Pse iku drejtori Portit të Durrësit?

-A po heton Prokuroria e Krimëve të Rënda edhe për ikjen me vrap nga detyra të Artjan Qiricit, pikërisht në ditët e kokainës?

Largimi i drejtorit të Portit të Durrësit dhe kapja e kokainës duket se kanë një lidhje. Por akoma nuk ka dalë në dritë se pse u “vetlargua” drejtori i portit, kur sapo ishte emëruar nga PS. Aksioni i kapjes së 613 kilogramë kokainë ishte një sukses i Policisë Shqiptare, pasi sekuestroi sasinë më të madhe të kokainës në vend. Por pyetjet për këtë sasi droge që në treg kushton 180 milionë euro vazhdojnë të mbeten pa përgjigje edhe sot. Përveç sekuestrimit të drogës, deri në më sot nuk ka asnjë person të rëndësishëm që të jetë arrestuar si pronar i saj. Operacioni më i madh antidrogë në Shqipëri ka çuar pas prangave vetëm dy persona. Nga data 19 shkurt kur kontenieri me drogë ka hyrë në Shqipëri dhe deri më 29 shkurt kur nisi aksioni i policisë për kapjen e saj, kanë ndodhur jo pak lëvizje që ngrenë dyshime.

Më 27 shkurt kur u kap kokaina, u arrestuan shoferi i kamionit Armando Pezaku dhe administratori i kompanisë që kishte porositur bananet në Kolumbi, Donald Lushaj. Disa ditë më përpara se të bëhej publik kapja e sasisë së kokainës u largua nga Shqipëria pronari i kompanisë, Arbër Çekaj, i cili është shpallur në kërkim.

Të tre emrat e përmendur nuk përjashtohen si të përfshirë në trafik, por 180 milionë euro drogë janë një shumë mjaft e madhe parash që nuk mund të menaxhohen nga një shofer kamioni dhe një pronar biznesi bananesh. Në listë mungon pronari i vërtetë që ka arritur të mos identifikohet në këtë histori dhe jo më të arrestohet. Janë një seri ngjarjesh që kanë ndodhur nga momenti që droga kolumbiane është pikasur në portet e Europës, pavarësisht se Kryeministri shqiptar thotë se droga u kap vetëm nga Policia Shqiptare. Armando Pezaku, menaxheri i kompanisë së bananeve, deklaroi dje në seancën gjyqësore se kontenieri ishte vonuar dy javë pas kontrolleve në portin e Livornos në Itali. Pasi ka mbërritur në Shqipëri, më 19 shkurt, kontenieri është mbajtur disa ditë në Portin e Durrësit, ku Policia dhe Prokuroria kanë bërë hetime dhe kanë konstatuar kokainën.

Çuditërisht po këto ditë, më 23 shkurt, ka dhënë dorëheqjen dhe Drejtori i Portit të Durrësit, Artjan Qirici, i cili kishte vetëm 4 muaj që ishte zgjedhur në këtë detyrë. Për këtë largim nuk pati asnjë arsye zyrtare. Largimi i tij ka ndodhur pikërisht në kohën që Prokuroria dhe Policia kanë vendosur survejimin e ngarkesës së drogës dhe kanë monitoruar gjithë lëvizjet e autoriteteve portale dhe doganore. Jo zyrtarisht në Portin e Durrësit u fol se shkarkimi i befasishëm i drejtorit të ri ndodhi pikërisht për shkak të kontrollit jo sipas rregullave të ngarkesave. Por qeveria po mundohet ta mbajë larg vëmendjes se mediave një fakt të tillë. Pse? Çfarë fshihet pas këtij largimi të befasishëm? Çfarë di drejtori i Portit, i cili nuk kishte as katër muaj si drejtor i zgjedhur nga “tepsia” e Kryeministrit? A e ka thirrur si dëshmitar Prokuroria e Krimeve të Rënda apo edhe në Prokurori diçka fshehin? Po këto ditë, kur dihej që droga ndodhej në Durrës dhe u zbulua nga Policia nga Shqipëria është larguar dhe pronari i kompanisë së bananeve, Arbër Çekaj. Ikja e tij tre ditë para operacionit bëri që Prokuroria të mos ketë dëshminë e personit kyç në këtë histori.

Në operacionin e Maminasit ka dhe një detaj që nuk përmendet shpesh nga policia dhe as nga prokuroria. Shoferi i kamionit dhe pronari i firmës së bananeve nuk janë e njëjta kompani. Kompania që kreu transportin është një firmë e njohur në Durrës. Për shkak se policia ndërhyri shpejt në aksion, ajo që nuk dihet është nëse droga është e kompanisë së bananeve, apo pas shkarkimit të bananeve kontejneri ku ishte fshehur droga do të kthehej sërish në Durrës?

Deklaratat të ish-drejtuesve të Policisë tregojnë se në Shqipëri ekzistojnë të paktën 3 laboratorë përpunimi të kokainës që vjen nga Amerika Latine. Bllokimi i 613 kg kokainë pa shkuar në laborator vetëm sa shton edhe më tej pikëpyetjet për njerëzit që fshihen në trafikun më të madh të drogës.

Në Durrës dhe Tiranë ka një opinion publik që flet se kush mund të kishte forcë shtetërore për ta garantuar një ngarkesë të tillë 180 milionë dollarëshe.

Shkarkimi pa motivacion zyrtar i drejtorit të Portit të Durrësit, pikërisht në ditët e ardhjes se kokainës, ndërkohë që sapo ishte emëruar, ngre dyshime të forta për Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

“Peshku i madh” rri e drekon sa në Durrës e në Tiranë!

I.Noli