Vendimet para ’96-ës, ATP publikon listën me 1026 pronarët përfitues

Pronarët që kanë aplikuar për kompensim në vitet 1993, 1994 dhe 1996 kanë marrë vlerësim përfundimtar mbi pronën e konfiskuar në vitin 1945. Agjencia e Trajtimit të Pronave ka publikuar listën me 1026 pronarë, të cilëve u është njohur të drejta për kompensim dhe vlerësim. Dosjet u përkasin viteve 1993, 1994 dhe 1996.

Me kërkesë të Agjencisë së Trajtimit të Pronave është publikuar lista shtesë e përditësuar në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të regjistrit të vendimeve, të cilat kanë njohur të drejtën për kompensim dhe vlerësimeve për vitin 1993, 1994 dhe 1996.

Ndërkohë, në Agjencinë e Trajtimit të Pronave presin të njihen me të drejtën për kompensim rreth 10 mijë dosje. Sipas të dhënave zyrtare nga ATP, mësohet se që nga hyrja në fuqi e ligjit 133/2015, për “Trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, ‘Agjencia’ ka përfunduar vlerësimin financiar të rreth 16 mijë vendimeve, të cilat i përkasin periudhës 1993-1996. Sipas burimeve nga ATP, mësohet se nga subjektet e interesuara ka pasur rreth 1300 aplikime për ekzekutim të kompensimit, nga të cilat janë trajtuar me kompensim rreth 400 aplikime.

Ndërkohë që ATP-ja ka përfunduar procesin e vlerësimit financiar të rreth 1500 vendimeve, që i përkasin vitit 1997. Ndërkohë për dosjet që i përkasin harkut kohor 1998-2013, ku janë në total rreth 8500 dosje, vlerësimi pritet të përfundojë brenda një periudhe 6-9 mujore.