Lymi i Detit dhe Gjenerali që dezertoi…

Shqipëria historikisht ka qenë një faktor stabiliteti dhe nuk ka asnjë rast të vetëm që nga territori i vendit tonë të ketë pasur sulme agresioni kundrejt fqinjëve. Përkundrazi jemi ne ata që jemi masakruar pushtuar, ndarë dhe copëtuar nga fuqitë e mëdha të cilat kanë favorizuar shtetet fqinjë,pasojat e së cilës po i ndiejmë edhe sot e kësaj dite. Dhe për këtë mjafton të përmendim faktin që shqiptarët jetojnë në katër shtete të ndara, Shqipëri, Greqi, Maqedoni, Kosovë dhe Mali i Zi. Dhe sikur të mos mjaftonin këto kusure nga të huajt, vjen moment që edhe vetë shqiptarët bëhen pjesë e lojërave dhe pazareve për pushtet dhe ato ekonomike në kurriz të territorit dhe sovranitetit të vendit.

Në 27 prill 2009 kur në pushtet ishte PD e Berishës dhe në opozitë ishin PS e Ramës dhe LSI e Metës, Greqia dhe Shqipëria filluan negociatat për ndarjen e detit dhe kjo marrëveshje krijoi një furtunë të vërtetë nga specialistët, ekspertët e topografisë dhe mbarë shqiptarët, pasi kjo marrëveshje e firmosur për palën shqiptare nga Berisha dhe Basha dhe për palë Greke nga Karamanlis dhe Bakojanis ishte tërësisht në disfavor të shtetit Shqiptar dhe me të drejtë krijoi shumë indinjatë.

Njëri nga personazhet që u kthye me të drejtë në “Hero” ishte edhe Kolonel Myslim Pashai, i cili si ekspert mbrojti me vendosmëri padrejtësitë që po na bëheshin nga kjo marrëveshje duke i marrë qindra kilometra Shqipërisë për t’ia dhënë Greqisë. Dhe këtë vërtetësi e provoi në datën 15 prill 2010, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e cila hodhi poshtë si të papajtueshme me Kushtetutën marrëveshjen e lidhur mes Shqipërisë dhe Greqisë: “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Madje unë do të mendoja dhe e kam deklaruar edhe në shumë shkrime, që mjafton ky vendim që të nisin hetimet për shitjen e territorit dhe cenim të sovranitetit të vendit. Madje Koloneli Myslim Pasha e konsideroi aso kohe: “Tradhti ndaj Atdheut”. Dhe koha tregoi se për të gjitha ç’ka thënë ai, ishin të vërteta. Por koha ecën dhe situatat përsëriten dhe ja tek jemi pas 9 vitesh në të njëjtën situatë dhe, çuditërisht, Kolonel Myslim Pasha që duhet të ishte i pari në marshimin e tij, hesht ose më saktë tërhiqet për të mos thënë “dezertoi”. Nëse në marrëveshjen e parë ka autorë dhe ata janë me emër dhe mbiemër ( Berisha-Basha ), për marrëveshjen e dytë Koloneli nuk gjen fajtor ose edhe më keq akoma deklaron se, fajtor është Presidenti Meta që kërkoi të vendoseshin piketat sipas ligjit dhe të drejtës Kombëtare dhe Ndërkombëtare.

Madje Koloneli akuzon se në marrëveshjen e parë, të prillit 2009, fajtor është edhe Meta që mbështeste qeverinë Berisha. Ndoshta është “lajthitje emocionale”, pasi në prill të 2009, si Meta edhe Rama ishin në opozitë. A thua t’i ketë shpëtuar kjo Kolonel Pasha-it ? Sigurisht që jo, por ndoshta interesa të caktuara e kanë detyruar të harrojë misionin kombëtar përpara interesave partiake dhe qeveritare të Ramës dhe Bushatit. Gjatë kohës së marrëveshjes së parë pati shumë debate dhe konferenca, pati emisione televizive, shqiptarët panë se kush ishin atdhetarët e vërtetë (mes tyre edhe Kolonel Pashai) dhe kush ishin tradhtarët.

Ndërsa sot heshtje, asnjë nuk e di; kush negocioi, kush ishin ekspertët, a kanë certifikatë sigurie, janë shqiptarë të pastër apo “spiunë të grekëve” etj, etj. Po si shpjegohet që marrëveshjen e negocion Bushati që ka qenë 1 vit për studime në Athinë? Ndoshta edhe rastësi, ndoshta edhe jo. Si shpjegohet që ish-shefi i Kabinetit të ministrisë Jashtme të Bushatit deri para krijimit të qeverisë së re Rama 2, sepse tashmë ndodhet në një detyrë tepër të rëndësishme në Kryeministri, ishte me pasaportë greke dhe flitej se kërkohej nga Greqia të bënte ushtrinë? Edhe kjo ndoshta rastësi? Ka edhe plot të tjera, por nuk është kjo arsyeja e këtij vëzhgimi, pasi tashmë po analizojmë heshtjen e Kolonelit që u bë shumë i dashur për shqiptarët dhe habinë për përdorimin e tij nga politika aktuale.

Ekspertët e detit dhe diplomacisë thonë se, të gjitha pikat e përgatitura dhe të bëra publike nga Presidenca Shqiptare janë pikërisht ato që kërkonte Kolonel Myslim Pashai, kur Berisha bënte negociata me palën greke. Po pse hesht Kolonel Pashai në lidhje me faktin, se të gjithë ata që nënshkruan marrëveshjen në kohën e Berishës dhe u përplasën me Kolonelin janë emëruar nga Rama në postet më të rëndësishme të diplomacisë dhe ambasadorë në Evropë?!

Koloneli thoshte dikur, se pas marrëveshjes fshihen pazaret e naftës, dhe kishte plotësisht të drejtë. Po tani që duam të firmosim të njëjtën marrëveshje, a ka në mes interesa të miliardave të naftës?! Sigurisht që ka, dhe flitet se janë disa kompani të Sorosit që kanë gjetur gjuhën e përbashkët mes Athinës dhe Tiranës, zyrtare për t’i shfrytëzuar. Fitimet e tyre mund ta kthejnë Shqipërinë në vendin më të pasur në botë, por qenka e thënë që të fitojnë, sikurse thoshte Ali Asllani “maskarenjtë”, duke e lënë vendin tonë në varfëri të plotë, pensionistët në mëshirë të fatit, spitalet në mjerim, shkollat në analfabetizëm, bizneset në falimentim, çmimet e dritave më të lartat në Evropë, uji po ashtu, papunësia në maksimum, emigrimi po boshatis qytetet dhe fshatrat, blegtoria po jep shpirt, bujqësia e kapitulluar, korrupsioni, krimet, aksidentet po bëjnë kërdinë, asistenca sociale hiqet, e sikur të mos mjaftonin koncesionet masive, ndërhyhet deri tek ushqimi i fëmijëve të çerdheve dhe kopshteve.

Ndaj Ju, ish-Koloneli ynë i nderuar, nuk duhej t’i “shisnit” shqiptarët ashtu sikurse Berisha dje dhe Rama sot po shesin detin tek Greqia. Kur PS ishte në opozitë Ju morët pjesë dhe e mbrojtët procesin në Gjykatën Kushtetuese dhe në krah kishit edhe Saimir Tahirin, po si ka mundësi, dreqi e mori, që sa ishit në opozitë treguat vlera, kurse tani njëri u kap nga interesat partiake dhe tjetri u trullos nga kanabisi?! Pa dashur që të futemi në detaje të marrëveshjes, sepse nuk i dimë dhe kjo ka një arsye, e cila është mungesa e transparencës me publikun.

Ju atëherë deklaruat Kolonel se ajo që po bën Berisha është “Tradhti Kombëtare”, dhe kishit plotësisht të drejtë. Po kjo që po bën Rama, madje nën një kamuflim të paparë, a është “Tradhti Kombëtare”?!

Ju thoshit atëherë Kolonel Pashai, se pas marrëveshjes fshihen interesa të Korrupsionit ekonomik dhe financiar, po kjo e tanishmja ku ndryshon Kolonel?

Në një debat televiziv dhe gjatë intervistës së dhënë për gazetën “Telegraf”, më 17 Nëntor 2010 që korrespondoi me një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe më të lavdishme të LANÇ, dita e çlirimit të Tiranës ju theksuat: “Kërkuan të më mbyllin gojën”. Kjo është plotësisht e vërtetë Kolonel. Po sot, për çfarë arsyesh jua kanë mbyllur gojën Kolonel, apo e keni “vetëmbyllur” ? Cilado që të jetë e vërteta, ajo ka një arsye dhe këtë, më mirë se kushdo tjetër, e dini vetëm Ju. Ndaj thirrja jonë është, që Ju të mos dezertoni nga misioni Kolonel, sepse fituat një betejë por po humbisni Luftën! E nëse do të ndodhë një gjë e tillë, atëherë turpin tuaj nuk do të ketë ujë deti dhe oqeani që t’ua lajë, pavarësisht bindjeve dhe shërbestarëve tuaj.

Që nesër të mos zhgënjehemi e të themi “Na ishte një herë një kolonel që dezertoi dhe u mbyt në det” po ju sjell ndër mendje një fjalë të urtë, por shumë të mençur të At Gjergj Fishtës: “Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë!”/Gazeta Telegraf/