Arsimi nuk është prioritet, Boçi: Rama-Nikolla lanë pa kontrata mësuesit

Në ditën e tyre, deputeti demokrat Luçiano Boçi ngriti si shqetësim gjendjen e vështirë në të cilën sipas gjenden sot mësuesit dhe pedagogët e vendit.

Në një dalje për mediat, ai akuzoi kryeministrin dhe Ministren e Arsimit se kanë  lënë pa kontratë pune mësuesit.

Për Boçin, arsimi nuk është prioritet i qeverisë Rama.

Boçi: Sot shprehim solidaritetin me problemet, shqetësimet dhe hallet e tyre që nisin nga keqpagesa dhe shkojnë deri tek pasiguria për vendin e punës. Probleme që askush nuk i dëgjon dhe nuk u jep përgjigje. Arsimi nuk është një prioritet kryesor për qeverinë e Edi Ramës, modeli i të cilit nuk është as mësuesi, as pedagogu, as studenti por trafikanti i drogës.

Në buxhetin e këtij viti, arsimi është ndër zërat më të keqfinancuar duke mos mbajtur premtimin për të investuar në arsim rreth 50 milion euro në vit. Financimi tani është sa për mbijetesë, pjesa më e madhe shkon për paga dhe fare pak  për investime në infrastrukturë dhe burime njerëzore.

Rama dhe Nikolla duhet tu përgjigjen mësuesve dhe pedagogëve për pagat mjerane me të cilat i trajtojnë dhe për shkatërrimin e Universiteteve Publike.

Deputeti demokrat nënvizoi se arsimi rimëkëmbet duke investuar, duke rritur pagat e mësuesve dhe pedagogëve, duke siguruar tarifa të përballueshme për studentët dhe treg pune për të rinjtë.

 “Së bashku ne do ta realizojmë këtë gjë” përfundoi Boçi.