Drafti/ Vetingu i Policisë në tre faza, sipas sistemit “Ujvarë”

Vetingu në Policinë e Shtetit, Gardë dhe SHÇBA, që u prezantua sot në Kuvend si projektligj nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, do të bëhet në tri faza si më poshtë, siç thuhet në relacionin që e shoqëron atë.

Drafti:

“është parashikuar që vlerësimi të bëhet sipas një sistemi “ujëvarë” apo “kaskadë”, i cili do të kryhet në tri faza, si më poshtë vijon:

Faza e parë: Në këtë fazë, vlerësimi do të kryhet nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, i cili në përbërje të tij do të ketë 15 anëtarë, të zgjedhur nga Bordi përzgjedhës.

Bordi përzgjedhës përbëhet nga 5 anëtarë, me këtë përbërje:

Një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, i cili drejton bordin;
Një përfaqësues i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale;

Një përfaqësues i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi;

ç) Një përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave;

Një përfaqësues i Drejtorisë për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar.

Komisioni i Jashtëm do të vlerësojë punonjësit që mbajnë grada apo funksione të larta në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, konkretisht, sipas analizës së kryer, 287 punonjës. Në këtë fazë, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit organizohet në 5 trupa vlerësimi, me nga 3 anëtarë secila dhe mbështetet nga një sekretariat teknik, i përbërë nga 15 punonjës.

Faza e dytë përfshin vlerësimin e punonjësve të strukturave, objekt të këtij projektligji, që mbajnë gradat të nivelit të mesëm drejtues, konkretisht 2700 punonjës të Policisë së Shtetit dhe 115 nga Garda e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, ky komision do të vlerësojë punonjësit e strukturave të veçanta (si p.sh. Forcat Speciale “RENEA”, Reparti FNSH, Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Drejtoria e Forcave të Posaçme Operacionale etj.).

Në këtë fazë, vlerësimi do të kryhet nga Komisioni Qendror i Vlerësimit, i përbërë nga 45 anëtarë, 15 prej të cilëve janë anëtarët e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, ndërsa 30 anëtarët e tjerë të këtij Komisioni do të përzgjidhen nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, ndërmjet punonjësve me grada të larta që kanë kaluar me sukses procesin e vlerësimit, në fazën e parë.

Gjithashtu, ndër 30 anëtarët që do të zgjidhen nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, është propozuar që 20 anëtarë të jenë nga Policia e Shtetit, 6 anëtarë nga Garda e Republikës së Shqipërisë dhe 4 anëtarë nga SHÇBA-ja, kjo në përpjesëtim me numrin e përgjithshëm të punonjësve të secilës strukturë.

Ashtu si Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, edhe Komisioni Qendror i Vlerësimit do të organizohet dhe do të funksionojë në 15 trupa vlerësimi, me nga 3 anëtarë secila, të asistuar, në mënyrë analoge, nga sekretariati teknik përkatës, i përbërë nga 45 punonjës.

Gjithë punonjësit e mbetur do t’i nënshtrohen fazës së tretë të vlerësimit. Vlerësimi për këtë kategori punonjësish, në mënyrë analoge me dy fazat e para, do të kryhet nga Komisioni Vendor i Vlerësimit, i përbërë nga 135 anëtarë, të organizuar në 45 trupa vlerësimi, me nga 3 anëtarë secila, dhe sekretariati teknik përkatës, me 135 anëtarë.

45 anëtarët e Komisionit Qendror të Vlerësimit janë, automatikisht, anëtarë të Komisionit Vendor të Vlerësimit, ndërsa 90 të tjerët zgjidhen nga Komisioni Qendror i Vlerësimit nga radhët e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, që kanë kaluar me sukses procesin e vlerësimit në fazën e dytë.

Projektligji parashikon, gjithashtu, vlerësimin e punonjësve të njësive/reparteve/strukturave, përbërja e të cilave apo tipologjia e punës nuk mund të jetë publike, nga trupa të posaçme vlerësimi, që krijohen në Komisionin Qendror dhe Vendor të Vlerësimit, me propozimin e titullarit të institucionit përkatës.

Gjithashtu, vlerësimit kalimtar i nënshtrohen, me kërkesë të tyre, edhe ish-punonjësit e Policisë së Shtetit, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat dhe Gardës së Republikës së Shqipërisë, të cilët plotësojnë formularët e deklarimit sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj. Në rastet e kalimit me sukses të procesit të vlerësimit, ish-punonjësit janë në dispozicion të titullarëve përkatës, me qëllim emërimin e tyre në detyrë.

Duhet theksuar se komisionet e vlerësimit të të tria niveleve kryejnë funksione organizative dhe administrative (hedhje shorti, miratim rregulloreje etj), ndërsa verifikimi, vlerësimi dhe marrja e vendimit bëhen nga trupat e vlerësimit.

Objekt i procesit të vlerësimit kalimtar është kontrolli i figurës, pasurisë dhe aftësive profesionale të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Në mënyrë të përmbledhur:

Deklarimi e kontrolli i pasurive dhe i ligjshmërisë së burimit të krijimit të tyre nga punonjësit, familjarët e tyre, si dhe personat që kanë lidhje të ngushta, nëpërmjet deklaratës së pasurisë;

kontrolli i figurës së punonjësve, duke verifikuar vërtetësinë dhe besueshmërinë e deklarimeve të tyre si dhe identifikimin e punonjësve që janë përfshirë apo kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në veprimtari kriminale;

vlerësimi i aftësive profesionale të punonjësve, të cilat lidhen me vlerësimin e nivelit të arsimimit dhe trajnimit në përputhje me gradën dhe/ose pozicionin, respektimin e rregullave të etikës si dhe përmbushjen e detyrave, në përputhje me këtë ligj dhe me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e punonjësit të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Vlerësimi i pasurisë shtrihet për periudhën nga fillimi i marrëdhënies së punës në institucionet përkatëse, pavarësisht nga data e emërimit në pozicionin aktual, dhe/ose gradës që mban, deri në ditën e plotësimit të deklaratës së pasurisë.

Për vlerësimin e figurës nuk është përcaktuar periudhë referimi, brenda së cilës të shtrihet kontrolli, pasi ky lloj vlerësimi lidhet me integritetin e punonjësit dhe, rrjedhimisht, nuk mund të kufizohet në kohë.

Periudha e vlerësimit të aftësive profesionale fillon nga data e emërimit të punonjësit në gradën dhe/ose pozicionin që mban, por jo më shumë se 7 vjet. Për punonjësit, të cilët kanë më pak vite në detyrë, periudha e vlerësimit përfshin të gjithë kohën e ushtrimit të detyrës në institucionin përkatës.

Për kryerjen e procesit të vlerësimit, sipas këtij projektligji, është i nevojshëm bashkëpunimi jo vetëm me struktura të Ministrisë së Brendshme, por edhe me institucione të tjera ligjzbatuese.

Kështu, gjatë këtij procesi, është i nevojshëm bashkëpunim:

– I ngushtë me strukturat e Ministrisë së Brendshme, të SHÇBA-së, sektorit antikorrupsion dhe Drejtorisë së Standardeve Profesionale në DPPSH, si dhe me struktura të tjera, përfshirja e të cilave mund të vlerësohet e nevojshme për realizimin e këtij procesi;

– Me institucione ligjzbatuese, me qëllim sigurimin e informacionit të nevojshëm për kryerjen e verifikimit, si: ILDKPKI-në, Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Shërbimin Informativ të Shtetit, Agjencinë e Trajtimit të Pronave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe institucione të tjera që mund të vlerësohen të rëndësishme;

– Me ekspertë të huaj, misione dhe programe ndihmëse për Policinë e Shtetit si dhe me oficerët e kontaktit, për marrjen e informacioneve të nevojshme, lidhur me aktivitetin jashtë vendit të punonjësve që janë subjekt i vlerësimit.

Në projektligj është parashikuar që: pas përfundimit të procesit të vlerësimit kalimtar, punonjësit do t’i nënshtrohen vlerësimit periodik çdo 3 vjet, sipas objektit dhe procedurës së përcaktuar në këtë projektligj. Ndërsa institucioni që do të verifikojë deklaratat e punonjësve, sipas shtojcave të këtij projektligji, do të jetë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, sipas rregullave të përcaktuara në ligj dhe në udhëzimin e ministrit të Brendshëm.

Efektet pozitive të procesit të vlerësimit, sipas këtij projektligji, janë si më poshtë:

Kohë e shpejtë e realizimit;

Kosto relativisht e ulët;

Cilësi në zhvillimin e procesit.