“Spille”, kryebashkiaku i PDIU: Jo sulm politik, raporti me PS…

Me dyshimet se është shpërdoruar detyra duke abuzuar me tokat në Spille, por edhe projektin e stacionit të plazhit, në bashkinë e Rrogozhinës duket se të gjithë janë të dyshuar që nga kryetari e deri tek sekretari.

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Beqir Nuredini ka reaguar pas akuzave të Prokurorisë për korrupsion lidhur me tjetërsimin e pronave në bregdetin e Spillesë, ndërsa Gjykata e Kavajës një ditë më parë konfirmoi masën detyrim paraqitje dhe bllokimin e pasaportës.

Nga protesta e komunitetit çam përpara ambasadës greke, Nuredini tha se akuzat ndaj tij nuk janë sulme politike, ndërsa shtoi se do dalë i pafajshëm nga akuzat dhe për këtë çështje do jetë Gjykata e Apelit që do vendosë.

“Do jetë apeli që do vendosë dhe shumë shpejt do t’i japë drejtim kësaj çështje. Nuk kam arsye ta konsideroj sulm politik, megjithëse unë jam i PDIU. Me PS kam bashkëpunuar por s’ka të bëjë me çështjen në rastin konkret. Prokuroria ta çojë deri në fund dhe e rëndësishme është se pasi të përfundojë personi im nuk do ketë lidhje me këtë çështje”, u shpreh kryebashkiaku i Rrogozhinës, Beqir Nuredini.