5 orë në ditë, zgjat armëpushimi në Siri

Qetësia ka rënë mbi enklavën rebele siriane të Ghoutas, pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të përkohshëm që synon t’i lejojë civilëve largimin nga rajoni i shënjestruar prej një ofensive të egër të ushtrisë siriane me mbështetjen e Moskës.

Urdhrin e pauzës humanitare e dha Vladimir Putin, duke krijuar kështu mundësinë e një të ashtëquajture “dritare 5-orëshe”, çka i jep kështu një frymëmarrje banorëve të traumatizuar të zonës ku vetëm përgjatë javës së kaluar janë vrarë mbi 500 vetë.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu e kishte shpjeguar se duke nisur nga e marta, pushimi i zjarrit i forcave ruse do të fillonte nga ora 9 paradite, deri në 14:00. Urdhri i shefit të Kremlinit erdhi dy ditë pas fillimit të një armëpushimi të paqëndrueshëm 30-ditor në mbarë Sirinë, i kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Në Ghouta, luftimet nuk kanë ndalur prej ditësh dhe vetëm të hënën, nga bombardimet gjetën vdekjen të paktën 10 vetë.