Rama, studentit: Ti grenxë mes bletëve, më shiko mua e jo bukuritë rrotull…

Në Berat ndodhet sonte qeveria. Ndërkohë Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim në darkë me 250 studentë të Universitetit Bujqësor në një tur, të cilët do shkojnë në çdo fermë e sipërmarrjeje bujqësore, për të shpërndarë informacionin mbi programin e mbështetjes financiare të qeverisë për to.

“Në qarkun e Beratit me 250 studentët e Universitetit Bujqësor që na janë bashkuar për të çuar në çdo fermë e sipërmarrje bujqësore e blegtorale, informacionin e plotë mbi programin e ri të mbështetjes financiare të qeverisë për prodhimin e agropërpunimin. Ata sot kanë qenë qysh në mëngjes në tokat, serat, magazinat bujqësore e bizneset e përpunimit të produkteve të fshatit në këtë qark dhe nesër e deri në afatin e mbylljes së aplikimeve, do tëvazhdojnë të jenë pranë fermerëve”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Në takim kryeministri Rama nuk ka nguruar të bëjë humor me një nga të pranishmit, duke e krahasuar me një grenxë.

“Ti që je aty, mes bletëve dhe që bën grenxën, je i detyruar të më shikosh mua tani, jo ato bukuritë që ke rreth e rrotull. Je i hutuar komplet, vetëm do flesh sonte, mos kujto se ato bukuritë që ke rreth e rrotull do ta varin ty. Ti maksimumi mund të bëhesh një analist për bujqësinë”, tha Rama, batutë që shkaktoi të qeshura në sallë.

Në vijim Rama tha se problemi më i madh që kemi është uji, megjithëse renditemi pas Norvegjisë.

“Duam të kemi ujë, por duhet ta gjejmë rubinetin në humor, hapim rubinetin brrrrrrdhdhdhdh, kanalet e ujitjes janë të thara, por kur vjen uji ne përmbytemi”, ishte një tjetër batutë e Ramës.

“Pikaso thoshte frymëzimi ishte shumë i rëndësishëm, por kur të vjen duhet të të gjejë në punë”, vijoi Kryeministri. “Mos kujtoni se Ronaldo apo Messi do të zgjidhin hallin tonë, Interi hyn te kulturat që nuk subvencionohen”, u shpreh Rama.

Në foto: Berat, kryeministri gjatë darkës me studentët