Presidenti Meta: Krimi po rrezikon sigurinë kombëtare

Presidenti Ilir Meta në një intervistë dhënë për gazetarin Sokol Balla në “Vizion Plus” ka komentuar çështjen e negociata me Greqinë.

Kreu i shtetit ka deklaruar se mes tij dhe qeverisë nuk ka asnjë problem, por vetëm zbatim të ligjit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. “Nuk shikoj asnjë problem mes Presidentit dhe qeverise. Kemi qene në një proces bashkëpunimi të vazhdueshëm”,- tha Presidenti lidhur me çështjen e negociatave me Greqinë.

VIDEO/INTERVISTA E PRESIDENTIT META

Lidhur me emrat e negociatorëve, Presidenti tha se është një proces verifikimi që po vijon.

Kreu i shtetit u shpreh se vonesa në lidhje me negociatat e reja ka të bëjë me respektimin strikt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. “Marrëveshja e detit e 2009 nuk ekziston më. Nuk kam asnjë emocion për të. Marrëveshjen e detit, të gjithë po e ndjekin këtë proces me shume kujdes. Nuk ndikohem nga ato që thuhen ne Greqi. Marrëveshja e re duhet të jetë e drejtë dhe ta mbyllë këtë çështje njëherë e mirë”,- u shpreh Presidenti, Ilir Meta.

I pyetur nëse Qeveria “Rama” ka tendenca të favorizojë Greqinë në marrëveshjen e detit, Presidenti tha se nuk ndikohej nga qëndrimet e mediave për këtë çështje. “Nuk besoj që qeveria ka interes të favorizojë Greqinë”,- tha Meta.

“Marrëveshja është e jashtëzakonshme sepse nuk ndodh gjithmonë të diskutohet territori, është e jashtëzakonshme sepse para një dekade u shpall e pavlefshme marrëveshja e vitit 2009. Na duhet ta zgjidhim një herë e mirë dhe në mënyrë të qëndrueshme. Në mënyrën më të drejtë për të dyja vendet dhe të pakontestueshme njëherë e përgjithmonë”,- tha Presidenti Meta.

I pyetur se përse këmbëngul me kërkesa me Ministrinë e Jashtme, Meta tha se: “Jam në përmbushje të detyrës sime për shkak të Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim, i cili nuk përcakton kriteret juridike për marrëveshje të tilla, apo për bërjen e një marrëveshje të re duke dhënë të gjitha argumentet. Gjykata Kushtetuese është si kushtetuta”.

I pyetur nëse do t’a jap autorizimin, Presidenti tha se ajo që ai ka kërkuar që në fillim kanë qenë informacionet sipas vendimit të Kushtetutës. “Nuk kam thënë ndonjëherë që nuk jap autorizimin”,- tha Meta.

Presidenti Ilir Meta ka komentuar sot në emision “Real Story” procesin e zgjedhjes së kryeprokurores, Arta Marku. I pyetur për procesion e zgjedhjes së Arta Markut, Meta tha se “Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm është përgjegjësi e Kuvendit. I mbetet Kuvendit përgjegjësia në raport me respektimin e Kushtetutës”,- tha Basha.

I pyetur për akuzat ndaj prokurores, Presidenti u shpreh se “nuk komentoj akuzat e partive politike, me rendësi për mua është zbatimi i reformës në drejtësi”

Ai shtoi se inkurajonte “Prokurorinë që të jetë e paanshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Problemi më i madh është krimi i organizuar që ka një buxhet financiar më të lartë së buxheti i shtetit”.

Presidenti shtoi se “nëse kemi nivel të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, institucioni i Prokurorisë ka përgjegjësi”. Kreu i shtetit e ka cilësuar si jo normale faktin që drejtues të lartë të Policisë së Shtetit janë në arrati.

Duke folur për herë të parë për sasinë rekord të kokainës të kapur në vendin tonë, Ilir Meta theksoi se guximi për të nisur një ngarkesë të tillë, e cila nga policia u llogarit me vlerë 180 milion euro, është shqetësues.

“Aksioni i policisë është pozitiv, por edhe guximi për të nisur një ngarkesë të tillë është shqetësues. Lufta kundër këtij fenomeni dhe këtyre grupeve kriminale që janë forcuar ndjeshëm është një shqetësim.

Është një shqetësim edhe për çështje të sigurisë kombëtare. Kur grupet kriminale janë bërë një shqetësim për Italinë, që është një vend ku e ku më i madh se ne, atëherë ky është vërtetë një problem”,- u shpreh Presidenti Ilir Meta në emisionin “Real Story”