Vrasja makabre në Fier, vëllai dhe kunata e viktimës: E torturonte dhe e mbante të kyçur

Detaje tronditëse kanë dalë në dritë pas ngjarjes së ndodhur një vit më parë në Patos, ku burri 73-vjeçar mbyti me litar bashkëshorten e tij të moshuar. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë natës së 3 janarit 2017, kur Namik Velaj akuzohet se vrau bashkëshorten e tij Vreke Velaj, teksa ishin të vetëm në banesën e tyre në Patos.

Rrëfimet e familjarëve të viktimës kanë zbuluar detaje tronditëse për ngjarjen, edhe për vetë faktin se djemtë e viktimës kanë qenë në dijeni të krimit makabër që kishte kryer i ati, por nuk kishin pranuar ta denonconin në polici.

Këto dëshmi ka përcjellë vëllai i viktimës dhe kunata e Vreke Velaj, duke folur për gazetarin e “News24” Ervis Kuçi.

Ai thotë se që në momentin kur morën vesh për vdekjen e së motrës kanë patur dyshime, pasi çifti i të moshuarve kishte patur kontradikta të vazhdueshme. Qemal Muskaj rrëfen se kunati nuk pranonte që të shihnin motrën e pajetë dhe as t’i hiqnin nga qafa një shall që i kishin vendosur, në mënyrë që të mos dukej shenja e litarit.

DESHMIA E VELLAIT TE VIKTIMES
Me aq sa e dini ju historinë, si ka ndodhur?
Në datën 3 janar 2017 në orën 4 të mëngjesit morëm një lajmërim nga Italia. Mua me mori vëllai, që me tha se na ka vdekur motra. E pyeta si e mësoi, dhe më tha se e kishte marrë djali i saj nga Italia. Të katërt vëllezër shkuam direkt. Në 4.30 arrijmë aty, dhe pamë që kishin mbaruar të gjitha formalitetet. Doja të vija atje ku ishte, por më largonin nga aty. Na zunë derën, e na thanë jo mos hyni se po vishet. I thamë që të shkonin kunatat ta vishnin, por s’u bë gjë. E pastaj na thanë ejani se u vesh. Këta të funeralit ishin aty, dhe ne nuk e morëm vesh se kur kishte ndodhur ngjarja. Se ne në orën 4 e morëm vesh. Tentova ta ngrija motrën ta vija vetë në arkivol, na thanë lërë se e vendosin këta të funeralit. Pasi u ndamë gratë veç, burrat veç, pyeta si ndodhi. Disa ditë më parë i takova burrë e grua, ishin mirë. Po më thanë që morëm doktor e vizituam, dhe na thanë që pësoi infarkt. E pyeta cilin doktor, s’më thanë gjë.

Pse kishit dyshime?
Dyshoja sepse kishin kontradikta, nuk shkonin me njëri-tjetrin. I pyeta disa herë se cili doktor ishte, por nuk e mësova. Duke biseduar, e për faktin se s’më tregonin gjë, pata dyshime. As fëmijët e tyre nuk ishin, pasi erdhën në darkë. Pastaj thirra vëllain nga dhoma tjetër, pasi po dëgjoja pëshpërima se i kishte thyer krahun dy ditë më parë. Dëgjova edhe për shenjën që kishte në qafë, se nuk linte njeri t’i hiqnin shallin. I thashë vëllain të kunatit që dua të vërtetën, se do ta zhvesh këtu në sy të të gjithëve e të shoh çka ndodhur. Por ai më tha që s’dinte gjë. Pastaj e deklaruan vetë me gojën e tyre që është e vërtetë që ishte e dëmtuar. Vëllezërit e tij më thanë “po tani të shkojë në burg ai?” I thashë po, por ndërhyri i biri dhe tha “dajë lëreni tani se do na hapni telashe të tjera”.

Gjatë gjithë kësaj kohe, ju keni kërkuar të zhvarroset trupi, apo keni qenë të bindur që në momentin e parë?
I thashë nipit, a e more vësh çfarë i kanë bërë nënës tënde, më tha po. I thashë denoncoje, se nuk të lë. Por kunati mbylli derën, dhe nuk pranoi më njeri në shtëpi. Meqë ata nuk pranuar, shkova e denoncova në polici në datën 7. Pastaj na thanë nuk zhvarroset pa mbushur vitin. Krimet në Fier e morën përsipër ngjarjen, pastaj na thanë që ia kishin kaluar Prokurorisë së Fierit. Kur shkova në prokurori nuk më pranuan. Pastaj i mora në telefon dhe i thashë dua të di deri ku është çështja. Ata më thanë që ia kemi nisur Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi e pamë të arsyeshme si krim në familje. Në 4 shtator ne të 4 vëllezërit shkuam te Krimet e Rënda, ata na thanë këtu nuk është regjistruar. U kthyem prapë në Fier. Pas kësaj gjëje morëm avokat. Bëmë një kërkesë, dhe në 12 shtator na u kthyer përgjigje se atë ditë kaloi dosja te Krimet e Rënda. Por prokurorja nuk pranonte të më takonte. Ndaj kërkova takim me kryeprokurorin në Fier. Por më tha që s’të jap llogari ty. Ika dhe i bëra menjëherë letër kryeministrit Rama, kryeprokurorit Llalla, dhe ministrit Xhafaj. Më kthyen përgjigje brenda javës, dhe më thanë që do të shqyrtohet. Pas 15 ditëve me ka thirrur Prokurori i Krimeve të Rënda në Tiranë, Besnik Muça.

DËSHMIA E KUNATËS SË VIKTIMËS:

A e patë trupin e të ndjerës?
Sa hymë brenda tek dera e kuptuam se kishte shallin tek gryka. Ne shkuam ti heqim shallin dhe të takojmë kunatën… jo, jo mos e luani  motrat e këtij personit që e vrau. Mos e luani tha. Ndenjëm pak, por nuk po na rrihej. U hodh kunata dhe tha po pse mos ja heqim shallin ne s’kemi parë ndonjë të vdekur me shall në grykë. Jo tha e motra dhe kunatat se na tha Namiku që e ka shallin e vajzës që i ka vdekur shpejt. Vajza nuk kishte fustan të vishte dhe jo më të kishte shall. Ndenjëm pak dhe pyesim kunatat e atij, të shoqen e Hekuranit dhe të Laverit. Ajo tha, moj motër mos më paftë syri atë që pashë. Kemi ardhur dhe kemi zjerë ujë sepse nuk shkrinte tha ajo dhe kam parë taklloi. Pjesa e trupit sterrë, krahun të thyer. Ndenjëm pak ne se donim të qanim kunaten. Jo, jo tha mos bëni zhurmë. Erdhën këta dhe thoshin jo, jo rrini larg. Po si të rrijmë larg ne e kemi njeriun e shtëpisë dhe do e zbulojmë e do e shikojmë. Të gjitha gjerat i kanë avete të tyre. Ne këtu ishim pranë dhe të na thoshin vinim për 5 minuta në këmbë, por ajo nuk hapeshe dhe nuk i thoshte vëllezërve asgjë se kishte frikë. E ka pasur jetën të vështirë. A mbahet gruaja me kyç e mbyllur? E mbyllte në banjë me kyç.

Me çfarë merrej ky zotëria?
Asgjë, ha e po dhe rri brenda.

Me çfarë jetonin?
Kishin pension të dy. Edhe fëmijët u dërgonin se i kanë jashtë shtetit. Torturat e dynjasë ka hequr.

/BalkanWeb