Ikja e shqiptarëve, Rama: Marrin zanat dhe kulturë

”Shqipëria nuk rrezikon të shuhet as të braktiset me gjithë valën e madhe të emigracionit që e ka përfshirë vitet e fundit”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në emisionin “Debati në Channel One” të Roland Qafokut. Për Ramën kjo është një periudhë historike që ka shoqëruar të gjithë vendet qofshin këto në zhvillim apo të zhvilluara dhe këtu ju referuar Kroacisë, Italisë por dhe Polonisë. Sa i takon ikjes së mjekëve drejt Gjermanisë, Rama këtë problem e sheh të zgjidhur me rihapjen e specializimeve, që sipas tij do mbushë boshllëqet.

Pjesë nga intervista

Zoti Rama siç thashë dhe në hyrje, për pak ditë mbushen 6 muaj nga marrja e mandatit të dytë,  a keni arritur ju ato që synuat  në fillim, në atë proklamatën tuaj  që bëtë publikisht për startin e mandatit të dytë qeverisës?

Unë besoj që po,  bazuar në objektivat e 100 ditëve dhe pastaj të 300 ditëve. Jemi në përputhje me çdo objektiv të vendosur  paraprakisht.

Në fakt, ishte risi ajo që ju thatë  në fillim me krijimin e tre dikastereve  të reja : ajo për sipërmarrjen,  diksteri i Evropës në bashkim me Ministrinë e  Jashtme dhe  ai i Diasporës . A mund të na thoni konkretisht që këto 3 risi  dhe këto 3 synime që ju  i thatë në fillim të këtij mandati  të dytë, çfarë arritje kanë patur?

Së pari një korrigjim , nuk janë tre dikastere, janë një dikaster dhe dy ministra shteti  që kanë  një detyrë shumë specifike  dhe shumë të rëndësishme për ne. Ministrja e shtetit për Sipërmarrjen, e cila  është de facto avokat i  sipërrmarjes në tryezën e qeverisë  dhe bën të mundur trajtimin në kohë reale  të shqetësimeve të sipërmarrjes që lidhen me  aspekte të ndryshme  të funksionimit të institucioneve dhe në tërësi të  problemeve me burokracinë . Ndërkohë,  Ministri i Shtetit për  Diasporën është i domosdoshëm në  këtë fazë ku ne kemi dy objektiva të rëndësishëm, nga një anë objektivin e përfshirjes së emigrantëve në jetën politike të vendit në mënyrë të drejpërdrejtë  përmes pjesëmarrjes në zgjedhje  nga aty ku ata jetojnë dhe  nga ana tjetër objektivin  e rritjes së pjesëmarrjes në tërësi të  diasporës në jetën ekonomike  dhe sociale të vendit . Përsa i përket bashkimit të ministrisë së dikurshme të integrimit me  ministrinë e jashtme,  në krijimin e Ministrisë e Evropës dhe Punëve të Jashtme  besoj se ka qenë një zgjidhje e mirë pasi i jep mundësi kompaktësimit  të dy trupave që  funksionojnë sot si një  dhe bën të mundur një harmonizim më të arsyeshëm  mes aspektit që ka të bëjë me integrimin në marrëdhëniet politike në Bruksel me partnerët  dhe aspektin që ka të bëjë me punët  brendshme të integrimit që janë të lidhura me gjithë rrjetin e institucioneve të përfshira në këtë fazë  dhe sidomos në fazën tjetër pas çeljeve të negociatave  për antarësim.

Zoti Kryeministër, përveç kësaj që ju thatë dhe që është e vërtetë, ajo që ra më shumë në sy në proklamatën tuaj për mandatin e dytë ishte ristrukturimi i një sërë institucionesh.  Bashkime, ndarje,  por më shumë bashkime. Sot mbas 6 muajsh a është në efiçensë të plotë e gjithë administrata, pikërisht për këtë arsye?

Administrata nuk e ka humbur eficensën e vet në raport me mandatin e mëparshëm, asnjë moment por ambicia është që  administrata të jetë edhe me shumë efiçente  dhe procesi i ristrukturimit është një proces që  është në vazhdim  ndërkohë që në jemi angazhuar  shumë fort  në gjithë spektrin e ministrive  me procesin e  derregullimit apo  të reformës  të shërbimeve administrative  që ka  brenda vetes derregullimin, do të thotë  lehtësimin e burokracive , uljen e konsiderueshme të orëve të pritjes, uljen e konsiderueshme të letrave që duheshin për të kryer një proces  dhe për të marrë një licence, një autorizim, një leje, një  dokument çfarëdo, dhe në këtë aspekt besoj që rezultatet e para kanë filluar të ndjehen dhe kam bindjen që në harkun e këtij mandati, qytetarët do të ndiejnë një lehtësim të madh në marrëdhëniet e tyre me shtetin dhe  një ndryshim të madh në aspektin e mundësisë  për të marrë në  një kohë shumë më të arsyeshme përgjigje në zyrat e shtetit lidhur me të drejtat e tyre.

Zoti kryeministër, unë po e shtrij në kohë  punën e qeverisë, jo vetëm në këto 6 muaj. Në vitin 2013 kur ju erdhët në pushtet, me ato që unë kam lexuar, nuk di që një qeveri të kishte  atë pritshmëri që ka patur  qeveria nën drejtimin tuaj.  Ishte një pritshmëri e frikshme, në kuptimin pozitiv. Megjithatë pas 4 vjet e gjysmë kemi një rritje ekonomike  por nuk kemi një hop të madh cilësor në ekonomi.  Kemi një braktisje të vendit  dhe ajo që nuk ka ndryshuar është konflikti politik është njësoj si përpara se ju të vinit në pushtet.  Pse kanë ndodhur këto?

Së pari unë  nuk e di çfarë hopi keni patur ju parasysh por di tu them që sot  ekonomia shqiptare  rritet 4 fishin e rritjes së 4 viteve më parë. Mos harroni që e filluam me nje 0, diçka dhe sot jemi në rreth 4 përqind rritje ekonomike, një rritje që  do të vazhdojë dhe synimi  ynë është që të kapërcejë pesën, që është një ambicie realisht e fortë. Ndërkohë përsa i përket  braktisjes së vendit,  sigurisht që ka një fenomen që nuk është vetëm shqiptar i largimeve të qëndrave më tërheqëse  nga pasuria e tyre në rradhë të parë por  unë nuk do flisja për braktisje të vendit. Flitet me hamëndje, flitet me një gjuhë që vjen nga dëshira e disave që kjo të jetë e vërtetë  dhe nga rënia viktimë e të tjerëve që kjo është e vërtetë  sepse nëse shikoni shifrat reale të largimeve dhe të rikthimeve në Shqipëri, nuk kemi absolutisht asnjë lloj fenomeni të ri. Është një fenomen i kahershëm, madje nëse do të bënim  disa krahasime  të shifrave, të përpunuara në bazë të metodologjisë së Eurostatit  do të shikoni që kemi të bëjmë më një situatë ku nuk është absolutisht një situatë ku mund të fitet për  shuarje të Shqipërisë,  për zbrazje të Shqipërisë,  dhe për përralla të tjera si këto.

Natyrisht që  njerëzit ikin, kanë ikur dhe do vazhdojnë të ikin dhe kthehen, janë kthyer dhe vazhdojnë të kthehen . Për një periudhë historike të caktuar kjo  do të jetë më shumë në favor të emigracionit sesa të migracionit por është një periudhë historike që e kalojnë të gjitha venet dhe po të shikoni shifrat  e vendeve që janë sot anëtare  të reja të BE-së madje dhe shifrat në zona të caktuara të vendeve që janë anëtare të vjetra të BE , psh Italia ku ata që largohen nga jugu drejt veriut apo  nga Italia drejt Gjermanisë  janë shifra vërtet mbreslënëse.  Kjo është një fazë historike që unë nuk mendoj se është një tragjedi  e panjohur dhe madje unë nuk e konsideroj  aspak një tragjedi sepse besoj që të gjitha vendet  që sot janë në pararojë të  zhvillimeve botërore, në një periudhë të caktuar  të historisë së tyre kanë patur  pikërisht këtë fazë  dhe çdo vend në zhvillim apo i zhvilluar kalon nga kjo fazë  që sjell shumë të mira për vendin në periudhë afatgjatë me disa probleme jo të vogla në periudhë afatshkurtër që kanë të bëjnë me kapacitetet dhe burimet njerëzore, që kanë të bëjnë me kapacitetet për t’iu përgjigjur sfidave  të ndryshme por  ky është një fakt historik dhe ne nuk  mund ta frenojmë ose ta ndryshojmë këtë rrjedhë të caktuar në hisori.

Vërtet jeni kaq i qetë zoti kryeministër kur ikën një popullsi  e konsiderueshme? Dhe më e vërtetë se sa kjo është që janë disa shifra brenda kësaj shifrës së madhe: 200 mijë shqiptarë aplikuan për Lotarinë Amerikane  dhe ne jemi në vendet e para në botë për numër të popullsisë së emigracionit?

Nuk është çështje qetësie dhe ju tani po më detyroni që unë të kërkoj në një dokument  konkret  lidhur me këtë. Nuk është çështje qetësie, është çështje objektiviteti  në raport me një fenomen që nuk është i frenueshëm më asnjë lloj instrumenti  që ne kemi në dispozicion se po të ishte ashtu  do ta kishin frenuar të paktën polakët. Po marr Poloninë që është shembulli më i suksesshëm i integrimit europian dhe  që ka një masë njerëzish që  kanë ikur dhe vazhdojnë të ikin dhe që është jashtëzakonisht  e konsiderueshme dhe do e kishjin frenuar dhe të tjerët.  Mund të bëjmë propagandë sa të duam, mund të bëjmë agjitacion sa të duam, mund të përpiqemi ta shfrytëzojmë sa të duam këtë fenomen për politikën e ditës por ky nuk është një fenomen që lidhet ngushtësisht me politikën e ditës  dhe unë nuk di të ketë ndonjë magji që mund ta frenojë këtë fenomen apo që mund të bëjë që ekonomia  e vendit të rritet me 15% , apo që problemet e vendit të zhduken sa hap e mbyll sytë.

Ajo që më bën mua le të themi të jem ballë lartë para njerëzve  është fakti që ne po bëjmë gjithçka mundemi  për të bërë më të mirën, me të gjitha të mirat dhe të metat tona.  Dhe tu jap një shembull se si janë shifrat. Në vitin 2011 janë larguar  55 mijë e 162 njerëz,  në 2012 janë larguar 52 mijë e 307, në 2013 49 mijë e 425, në vitin 2014 46 mijë e 525, në 2015 41 mijë e 443, në vitin 2016 32 mijë e 532, në vitin 2017 39 mijë e 905.  Ndërkohë që  ka patur edhe ardhje.  Në 2011 36 mijë e 397, në 2012 32 mijë e 534, 28 mijë e 624 në 2013,  24 mijë e 740 në 2014, 20 mijë e 843 në 2015, 23 mijë e 60 në 2016 dhe 25 mijë e 003 në 2017.

Nëse heq ata që ikin me kata që vijnë, është shifër shumë e ulët.

Ka një neto, ka më shumë të ikur se të ardhur por ama është larg të qënit një fenomeni që po shuajmë Shqipërinë, që po zbraz Shqipërinë.

Tani ju po e krahasoni me shifrat e vitit 2012.

Unë nuk e krahasoj me asgjë. Unë po them  thjesht që ky është një trend historik, nuk ka absolutisht asgjë, veçanërisht  dramatike në këtë fazë të qeverisjes sonë.

Nuk është dramatike?

Është një trend historik po ua përsëris për të tretën herë  nëse e keni mendjen tek ajo që po u them unë.

Unë te ju e kam mendjen, ku ta kem tjetër?

Nuk është se shpërtheu si fenomen vitet e fundit por është një fenomen historik, që është i pashmangshëm dhe i pafrenueshëm sepse nuk e ka shmangur dhe nuk e ka frenuar dot askush.  Dhe sa për dijeninë tuaj psh vetëm vitin e kaluar nga Kroacia që është vend anëtar i BE janë larguar 50 mijë njerëz, fakt por ndryshe nga ne shqiptarët apo të tjerët në pjesën e paintegruar në BE ata nuk i shënon kush si azil kërkues sepse janë pjesë e tregut  të lirë të punë në BE. Nga Italia e jugut është një fenomen i shumë shumë viteve që  në një vend të G7  nuk frenohet apo nuk shmanget  ashtu sikundër mund të imagjinohet apo  të dëshirohet, ose të propagandohet. Kështu që  unë di të them vetëm kaq, ky është fenomen  historik, nuk është fenomen i një mandati qeverisës të kujtdo qoftë. Ka patur momente me më shumë ngritje, momente me më pak rritje por është  trend historik.  Në këtë trend historik, 4-vjeçari ynë nuk përbën asnjë përjashtim dhe nuk ka  asnjë kulminacion.

Për ta mbyllur këtë argument, do tiu jap një shembull konkret zoti kryeministër. Një kolege kur mësoi që do të ishit në intervistë , Alida Cenaj, dëshiroj ti them Kryeministrit tha, dua të falenderoj një doktor nga spitali onkologjik. Quhet  Artan Bodeci. Natyrisht ajo kishte një arsye personale për ta falenderuar po  është gjë e mirë kur thuhen fjalë të mira për njerëzit zoti Kryeministër.  Por e trishtueshme është se ky  mjek i vlerësuar jo vetëm nga kjo gazetare por edhe nga shumë të tjerë sepse unë bëra kërkime dhe pyeta shumë shpejt ikën në Gjermani.  Nuk e mban dot shteti shqiptar një mjek, dmth është relativisht i ri, i talentuar?

Së pari një herë, nuk ka vend për melodramë këtu.  Jetojmë në një botë të hapur nuk jemi më në bunkerin e Enver Hoxhës për fat të mirë. Jetojmë në një botë të hapur dhe në një aspekt, jo në të gjithë aspektet  sepse jemi akoma jashtë BE dhe nuk e kemi mundësinë e të qenit pjesë e integruar e tregut të lirë të punës,  por në një aspekt secili ka të drejtën si qytetar i kësaj bote të hapur dhe bote të lirë të vendosë të jetojë ku të dojë.  Pra kjo nuk është një çështje kaq e ngushtë që mund  të kalohet kaq ngushtë.  Secili ka të drejtën të shkojë të jetojë ku të dojë dhe të shkojë të provojë vetën në  cilin do realitet. Çështja e mjekëve specialistë është një çështje shumë e qartë.  Ne kemi trashëguar një situatë  të vështirë pasi për 4 vjet për arsye të mos arsyes  të qeverisjes së mëparshme u mbyllën specializimet.

Një arsye që na e dobëson as shumë arsyen.

Për 4 vjet Shqipëria nuk prodhoi mjekë specialistë dhe u krijua një boshllëk  që me rihapjen e specializimeve do të mbushet. Ndërkohë që  ajo që ne kemi bërë, unë e premtova dhe shumëkush qeshi por sot është një realitet. Ne i kemi ofruar çdo mjeku specialist që pranon të shkojë sepse problemi i mjekëve specialistë nuk është në  Tiranë, por në vende të tjera  jashtë Tiranës.  Çdo mjek specialist që pranon të shkojë të punojë jashtë Tiranës ka një rrogë të barabartë me rrogën që merr në Itali apo në Gjermani  nëse ka fat dhe hyn menjëherë në sistem,  gjë që nuk ndodh gjithmonë  duke përjashtuar edhe taksat  kuptohet. Pra  përveç rrogës së mjekut ka dhe dy milionë bonus mujor në dorë, kështu që kjo e ka plotësuar shumë  në këto muaj të parë që është futur  në veprim sistemi dhe ne pastaj edhe atë sistemin e patronazhimit të spitaleve dhe faktikisht e mbyllim deri në vitin 2019 krejtësisht problemin e mjekëve specialistë nga pikëpamja e prezencës dhe e numrave.  Që pastaj njerëzit duan të shkojnë në Gjermani dhe kanë mundësi të punojnë në Gjermani  kjo është e drejta e tyre.

Ne jemi aq pak zoti Kryeministër. Ne nuk jemi Itali që nëse ikin dy milionë nuk është problem.

Mos u  melodramatizo sepse nuk bëhet fjalë se po ikin dy milionë, unë i lexova shifrat. Shifrat janë kokëfortë dhe flasin qartë. Ka një lëvizje demografike  të ndjeshme  drejt vendeve të tjera por është larg së qëni shifra e shuarjes së Shqipërisë dhe braktisjes së Shqipërisë  ashtu sikundër ka dhe një element tjetër shumë të rëndësishëm. Ata që kthehen, kthehen me zanate, me një kulturë tjetër, me njohuri dhe informacion që nuk i kanë këtu dhe nëse do ti referohemi një studimi që ka bërë  Universiteti i Harvardit mbi influencën e të kthyerve në transformimin që ka ndodhur në  bujqësi është një transformim tërësisht domëthënës  se sa vlerë të madhe ka emigracioni për vendin e origjinës.

Dhe jo vetëm në aspektin e dërgesave të emigrantëve që e mbajtën Shqipërinë në këmbë për shumë vite se ndryshe Shqipëria vërtet do kishte kaluar në një agoni mbase pa kthim dhe përveç këtyre ka një impakt të jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet e tjera.  Kështu që emigracioni nuk është tragjedi, por një fenomen që ka anët e veta  negative dhe pozitive dhe kur njerëzit ikin, sigurisht që  ushtrojnë lirinë dhe të drejtën  e tyre. Dhe nuk ka asnjë qeveri në historinë e botës që të ketë dalë në një fuqi të atillë magjike që të ketë frenuar këtë fenomen apo ta ketë shmangur këtë fenomen.

Kur mori detyrën Fan Noli, 6 mijë shqiptarë ikën nga Amerika dhe erdhën këtu sepse thanë Shqipëria do bëhet.

Ka patur shumë shqiptarë që janë kthyer gjatë gjithë kësaj periudhe pra flasim jo vetëm për kohën kur unë kam qenë në qeveri por edhe me përpara dhe i lexova shifrat kështu që ka njerëz që ikin, ka njerëz që kthehen  dhe do ketë gjithmonë shqiptarë që do ikin dhe që do kthehen.  Dhe Shqipëria nuk rrezikon as të zbrazet as të shuhet.