Grabitja e tokave në Spille, në pranga regjistrues, noterë dhe një biznesmen

Një hetim disa mujor nga Prokuroria e Kavajës, ka bërë të mundur identifikimin e disa shtetasve të tjerë të përfshirë në tjetërsimin e pronave në bregdetin e Spillesë në Kavajë.

Operacioni “Ranishtja2” ka prangosur edhe 10 persona, duke e çuar në total në 23 numrin e zyrtarëve, ish-zyrtarëve dhe personave të tjerë të përfshirë në skenën masive të tjetërsimit të tokave në bregdetin e Spillesë, midis të cilëve edhe kreu i Bashkisë së Rrogozhinës, Beqir Nuredini, i akuzuar për shpërdorim detyre, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë detyrim me paraqitje.

Gjykata ka pranuar caktimin e masës së sigurisë arrest me burg për shtetasit, Asim Arkaxhiu, Ish-Regjistrues i ZVRPP Kavajë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, Aldo Kila, Jurist pranë ZVRPP Kavajë, i akuzuar për shpërdorim detyre.

Idlir Karkini, biznesmen, i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale” me pasoja të rënda,

Julian Zhelegu, Noter Dhoma e Noterisë, Tiranë, për  falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim e detyre, ndaj të cilit është caktuar masa e arrestit shtëpiak, Arbër Aliu, Noter, Dhoma e Noterisë, Durrës, për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

Gjithashtu, janë arrestuar edhe Shpendi Dema, Jurist Bashkia Rrogozhinë për Falsifikim të dokumenteve dhe  Shpërdorimi i detyrës, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurisë “Arrest në burg”.

Arben Daja, sekretar i protokollit Bashkia Rrogozhinë për Falsifikim të dokumenteve dhe  Shpërdorimi i detyrës, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurisë “Arrest në burg”.

Artur Tosku, Kryenspektor Specialist të IMTV Bashkia Rrogozhinë, i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit e “Arrest në burg”.

Arben Kaja, Specialist të IMTV Bashkia Rrogozhinë i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, ndaj të cilit është caktuar masa e “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Policia sqaron se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar në mënyre fiktive komisione për ndarjen e tokës gjatë periudhës 2015-2017 dhe kanë realizuar tjetërsimin dhe ndarjen në mënyrë të jashtëligjshme të pasurisë shtetërore, e cila ishte tokë shtetërore pa fryt në vijën bregdetare, duke e tjetërsuar në tokë arë, duke e ndarë në interes të tyre dhe personave të tretë.

Skema e tjetërsimit të pronave:

Në fazën e dytë të hetimit, ku më herët janë arrestuar disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë, prokuroria ka çuar në procedim edhe disa  persona të tjerë, duke e çuar në total numrin e personave të përfshirë në këtë aferë në 23 persona.

Deri tani në këtë hetim të vazhduar janë përfshirë gjithsej në të dy fazat 23 persona, për tjetërsimin e pronave nëpërmjet krijimit të një mekanizmi të njëjtë, duke administruar AMTP të një periudhe mbi 15 vjet, në kundërshtim me ligjin, më pas duke proceduar me konfirmimet nga zyrat e Këshillit të Qarkut Tiranë, duke fshehur dhe zëvendësuar konfirmimet e qarkut me konfirmime që parashtrojnë rrethana të rreme, nëpërmjet falsifikimit të statusit të parcelave apo pasurive të veçanta, duke i bërë pjesë e praktikës (dosjes) të aplikuesve kanë arritur t’i regjistrojnë si pasuri personave të ndryshëm.

Në vijim të hetimeve ka rezultuar se këto pasuri janë regjistruar e më pas janë tjetërsuar nga persona të tjerë, nëpërmjet shitblerjeve në një periudhë tepër të shpejtë, në kundërshtim të hapur me ligjin.  Me pas identifikohej blerësi dhe pas këtyre veprimeve bëhej regjistrimi i menjëhershëm në Hipotekë, si dhe akti i shitblerjes së pasurisë. Këto akte, në shumicën e rasteve, bëheshin pa u vënë në dijeni  banorët në emrat e të cilëve përpiloheshin dokumentat e pronësisë.

Gjithashtu janë kryer hetime dhe në lidhje me ndërtimet e 27 (njëzet e shtatë) lokaleve përgjatë vijës bregdetare, ku vetëm 4 (katër) persona (investitorë) rezultojnë të jenë banor të zonës, ndërsa të gjithë personat e tjerë janë qytetar të rretheve të tjera.

Ndërtimet e këtyre lokaleve rezultojnë vetëm mbi bazën e një aplikimi në Bashkinë Rrogozhinë, duke paraqitur vetëm një plan vendosje, kjo sipas preferencave të investitorëve, pa patur asnjë plan zhvillimor të Bashkisë Rrogozhinë.

Së bashku me procedimin penal N.92 viti 2017 është vendosur bashkimi edhe i procedimit penal Nr.201 viti 2017. Nga ky procedim penal ka rezultuar se:

Nga ana e Komandës së Forcës Ajrore dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Rrogozhinë është bërë kallëzim penal. Në pronën Poligoni i Qitjes Rreth-Greth me numër pasurie 368 është konstatuar prerje pyjesh dhe pastrim i barishteve nga një grup punëtorësh. Këta punëtor janë sjellë nga shtetasi Idlir Karkini, i cili ka certifikatë pronësie për këtë sipërfaqe toke në pyllin dhe rërën buzë detit. Në kallëzim pretendohet se kjo tokë është pronë shtetërore në pronësi të aviacionit shqiptar.

Ministria e Mbrojtjes ka aplikuar 3 herë për regjistrimin e pronës së saj nga viti 2005-2007 dhe nuk i është regjistruar kjo pronë, ndërsa në vitin 2016 kjo pronë regjistrohet në favor të Idlir Karkinit.

Nga Këshilli qarkut Tiranë jemi informuar se shkresa Nr.2147 dt.28.12.2015 e Këshillit të Qarkut Tiranë drejtuar ZVRPP Kavajë, që ka shërbyer për ndryshimin e zërit kadastral nuk është përgatitur nga Institucioni i tyre dhe nuk është dërguar në ZVRPP Kavajë. Ndërsa shkresa Nr.5836 dt.18.11.2015 e ZVRPP Kavajë nuk është dërguar fare në Këshillin Qarkut Tiranë as dorazi dhe as me postë”.

/Ora News