2 milionë shishe verë dhe 35 mln euro në vit, ofertë e çmendur nga Kina për Iniestën

Ekipi kinez Tianjin Quanjin është gati të bëjë gjithçka për të bindur Andres Iniestën që të firmosë për ta, madje të blejë edhe plot 2 milionë shishe verë të prodhuar nga kompania “Bodega Iniesta de Manchauala” që është nën pronësinë e mesfushorit të Barcelonës i cili që nga 2010 është edhe prodhues vere.

Siç bëjnë të ditur mediat spanjolle dhe ato gjermane, klubi kinez që ka trajner Paulo Sosa-n, jo vetëm që është gati ti paguajë Iniestës plot 35 milionë euro në vit, por i ka premtuar edhe një klauzolë për verën në kontratë, duke i garantuar blerjen e plot 2 milionë shisheve nga marka e tij, për të rritur shanset që të sigurojë 33-vjeçarin spanjoll që pasi ka fituar gjithçka me Barcelonën, mund të vendosë të provojë një sfidë ndryshe në qershorin e ardhshëm.