Deputeti milioner: Shkaku kryesor i mjerimit jemi ne! Vidhni më pak

Problemi i varfërisë është bërë temë diskutimi në seancën plenare të kësaj të enjteje. Deputeti demokrat, Agron Shehaj, i cili vjen nga biznesi, tregoi si ka arritur të dalë nga varfëria. Në foltoren e Kuvendit, ai e cilësoi veten të papërshtatshëm për të folur për varfërinë, për shkak se është biznesmen, por tha se ja ka dalë të jetë i tillë me shumë punë dhe në mënyrë të ndershme.

Shehaj ja atribuoi nivelin e lartë të varfërisë në vend direkt politikës, duke kthyer gishtin nga të gjithë politikanët, por edhe nga vetja, teksa tha se ‘Ne jemi shkaku kryesor i mjerimit të një pjese të madhe të popullsisë. Është e neveritshme të dëgjosh ministrat milionerë të bëjnë leksione për varfërinë’.

Më tej, Shehaj theksoi se politikanët janë të pangopur, pasi hyjnë në politikë me të ardhura mesatare dhe bëhen milionerë. Ndërsa tregoi strategjinë për nxjerrjen e Shqipërisë nga varfëria, teksa tha se është shumë e thjeshtë, mjafton që politikanët të mos vjedhin më, ose të vjedhin më pak.

“Dukem i papërshtatshëm për të folur varfërinë. Nuk kam lindur i pasur, por dola nga varfëria, me shumë punë dhe në mënyrë të ndershme. Ashtu si unë me mijëra të rinj falë punës së tyre ja dolën të përmirësonin ndjeshëm nivelit të jetesës. Varfëria është problem i madh dhe i vështirë të luftohet. Varfëria vjen për shkak të politikës.

Ne jemi shkaku kryesor i mjerimit të një pjese të madhe të popullsisë. Është e neveritshme të dëgjosh ministrat milionerë të bëjnë leksione për varfërinë. Sa më i lartë është korrupsioni, aq më të ulëta janë të ardhurat për frymë. Pra, është e qartë, ku mazhoranca vjedh, zhyt qytetarët në mjerim. Korrupsioni nuk është vetëm në arkat e shtetit, në dogana, tatime, por edhe me koncesione.

Politikanët janë të pangopur, hyjnë në politikë me të ardhura mesatare dhe bëhen milionerë. Nëse doni të nxirrni Shqipërinë nga varfëria nuk ka nevojë për strategji, thjesht mos vidhni, ose të paktën vidhni më pak. Jo të gjithë politikanët janë të korruptuar, ka njerëz të ndershëm mes nesh, edhe te mazhoranca. Por ata janë pak, nuk vendosin dot.

Është e qartë se kjo qeveri nuk ka njohur, eksperiencë të rrisë nivelin e jetesës së shqiptarëve. Me këto të ardhura, nuk do shkoni kurrë përtej makijazhit. Çdo premtim është një mashtrim. Të ardhurat e ulëta nuk janë problemi i vetëm i Shqipërisë, një pjesë e madhe e shqiptarëve jetojnë me të ardhura shumë të ulëta. Shumë fëmijë hanë vetëm një vaktë në ditë. Në shkollën e Kamzës gjysma e fëmijëve janë të uritur dhe nuk mbushin barkun me bukë”, deklaroi Agron Shehaj.