Pse u shkarkua pa zhurmë drejtori i Portit të Durrësit? Kush është grupi kriminal “Clan del Golfo”?

Aksioni i kapjes së 613 kilogramë kokainë ishte një sukses i Policisë Shqiptare, pasi sekuestroi sasinë më të madhe të kokainës në vend. Por pyetjet për këtë sasi droge që në treg kushton 180 milionë euro vazhdojnë të mbeten pa përgjigje edhe sot. Përveç drogës, deri në më sot nuk ka asnjë person të rëndësishëm që të jetë arrestuar si pronar i saj. Operacioni më i madh antidrogë në Shqipëri ka sjellë arrestimin e vetëm dy personave. Më 27 shkurt kur u kap kokaina, u arrestuan shoferi i kamionit Armando Pezaku dhe administratori i kompanisë që kishte porositur bananet në Kolumbi, Donald Lushaj. Dy ditë më përpara se të kapej sasia e kokainës, ose me saktë që bë publike, nga Shqipëria ishte larguar pronari i kompanisë, Arbër Çekaj, i cili ishte shpallur në kërkim.

Të tre emrat e përmendur nuk përjashtohen si të përfshirë në trafik, por 180 milionë euro drogë janë një shumë mjaft e madhe parash që nuk mund të menaxhohen nga një shofer kamioni dhe një pronar biznesi bananesh. Në listë mungon pronari i vërtetë që ka arritur të mos identifikohet në këtë histori dhe jo më të arrestohet. Janë një seri ngjarjesh që kanë ndodhur nga momenti që droga kolumbiane është pikasur në portet e Europës, pavarësisht se Kryeministri shqiptar thotë se droga u kap vetëm nga Policia Shqiptare. Armando Pezaku deklaroi sot në Polici se kontenieri ishte vonuar pas kontrolleve në portin e Livornos në Itali. Më pas droga është mbajtur disa ditë në Portin e Durrësit, ku Policia dhe Prokuroria thonë se kanë bërë hetime dhe kanë konstatuar kokainën. Gjithashtu, thonë se e kanë mbajtur sekret informacionin. Çuditërisht po këto ditë, më 23 shkurt, ka dhënë dorëheqjen dhe Drejtori i Portit të Durrësit, Artjan Qirici, i cili kishte vetëm 4 muaj që ishte zgjedhur në këtë detyrë. Për këtë largim nuk pati asnjë arsye zyrtare. Ndërkohë që largimi i tij ka ndodhur pikërisht në kohën që Prokuroria dhe Policia kanë kërkuar survejimin e ngarkesës së drogës. Jo zyrtarisht në Portin e Durrësit u fol se shkarkimi i befasishëm i drejtorit të ri ndodhi pikërisht për shkak të kontrollit jo sipas rregullave të ngarkesave. Por qeveria po mundohet ta mbajë larg vëmendjes se mediave një fakt të tillë. Pse? Çfarë fshihet pas këtij largimi të befasishëm? Çfarë di drejtori i Portit, i cili nuk kishte as katër muaj si drejtor i zgjedhur nga “tepsia” e Kryeministrit? A e ka thirrur si dëshmitar Prokuroria e Krimeve të Rënda apo edhe në Prokurori diçka fshehin?

Në operacionin e Maminasit ka dhe një detaj që nuk përmendet shpesh nga policia dhe as nga prokuroria. Shoferi i kamionit dhe pronari i firmës së bananeve nuk janë e njëjta kompani. Kompania që kreu transportin është një firmë e njohur në Durrës. Për shkak se policia ndërhyri shpejt në aksion, ajo që nuk dihet është nëse droga është e kompanisë së bananeve, apo pas shkarkimit të bananeve kontejneri ku ishte fshehur droga do të kthehej sërish në Durrës?

Në Durrës dhe Tiranë ka një opinion publik që flet se kush mund të kishte forcë shtetrore për ta garantuar një ngarkesë të tillë 180 milion dollarëshe.

Shkarkimi drejtorit të Portit të Durrësit pikërisht në ditët e ardhjes se kokainës, ndërkohë që sapo ishte emëruar, ngre dyshime të forta për prokurorinë e krimeve të rënda.

“Peshku i madh” rri e drekon sa në Durrës e në Tiranë!

I.Noli

Kush është organizata kolumbiane “Clan del Golfo” e kokainës?

“Sasia e konsiderueshme prej 613 kg kokainë, e kapur në Shqipëri i përkiste organizatës kriminale kolumbiane “Clan del Golfo”.

Kështu do të shprehej një ditë më parë Ministri kolumbian i Mbrojtjes, Luis Carlos Villegas, lidhur me sasinë rekord të kokainës të zbuluar javën e kaluar në Portin e Durrësit. Por ndonëse për këtë sasi të të madhe droge, pas hekurave qëndrojnë vetëm shoferi dhe menaxheri i firmës “Arbri Garden”, ajo që rikthehet edhe një herë në vëmendje, është shtrirja e mafias shqiptare dhe bashkëpunimi me një nga organizatat më famëkeqe në botë.

“Clan del Golfo” është organizata kriminale më e madhe në Kolumbi, dhe sipas autoriteteve, kjo organizatë ka 3.000 anëtarë.

Ndërkohë që nga këta, rreth 1200 anëtarë janë në nivel drejtuesish që koordinojnë kultivimin dhe trafikimin e kokainës në pjesën më të madhe të territorit kolumbian. Ndërkohë që si lider i organizatës “Clan del Golfo” është i njohur Dario Antonio Usuga.

Por si lindi “Clan de Golfo” dhe përse sot është shndërruar në organizatën më të madhe kriminale në Kolumbi?

“Clan del Golfo”, i quajtur më parë edhe “Los Urabeños” është një grup kolumbian,paramilitar i trafikimit të drogës. “Los Urabeños” e kanë marrë emrin e tyre nga Urabá, një rajon veriperëndimor i Kolumbisë pranë kufirit panamez, i çmuar shumë nga trafikantët e drogës pasi ofron qasje në brigjet e Karaibeve dhe Paqësorit nga porti i Antioquia dhe Chocó. Grupi gjithashtu i referohet vetes si Forcat Vet-Mbrojtëse Gaintaniste të Kolumbisë (Autodefensas Gaitanistas de Colombia – AGC) dhe quhen “Clan del Golfo” nga qeveria kolumbiane.

Origjina e Urabeños ose “Clan de Golfo”, mund të gjurmohet tek kryekomandanti paramilitar Vicente Castaño, i cili në vitin 2006 u shkëput nga procesi i demobilizimit të Forcave të Bashkuara të Mbrojtjes së Vetë-Mbrojtjes të Kolumbisë (Autodefensas Unidas de Colombia – AUC) dhe riarmatosi një njësi paraushtarake nën udhëheqjen e dy prej nënkryetarëve të tij: ish-komandanti i bllokut të AIA-s Ever Veloza Garcia, alias “HH” dhe Daniel Rendón Herrera, alias “Don Mario”, ish shefi i financave të një prej grupimeve më të pasura paramilitare, Blloku i Centauros.

Grupi “Clan del Golfo” janë kryesisht të përkushtuar ndaj trafikimit ndërkombëtar të drogës. Anëtarët e grupit udhëheqës janë vetë trafikantë ndërkombëtar që menaxhojnë rrugët e tyre. Megjithatë, rrjeti në tërësi është më shumë një ofrues shërbimi për trafikantët e pavarur të drogës. Grupi kontrollon territoret dhe rregullon ose drejton tregun bazë të kokainës, shoqëron dërgesat përgjatë korridoreve të trafikimit ndërkombëtar, siguron qasje ose mbrojtje për laboratorët e përpunimit dhe siguron shërbime magazinimi dhe dërgimi në rajonet bregdetare dhe kufitare.

Modeli i rrjetit kërkon që qelizat lokale të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshme. Si rezultat, këto grupe janë zgjeruar në minierat e paligjshme, zhvatjen dhe trafikimin e qenieve njerëzore, dhe ata drejtojnë ose marrin një pjesë të fitimeve nga aktivitetet e tjera kriminale që ndodhin në territoret e tyre. Në maj të 2013 Departamenti i Thesarit në SHBA e vendosi ‘Clan del Golfo’ në listën e organizatave të narkotrafikut ndërkombëtar.

Në të kaluarën, kanë qenë të shpeshta përpjekjet e forcave ushtarake dhe autoriteteve kolumbiane për ta luftuar këtë grup kriminal, por pa sukses.

Konkretisht:

Në 1 janar 2011 themeluesi i grupit Juan de Dios Usuga u vra nga forcat e armatosura kolumbiane gjatë një aksioni. Për të iu kundërpërgjigjur kësaj, “Clan del Golfo” shpalli nisi një seri sulmesht të dhunshme ndaj forcave të policisë dhe me shpërndarjen e fletushkave ku theksonin kontrollin e tyre ndaj territorit, duke shkaktuar një mbyllje e veprimtarive tregtare dhe të pezullimit të transporteve publike për 48 orë. Gjithashtu banda sinjalizoi synimin e tyre për t’u përgjigjur në mënyrë agresive ndaj vdekjes së liderit të tyre, kur ofruan publikisht një shpërblim prej  1,000 dollarë për secilin polic të vrarë në Antioquia, një strategji kjo e përdorur më përpara nga Pablo Escobar shkruan express.

Mes fundit të 2014-s dhe fillimit të 2015-s janë arrestuar disa liderë të Clan del Golfo-s, në kuadër të një operacioni të qeverisë kolumbiane me qëllim dobësimin dhe mposhtjen përfundimtare të organizatës.

Më 1 shtator 2017, komandanti i dytë i “Clan de Golfo” alias “Gavilán” u vra. Tre udhëheqësit e mbetur janë ende të lirë alias “Otoniel”, Carlos Moreno ose alias “Nicolás” si dhe Aristides Meza alias “El Indio”.

Megjithatë, pa marrë parasysh se çfarë ndodh me udhëheqjen, qelizat Urabeños në terren nuk do të zhduken. Ata do të vazhdojnë të kontrollojnë territoret kyçe strategjike kriminale, duke u ofruar shërbime trafikantëve të drogës dhe elitave të tjera kriminale dhe drejtimin e aktiviteteve të tyre të lokalizuara kriminale. Madje duke u siguruar që ngarkesa e tyre me kokainë, të mbërrijë në destinacion, pavarësisht kontrolleve në portet ndërkombëtare.