5 objekte të muzeut ”Shtëpia e gjetheve” ekspozitë në Belgjikë

Muzeu Kombëtar ”Shtëpia e gjetheve” është ndër më të veçantët në rrjetin ballkanik të muzeve. Kështu e ka cilësuar drejtoresha Etleva Demollari në një prononcim dhënë ATSH-në. Sipas saj, veçantia e muzeut qëndron në koleksionin e veçantë të objekteve të përdorura nga sigurimi i shtetit për kontrollin e popullsisë gjatë regjimit komunist ,gjithashtu dhe në koleksionin e pasur me dokumente arkivore dhe filmike .

Drejtoresha Demollari u shpreh se, ”po përpiqemi që ky muze të njihet dhe në rrjetin e muzeve ndërkombëtar. Në këtë kuadër muzeu “Shtëpia e gjetheve ”do të bëhet pjesë e ICOM-it që është rrjeti ndërkombëtar i muzeve gjithashtu dhe në rrjetin europian të muzeve NEMO, por edhe në rrjetin ballkanik të muzeve”,-tha ajo.

”Për njohjen e muzeut ndërkombëtarisht ne kemi krijuar një lidhje me shtëpinë e historisë europiane (House of Europian History) i cili është një muze i ri që është hapur në Belgjikë me nismën e Parlamentit Europian i cili flet për historinë e gjithë Europës, theksoi Demollari.

Si pikënisje e këtij bashkëpunimi, (House of Europian History ) ka ftuar muzeun e gjetheve të marr pjesë në ekspozitën ”Rini e paqetë” e cila do të çelet në dhjetor të 2018 e ka si qëllim ekspozimin e jetës së rinisë të viteve 60 dhe 80.

 

Drejtoresha Demollari duke shpjeguar rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë ekspozitë tha se muzeu ynë do të prezantohet me 5 objekte të cilat janë:

1-Një nga objektet e përzgjedhura është konvertitori i sinjalit televiziv nga frekuencat VHF në UHF I cili quhet ndryshe në gjuhën popullore kanoçe. Ky në fakt është një objekt i ri i cili i është dhuruar muzeut nga Fatmir Shkreli.

2-Çimka, transmetues me valë zanore e cila përdorej dhe me bateri e cila fshihej në objektet e përditshmërisë nga punonjësit e sigurimit të shtetit dhe është prodhuar në laboratorin e ministrisë së punëve të brendshme nga inxhinerë shqiptar në vitet 80.

3-Objekti tjetër i përzgjedhur është një pallto e përdorur nga sigurimi shtetit e cila brënda kishte të fshehur aparatin fotografik e ku kopsat ishin syri i aparatit dhe tek xhepi një mekanizëm i cili bënte shkrepjen e fotos .

4-Një pajisje që përdorej për të prodhuar avull me anë të të cilit hapeshin letrat dhe ka formën pikërisht të zarfit. Me anë të kësaj pajisje letrat hapeshin kontrolloheshin dhe mbylleshin përsëri dhe personat që merrnin letrat nuk e kuptonin që këto letra ishin hapur,është objekti tjetër i veçantë i përzgjedhur për ekspozitën.

5-Objekti i fundit i përzgjedhur, por jo nga rëndësia është albumi që përdorte sigurimi i shtetit për agjentët i cili tregonte vendet ku të fshihnin çimkat. Albumi përmban foto nga objektet e veçanta ku fshiheshin çimkat si shapkat,çantat pra në objekte të përditshme dhe të zakonshme.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” u hap për publikun në 23 maj 2017. Godina e mistershme prej 45 viteve ishte e mbuluar nga gjethet dhe iu fsheh syrit të publikut. Nga aty u përgjuan, kontrolluan dhe spiunuan njerëz të pafajshëm nga regjimi komunist. Ky muze është i ndarë në disa sektorë që trajtojnë aspekte të ndryshme të veprimtarisë së kryer në këtë shtëpi që prej ndërtimit të saj në fillim të viteve ‘30-të dhe deri në vitin 1991.