“Partizani s’mund të bëhet qendër rehabilitimi për plakushë të rrjedhur”

Pas shkarkimit të trajnerit Sulejman Starova nga drejtimi i Partizanit, sot ka ardhur dhe reagimi i tifo-grupit më të madh e të organizuar të Partizanit, “Ultras Guerrils”. Ata e konsiderojnë të vonuar largimin e “Bobit” të vonuar, por, në të njëjtën kohë, kanë disa pyetje për drejtuesit.

“Me gjithë mbështetjen pa kushte në shkallët e stadiumit, njëkohësisht e kemi bërë të qartë me çdo mënyrë qëndrimin tonë në lidhje me drejtimin dhe menaxhimin e këtij sezoni të Partizanit, që është jashtë çdo objektivi. Dje u shkarkua një trajner, që duhej të ishte larguar me kohë. Por, nga ana tjetër, përgjegjësi konkrete nuk merr askush. Kush përgjigjet për dështimet në merkato? Kush e paguan Çanin 20 mijë euro për të luajtur një ndeshje me Kuçovën? Kush përgjigjet për italianët, që vijnë për turizëm? Kush përgjigjet për boshatisjen e stadiumit? Kush përgjigjet për keq menaxhimin?

Të gjitha këtyre pikëpyetjeve duhet t’iu jepni përgjigje me seriozitet, duke vepruar. Duke ia nisur fillimisht nga përgjegjësit e merkatos katastrofë, Moxhit dhe Preitit. Partizani nuk mund të bëhet qendër rehabilitimi për plakushë të rrjedhur, që vijnë e na shesin mend me përralla, dhe sjellin një tufë lojtarësh skarco të mbipaguar. Nga ne kërkohet seriozitet dhe hedhja e themelit të një klubi të qëndrueshëm për të ardhmen e jo klub me mungesë strategjie e vizioni, gabime këto që klubit tonë i kanë kushtuar shumë. Gjithashtu, na informoni pak ku kanë mbetur punimet për stadiumin dhe kompleksin e ri? Kur do të përfundohet shtëpia e famshme?”