Marku ”rrëzon” Gashin, Gjykata: Shkarkimi i ligjshëm

Sot në 8 mars, në ditën e gruas, Gjykata Administrative vendosi rrëzimin e padisë së Rovena Gashit ndaj Kryeprokurores së përkohshme Arta Marku.

Gjykata ka vlerësuar se urdhri i Arta Markut për lirimin nga detyra të Rovena Gashit nga drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë është i ligjshëm dhe në përputhje me kompetencat e saj.

Avokati i prokurores Gashi, në një prononcim për mediat, u shpreh se gjyqtarët po i shërbejnë në mënyrë të turpshme pushtetit me besimin se do ti shpëtojnë Vettingut.

“Këta gjyqtarë që i shërbejnë pushtetit në këtë formë të turpshme kujtojnë se do të shpëtojnë por askush nuk do ti shpëtojë vettingut. Gjyqtarët kanë nxjerrë tezgat dhe shesin dinjitetin e tyre. Kujtojnë se do të shpëtojnë nga vettingu me këto vendime”,-tha Çlirim Gjata.

Në rreshtat e padisë Rovena Gashi zbulon se lirimi i saj nga detyra është bërë pasi kërkoi ndërprerjen e mandatit për Aqif Rakipin dhe Gledion Rehovicën.