me Obamën duke shkelur ligjin e SHBA.

Akuza e PS se opozita u pagua nga rusët për ti vënë “zjarrin” Ballkanit duket paksa e ekzagjeruar për Bashën dhe për PD. Argumentet që përdoren janë dhe paksa naive. Në artikull dhe nga PS thuhet se Basha është takuar me ambasadorin e Rusisë në Tiranë. Nëse ky fakt do të quhej skandal, çfarë duhet të themi për ministrat e Edi Ramës që e takojnë rregullisht diplomatin rus? Ky është një normalitet diplomatik dhe për interesa ekonomike të shtetit.

Të thuash se Lulzim Basha mund ti vërë zjarrin Ballkanit sepse një revistë e akuzon se po përdor linjat ruse në Uashington është e pabesueshme për dy arësye: Së pari Basha nuk ka takat për të rrëzuar Edi Ramën si kryeministër e jo më ti fus shkrepsen Ballkanit si pro rus. E dyta, çdo parti politike përdor forma e mënyra të ndryshme (ligjore) për të lobuar në SHBA, siç edhe u akuzua kryeministri Rama, kur ishte në opozitë.

Q.Xh.