Vetëgjyqësia, ekspertët: Shenjë e humbjes së besueshmërisë së qytetarëve tek policia

Reagimi i parë i qytetarëve që bien preh e sulmeve apo grabitjeve, duhet të jetë thirrja për ndihmë drejt policisë, për të mos vendosur në rrezik jetën e tyre. Mirëpo, rasti i Fierit kur qytetarët reaguan për vetëmbrojtje, ngre problemin e mungesës së besimit tek policia, dhe ndërhyrja e saj e shpejtë në rast nevoje. Ekspertët besojnë se presioni politik e ka vendosur policinë e Shtetit në sfidën e humbjes së besimit të qytetarëve.

Grabitja në Fier, ngjarje në të cilën humbi jetën një qytetar i cili u përpoq që t’iu vinte në ndihmë pronarëve të pikës së këmbimit valutor përballë dy autorëve, është shenjë se qytetarët e kanë humbur besimin tek policia dhe bëjnë vetëgjyqësi.

Për ekspertët, që prej vitesh janë marë me çështjet e sigurisë në komunitet, ndërhyrja që i solli vdekjen Agur Venozit është shenjë e qartë se qytetarët nuk i besojnë policisë, pasi kjo e fundit ndodhet në një moment pasigurie, për shkak të presionit politik me të cilin përballet.

Arben Hajdarmataj, ekspert: Është rritur pasiguria ndaj biznesit dhe qytetarëve. Njërëzit nuk kanë besim tek policia. Në momentin kur një qytetar telefonon policinë, është krijuar opinioni që policia vonon shumë. Kjo është një nga arsyet pse qytetarët shkojnë në vetëgjyqësi dhe ti japin zgjidhje problemeve të çastit vetë, siç ndodhi në Fier. Policia është jashtë loje për shkak të trysnisë politike që po i bëhet.

Hajdarmataj thotë, se domosdoshmëri është ndryshimi i raportit polici-komunitet, ku ndërhyrja në çdo rast që denoncohet nga qytetarët duhet të jetë e shpejtë dhe profesionale nga ana e efektivëve të policisë.

Arben Hajdarmataj, ekspert: Raporti komunitet-polici është një nga çështjet më kyçe sa i përket zbulueshmërisë dhe parandalimit të krimit. Ky raport duhet të ketë besim të ndërsjelltë dhe reciprok. Duhet bërë një punë radikale për kthimin e besueshëmrisë së policisë së shtetit tek qytetarët, por duhet të jetë punë reale, jo fasadë.

Përkundër programeve të policimit në komunitet, që së fundmi kanë qenë në fokus të reformimit të forcës së rendit për t’u shndërruar në Policinë që Duam, reagimi qytetar për vetëmbrojtje duket se është një tregues se ka ende shumë punë për tu bërë, për të fituar besimin e njerëzve tek uniforma blu.

/Ora News