Mjaft me VIP-a dhe luks fals në media!

Si nuk u ftuan në sallonin e studiove ndonjë zonjë apo zonjushe fakirfukara, që vazhdon të mbajë frymën gjallë me listë në defterin e bakallit të lagjes apo fshatit?! Si duket atyre u mungon “luku” e s’kanë veshur rroba e s’kanë mbathur këpucë “firmato” dhe shëmtojnë këtë sallon të bukur?! Si s’pamë të hynte në studiot luksoze televizive ndonjë kusurmadhe, që jeton në një kasolle të shkatërruar…

Nga Hyskë Borobojka      

Televizionet në Shqipëri kanë shumë emisione e rubrika. Të ftuarit në këto sallone të bukur janë të shumtë e të ndryshëm, sidomos ato të seksit femëror, që gëzojnë cilësi të rralla. Në këtë studio hyjnë e dalin artiste, stiliste, piktore, specialiste në dikastere, këngëtare, deputete, ministresha, mjeshtër e mjeshtre tatuazhesh, të qëndisura nga maja e kokës te thembrat e këmbëve e deri nga profesionet më ë thjeshta, si kuzhiniere e kamarierë të fisëm. Ka nga ato që zotërojnë një varg cilësi e talente, duke filluar, nga modelistja, prezantuesja, balerina, recituesia, aktorja, shkrimtarja…. Madje disa ftohen në këto studio të bukura për të dytën e të tretën herë. Të ftuarat vijnë të nisura e stolisura për të treguar bukurinë e hijeshinë, që u ka falur natyra apo Zoti. Natyrisht këto cilësi të rralla drejtuesit e emisionit s’kanë si të mos ua çmojë me fjalën  “sa bukur, sa bukur”, shumë, bukur, tepër bukur, bukur boll, nga shkalla pohore në sipëroren të shoqëruara me emrin “luku”, që nuk e di nga ka ardhur e është futur në leksikun e gjuhës së bukur shqipe, si dhija bravare në tufën e dhënëve pllaja. Kjo viran fjalë e huaj, si dhe shumë “bravare” të tjera i janë ngjitur gjuhës tonë si rrodhe e nuk i shqiten.

Në këto studio e sallone vijnë të ftuara edhe dy “VIP-e” e një “VIP”, që përfaqësojnë “VIP-at” e vendit. (VIP-a apo “Rripa, eja e merre vesh) Njëra nga zonjushet “VIP-e”, si duket ka ardhur të tregojë gjoksin e zbuluar. Tjetra topuzin e flokëve majë kokë si fole gushkuqësh. Ndërsa tjetri bluzën lara lara, lara, si zebër.. Aty nuk mungon pa u ftuar edhe ndonjë nga soji “Gei” për të treguar “përvojën “ e vet.

Të ftuarat, që sajdisin këto studio të orareve të ndryshme, nuk harrojnë të marrin me vete edhe trashëgimtarët apo trashëgimtaret, për t’u treguar shikueseve “zgjuarsinë, mençurinë e talentin e tyre të “rrallë”…  Se, në fund të fundit dardha nën dardhë do bjerë, s’mund të bëhet gorricë. Deri sa mamaja është këngëtare, balerinë e stiliste shquar, këto cilësi duhet t’i trashëgojë dhe e bija apo i biri. Mamatë s’lënë fjalë lavdëruese në fjalorin e gjuhës shqipe për të treguar zgjuarsinë e talentin e tyre, edhe pse ata apo ato porsa kanë hequr bebelinot nga prapanica. Madje ndonjë studio lejon dhe kafshët, qenin apo konen, që vijnë vërdallë në sallon, duke hipur e zbritur nëpër kolltukët e duke lehur kam, kam, kam. Kur i shoh këta trashëgimtarë, që vijnë vërdallë në studio dhe shfaqin më shumë përkëdhelira bajate e idiotizma, sesa mençurira, nuk rrinë pa u vlerësuar “sa bukur, sa bukur shumë bukur”.

Një deputetë e ftuar në një emision të tillë ishte bashkë me djalin. Kur drejtuesja e emisionit e pyeti se ç’dëshironte të bëhej kur të rritej. djali shfaqi dëshirën se do të bëhej deputet. Shumë mirë, se do të rinovonte Parlamentin me mendime të reja e gjak të ri. Por unë, i vetëqojturi Hyskë Borobojka, kam një merak të madh. Deri sa djali i saj të rritet, të shkollohet e të punësohet, a do të jetë kryetar partie e kryeministër Edi Rama që ta verë në listë për “Baba Kombi”, ashtu siç bëri për mamanë e tij. Pastaj a do ta gëzojë “lukun” drejtuesja e emisionit, që të drejtojë atë studio pas kaq vitesh që ta ftojë djalin, siç ftoi mamanë deputete?! Këto pyetje më ngacmojnë e s’di çfarë përgjigje t’u jap.

Të ftuarat në këto studio të ndryshme vijnë të veshura, të ngjeshura e të stolisura me të gjitha ngjyrat e ylberit, sikur do të bëjnë paradën e modës. Në një emision ishte e ftuar një zonjë apo zonjushe (ku merrej vesh) më flokë të verdha trëndelinë të ngjyera me bojë… Ajo ishte kurdisur e i lëshonte fjalët si trokashka e mullirit. Tregonte me gojë, duar e këmbë se s’kishte lënë vend të rruzullit tokësor pa e vizituar, jo me ditë, javë, por për nëntë e dhjetë muajve të vitit do gjezdiste nëpër bukuritë e botës. Kjo e ftuar apo disa të tjera si kjo, shtëpinë e kanë në avion, në anije, në jahte e në të gjitha mjetet udhëtuese që ka shpikur mendja e njeriut. Ajo i përshkruante vendet turistike që kishte vizituar, me aq pasion, lezet e përpikmëri, sa do ta kishte zili edhe peizazhisti më i mirë, apo gazetari e shkrimtari më i shquar. Rrëfimet e saj në vendet turistike të rruzullit tokësor, mallëngjyen gjithë fasadën e fermerëve të vendosura në studio të duartrokasin. Mirë, moj drejtuese e emisionit, që e dëgjoje me aq vëmendje e dëshirë, si nuk e pyete leshverdhën trëndelinë bredhatore, ku e gjen atë mal me para për të përballuar këtë shëtitje nga njëri vend te tjetri, muaj me radhë nëpër hotelet me pesë yje?!. Mos ka rastisur e zbuluar ndonjë hazmë apo thesar të fshehur?! Apo i ka “vjedhur“ çelësin e kasafortës së parave ministrit të Financave?! Këtyre pytjeve, unë fakiri, s’u jap dot përgjigje.

Si nuk u ftuan në sallonin e studiove ndonjë zonjë apo zonjushe fakirfukara, që vazhdon të mbajë frymën gjallë me listë në defterin e bakallit të lagjes apo fshatit?! Si duket atyre u mungon “luku” e s’kanë veshur rroba e s’kanë mbathur këpucë “firmato” dhe shëmtojnë këtë sallon të bukur?! Si s’pamë të hynte në studiot luksoze televizive ndonjë kusurmadhe, që jeton në një kasolle të shkatërruar, ku mbuluar, ku zbuluar, si kasollja me kashtë e zavalli Demo “kokën brenda, b… jashtë”?, të këngë së vjetër?! Si nuk u duk në ato studio të zbukuruara me një barrë stoli, ndonjë zonjë a zonjushe, që jeton me ndihmë ekonomike, që pret ta merrte në janar, s’e mori dot as në shkurt e që  shpreson ta “marrë” nga marsi, apo në një prill!?. .Si nuk u ftua në ato studio apo sallon të bukur me lale-lule, ndonjë mësuese pensioniste, që ka edukuar një brez të tërë nxënësish e shpërblehet me një pension qesharak, më pak se një pastruese?!. Vallë si nuk erdhi dot në atë studio (ku vinë zonjat e zonjushet bashkë me qenushët) një bujkeshë nga malësia apo një bareshë për të treguar me sa mund e sigurojnë jetën. Si duket keni frikë mos sjellin baltën e arave dhe ugareve e lerosin studion e “bukur, bukur?!. Po si nuk u ftua një zonjë nga ato që ua prishi shtëpinë e ua mori prokopinë lumi apo përroi i tërbuar, pasi ua hapën rrugën kompanitë ndërtuese, që rrëmbejnë zhavorin e u prishin argjinaturën?!

Ja, moj zonja dhe zotërinj të nderuar dhe të respektuar të televizioneve, ja çfarë më shqetëson sallonet tuaja të “bukura”.