Sulmi në ambasadën e SHBA. Atentatori ish-ushtarak i dekoruar nga Millosheviç

Ambasada amerikane në Podgoricë është sulmuar me bomba. Autori, është identifikuar ai quhet Dalibor Jaukovic, 43 vjeçar me origjinë serbe, ish-ushtarak, i dekoruar nga Sllobodan Milosheviç në vitin 1999. Autori ka vrarë edhe veten gjatë sulmit. Policia malazeze ka shtuar sigurinë në të gjithë vendin, ndërsa ambasada amerikane ndërpreu shërbimet konsullore.

Policia malazeze ka identifikuar Dalibor Jaukovic, 43 vjeç, si personin që hodhi një granatë në ambasadën amerikane në Podgoricë dhe më pas hodhi edhe veten në erë. Jaukoviq, sipas mediave malazeze, ka jetuar në Podgoricë ndërsa ka lindur në Kraljevë.

Sipas tyre, ai ka shërbyer në radhët e ushtrisë jugosllave edhe në Kosovë dhe është nderuar me një medalje për merita për mbrojtjen dhe sigurinë e Republikës Federale të Jugosllavisë në 1999 nga vetë presidenti i atëhershëm Sllobodan Milloshevic.

Në motivacionin e dekoratës që i është dhënë atij, shkruhej ‘për merita të veçanta në kryerjen e detyrave në mbrojtje dhe siguri’. Shpërthimi, për të cilin policia konsideron përgjegjës Jaukovic, ndodhi pak pas mesnate. Nuk është ende i qartë motivi i këtij sulmi dhe as nëse ai synonte të shkaktonte viktima.

Sidoqoftë, Prokurorja e përgjithshme Tanja Colan Deretic, thotë se do të ketë një hetim të plotë.

“Njësitë e posacme kanë nisur hetimet për të zbardhur rastin, janë veçuar disa prova që do ti nënshtrohen ekspertizës ndërsa një trup i pajetë ndodhet në morg”, është shprehur Tanja Colan Deretiç, kryeprokurore.

Vetë ambasada ka këshilluar shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambientet e saj. “Shmangeni ambasadën deri në lajmërimin e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e saj të internetit.

Incidenti në Podgoricë ndodh saktësisht dhjetë vjet pasi demonstruesit sulmuan dhe dogjën ambasadën amerikane në Beograd, në shenjë kundërshtimi ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Sulmi i ambasadës në Podgoricë, blindohet selia diplomatike e SHBA-së në Tiranë

Loading...