Restaurohet ikona “Mbledhja e Kryeengjëjve”, e autorit Gjergj Johan Çetiri

Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit në qytetin e Beratit vijon punën për nxjerrjen në dritë të thesareve të lëna në harresë.

Në këtë laborator ka përfunduar ditët e fundit edhe restaurimi i ikonës “Mbledhja e Kryeengjëjve”, me autor Gjergj Johan Çetirin.

Pas një pune intensive dhe të përditshme disa mujore, duart e arta të restauruesit Milto Bibo sollën në dritë një tjetër vepër nga fondi i ateliesë.

Specialisti Milto Bibo ka ndërhyrë në konservimin dhe restaurimin e ikonës, konkretisht në konsolidimin e grundit, fiksimin me shumë kujdes të pelikulit të ngjyrës dhe pastrimin e sipërfaqes së pikturës, duke mos rrezikuar dëmtimin e ngjyrave dhe humbjen e vlerave origjinale të ikonës, shkruan atsh.

Kjo ikonë me nr kartele 81, me përmasa 97.5 x 70 cm, është marrë nga Kisha e Shën Thanasit, Karavasta, Lushnje.

Para pak ditësh përfundoi nga duart e specialistit Altin Tabaku edhe restaurimi i ikonës me të njejtin emër “Mbledhja e Kryeengjëve”, e Kostandin Zografit.

Sipas DRKK-së, Berat, puna do të vazhdojë me zbulimin e veprave të tjera nga fondi i ateliesë, ku specialistët e artit janë duke përgatitur projektet e reja restauruese.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore.