Dështon seanca, demarkacioni të mërkurën sërish në Kuvend

Dështon sërish seanca për demarkacionin në Kuvendin e Kosovës. Kështu pas një debati të ashpër ndërmjet kryeministrit Ramush Haradinaj dhe shefit të Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti dhe në mungesë të kompromisit, seanca u shty për të mërkurën në orën 10:00.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli kërkoi nga deputetët të jenë të mërkurën në Kuvend dhe t’i anulojnë të gjitha vizitat jashtë vendit.

Seanca u la për të mërkurën pasi të hënën Haradinaj do të jetë për vizitë në Londër.

Kryeministri Haradinaj në një adresim para deputetëve tha se Projektligji që ka ardhur para deputetëve e ratifikon Marrëveshjen e Demarkacionit të gushtit të 2015.

Pas deklaratave të ashpra të kryeministrit Haradinaj ka reaguar shefi i Grupit parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti duke thënë se dihet kush është tradhtar e kush patriot. “…Kush është patriot e tradhtar dihet. Që tri vite është prolonguar kjo çështje. E lus kryeministrin të jetë i kujdesshëm kur t’i drejtohet 27 deputetëve, që janë më e madhe se partia e tij”, tha Hoti.