Arsenali leksion Milanit në “San Siro”, Berisha befason Dortmundin (VIDEO)

Arsenali ka hipotekuar kualifikimin për në çerekfinale të Europa League. Skuadra londineze fitoi 2-0 në ndeshjen e parë ndaj Milanit në “San Siro”. Ekipi Venger e nisi më mirë ndeshjen teksa që në minutën e 8-të Mikitarjan ka mundësinë për të kaluar skuadrën e tij në avantazh, por tentativa e tij përfundon në rrjetën e jashtme. Dominimi i “topçinjve” shpërblehet në minutën e 15-të. Kutrone ndërkohë kishte mundësinë që të kalonte ekipin e tij në avantazh, por ai nuk arriti që të mposhtë portieri Ospina. Ozil shërben mjaft mirë në zonë për Mikitarjan, i cili me një lëvizje të bukur shmang Kalabrian dhe më pas lë të shtangur portierin Donaruma. Skuadra angleze është superiore në të gjitha aspektet gjatë gjithë ndeshjes, por fati është me ekipin e Gatuzos. Në minutën e 42-të është Donaruma, i cili arrin që të ndalë Uellbek, i cili u gjend përballë tij. Milani përgjigjet me Bonuçin, i cili fiton kohën në ajër me portierin Ospina, por përfundon vetë në kuadrat, me topin që shkon në vijën fundore. Kur u duk se skuadrat do të shkonin me këtë rezultat në dhomat e zhveshjes, është Ramsej që merr një pasim magjik në zonë, shmang Doanrumën dhe më pas e shoqëron topin për herë të dytë në rrjetë. Milani provoi që të rihapte ndeshjen në pjesën e dytë, por kuqezinjtë nuk u treguan të saktë në portën e skuadrës angleze.

Atletiko Madrid ka hedhur një hap të rëndësishëm për të siguruar një vend për në çerekfinalen e Europa League. Skuadra e Diego Simeones ka fituar pastër 3-0 ndaj Lokomotivës së Moskës. Sauel Niguez hapi serinë e golave në minutën e 22-të me një gol spektakolare nga një distancë prej më shumë se 35 metrash. Skuadra spanjolle do të dyfishonte rezultatin në fillimin e pjesës së dytë. Saul jep një top të bukur në zonë për Grizman. Goditja e tij ndalet nga portieri dhe më pas në këmbët  Diego Kostës që e ka të thjeshtë për ta shtyrë topin në rrjetë. Në minutën e fundit të kohës së rregullt, Koke shënon dhe golin e tretë që hipotekon kualifikimin për në fazën tjetër.

Dortmund ka pësuar një humbje shokuese në shtëpi ndaj Salzburgut. Skuadra gjermane u mund 2-1 nga ekipi austriak. Vendimtar në këtë ndeshje ishte paraqitja e sulmuesit me origjinë shqiptare, Valon Berisha, i cili shënoi dy gola në minutën e  49-të dhe të 56-të. Dortmundi u përpoq që të reagonte, por gjeti vetëm njëherë rrugën e rrjetës me Shurlen. /Koha Jonë/