Festa e Mësuesit në shkollat shqipe në Serbi

Nën patronatin e Komunës së Bujanocit dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, u shënua 7 Marsi – Dita e Mësuesit, duke mbledhur në  Pallatin e Kulturës, përfaqësues institucionalë e veteran të shumtë të arsimit shqip.

Ky organizim kaq i mrekullueshëm për festën e Mësuesit, është vazhdim i përvojës së vitit të kaluar, kur në këtë eveniment të lartë arsimor, merrte pjesë edhe ish presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe personalitete të tjera të institucioneve arsimore.

I pari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, duke vlerësuar lartë misionin e shenjtë të punëtorëve të arsimit, u shpreh shumë mirënjohës për kontributin e tyre të dhënë ndër breza.

“Ka shumë punë për tu bërë për arsim, mirëpo ka edhe përparime në kë aspekt ku edhe objektet e shkollave janë siguruar, andaj edhe puna nuk duhet të mungoj”, u shpreh Shaip Kamberi.

Ndërsa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Shukri Ymeri, nuk la pa përmendur edhe angazhimet e institucionit që drejton, për të pasur më shumë rezultate në përmbushjen e standardeve edukativo-arsimore.

“Të vetëdijshëm me gjendjen në shkollat tona, me statusin e mësimdhënësit dhe të nxënësit, edukimi dhe shkollimi duhet të vazhdojë për hire të trashëgimisë që mbajmë të gjithë mbi supet tona. Besoj fuqishëm që vitet në vijim do të sjellin rezultatet më të lakmueshme dhe që Lugina e Preshevës përmes shkollës shqipe do të ruaj dhe avancoj identitetin kombëtarë të shqiptarëve”, theksoi mes tjerash Shukri Ymeri, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Gjithashtu, në emër të veteranëve të arsimit, në Komunën e Bujanocit, foli shkrimtari në pension, ish punëtor i arsimit, Nehat Ramizi, i cili me emocione u shpreh se po t’i jepej rasti edhe njëherë për të punuar, do ta zgjidhte përsëri arsimin, ditarin dhe nxënësit e dashur.

Në  fund të këtij manifestimi arsimor-kulturor, u dha një program i pasur me recitime nga nxënësit, për mësuesit dhe shkollat shqipe.

Vlen të ceket se për nderë të ditës së mësuesit, për veteranët e arsimit në shenjë respekti për kontributin e tyre u shpërndanë disa dhurata modeste.

Sevdail Hyseni