Debatet/ Basha: Do bashkoj PD. Imami: Fjalët i ke të bukura, por veprat…

Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike është zhvilluar me debate lidhur me mënyrën sesi po organizohet në opozita selia blu. Për të shmangur krizën e re në PD nga të pakënaqurit, Lulzim Basha ka propozuar ngritjen e një grupi pune ku ka përfshirë dhe emra të ish-deputetëve që i përjashtoi nga listat e kandidimit.

Mes emrave që propozoi për ngritjen e një grupi pune për ndryshimet statutore brenda partisë, ishte dhe Arben Imami. Kritik i fortë ndaj Bashës, Imami nuk pranoi të jetë pjesë e këtij grupi pune, raporton gazetarja Elda Menga.

Debati në Kryesinë e PD:

Arben Imami: Nuk jam për grup pune, vendos dikë tjetër në vendin tim. Jam kundra mbledhjes së kuvendit pa u thirrur Këshilli Kombëtar. Nuk kuptoj pse duhet te bëjmë kongres të parakohshem. Nuk jam dakord me kete nxitim, sepse nuk kuptoj shkaqet. Pasi në mbledhjen e fundit u fol vetëm për analizë. Nuk zgjidhen gjërat në mënyrë mekanike, e as me grupe pune. Fjalët i ke të bukura, por të mungojnë veprat. Duhet frymë jo duke na futur në grupe pune.

Lulzim Basha: Vlerësoj frymën e diskutimit tuaj. Pse them kuvend i parakoshhem, që në fakt duhet te ishte në shtator? Pyete si do te krijohet hapësira ku çdokush të ketë kushtet për të kontribuar dhe jo thjesht bashkim mekanik. Ky bashkim duhet të ndodhë permes një mekanizmi që çdokush të vlerësohet sipas meritës. Une jam angazhuar që këtë t’i paraqes kuvendit. Statuti është kompetencë e kuvendit. Dhe sigurisht ju ftoj ta konsideroni pranine tuaj në këtë grup, për zërin tuaj kritik të muajve të fundit dhe do të keni garancinë absolute që procesi të mos jetë formal. Ju garantoj për vullentin tim të plotë për të krijuar kushte reale dhe jo formale për një bashkepunim sa më të frytshëm me këdo për të shkuar drejt modernizimit dhe transforminit te partisë.

Arben Imami:Vendosni dike nga ata që ka patur propozime. Kapaciteti im nuk është per grup pune. Ndoshta është vetevleresim i lartë, por do ta ruaj këtë.

Lulzim Basha: Ky nuk është grup për ndryshime statutore, por është grup politik me pervojën e duhur për të mbledhur opinionet, propozimet e të gjithëve. Nëse nuk hidhet ky hap, nuk mund te nise asnjë proces.

Imami pas mbledhjes së Kryesisë: Kongresi i thirrur do të zyrtarizojë ndarjen

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Arben Imami, anëtar i kryesisë së kësaj partie, tha pas mbledhje se Kongresi që synohet të thirret nuk është gjë tjetër vetëm se legjitim i ndarjeve të thella në parti dhe jo bashkim.

Ai tha se PD-ja ka nevojë diskutim serioz dhe të thellë politik dhe se kjo parti sipas tij është në rënie të vazhdueshme. “Në konkluzionet e pakta që u paraqitën nuk përfaqësohej mendimi i shumë anëtarëve. Propozimi për thirrjen e Kuvendit është krejtësisht i papritur dhe nuk është i motivuar. Zgjidhjet që duhet t’i vijnë kësaj partie nuk mund të jenë zgjidhje burokratike, me një grup pune. Kjo parti ka nevojë për një diskutim serioz dhe të thellë politik. Në fakt që pas zgjedhjeve në sondazhet që bëhen pas zgjedhjeve, PD dhe kryetari i saj janë në rënie të vazhdueshme. Ky është një shqetësim i madh me një qeverisje që më të keqe nuk mund të imagjinohet. Një qeverisje që ka filluar të harxhojë jo vetëm borxhet por edhe buxhetet e ardhshme të Republikës. Unë nuk jam as i afruar dhe as i larguar nga Partia Demokratike. Thelbi i çështjes është ky; a do të ketë një diskutim të hapur jo vetëm me Arben Imamin. Unë jam vetëm një njeri. Debati bëhet vetëm në parti. Statusi nuk është respektuar sepse nisi një proces pa kaluar në Këshillin Kombëtar. E dyta, është çështja e Bashkimit. Ky kongres do të çojë në legalizimin e mos bashkimit”,- tha Arben Imami.

VIDEO/DEKLARATA E LULZIM BASHËS PAS MBLEDHJES 

Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi pas mbledhjes së kryesisë se janë miratuar vendime që do t’i japin mundësinë çdo demokrati të japë kontributin e vet në një proces që do transformojë këtë parti. I pyetur për deklaratat e Arben Imamit, Basha tha se debatet ishin konstruktive.

“Diskutimi ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm. Padyshim që ka mendime kritike, por pa i rrahur mendimet s’mund të shkohet në vendime që përfaqësojnë konsensusin e të gjithë anëtarëve te kryesisë.

Falënderoj anëtarët e kryesisë për përgjegjësinë me të cilën diskutuan gjatë ditës së sotme, gjithë anëtarësinë e PD që ka përmbyllur një proces analize, konsultimi, propozimesh dhe t’i kujtoj gjithë anëtarët dhe simpatizantët e PD se shqiptarët e shohin këtë jo thjesht si një proces brenda PD por si një proces nga i cili do lindë një shpresë dhe një rrugë e re për çdo shqiptare dhe shqiptar.

Kryesia ka miratuar vendime që do i japin mundësinë çdo demokrati të kontribuojë në këtë proces, dhe unë personalisht do të garantoj që ky të mos jetë një proces formal, por të jetë i vërtetë i bashkimit të të gjitha kontributeve dhe ideve për këtë platformë, për këtë transformim të PD që do i paraprijë transformimit që presin shqiptarët” – tha Basha