Kur Shqipëria dhe Kosova grinden në facebook!

Nga Alfred Peza

Më kapi një nënqeshje e lehtë, teksa po lexoja reagimin e Ramush Haradinajt në facebook, ndaj një deklarate të Edi Ramës gjatë një interviste për një media televizive në Prishtinë. Nëse dikush që nuk e njeh nga afër politikën e Tiranës dhe Prishtinës, steriotipin e sjelljes së liderëve të dy anëve shqiptare të kufirit me njëri- tjetrin, artin e komunikimit të tyre publik dhe lidhjen mes asaj që thuhet jashtë për konsum të brendshëm për shkak të halleve të politikës së ditës, në raport me marëdhëniet e tyre reale me njëri- tjetrin, do të shqetësohej realisht. Madje, nuk është çudi, që nga pikëpamja formale, ta regjistronte këtë si aktin e shpalljes së një lufte reale mes dy shteteve ballkanike.

Por çfarë ka ndodhur?

Sipas raportimeve të medias, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka “goditur” homologun nga Shqipëria Edi Rama. Ky i fundit kishte thënë se ishte Haradinaj ai i cili shpiku çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. “Urime pavarësia e Kosovës të gjithë shqiptarëve. Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”,- ka qenë reagimi i menjëhershëm i Haradinajt në “Facebook”, më shumë me instiktin e një komandanti lufte, sesa me delikatesën e një shefi qeverie.

Rama citohet të ketë thënë gjatë intervistës se “kam preferuar gjithmonë që debatet me miqtë e mirë këtu në Prishtinë t’i bëj në mënyrë diskrete, sy më sy, por çështja e demarkacionit u kthye dhe është sot e gjithë ditën në një gur që rëndon mbi qafën e Kosovës dhe që ka krijuar një pështjellim jo të vogël, në mes atyre që janë fuqia që lindi shtetin e Kosovës, partnerët strategjikë ndërkombëtarë të shqiptarëve”.

Këto deklarata janë bërë pikërisht në ditën që më shumë se kurdoherë, pritej që të konsiderohej e zgjidhur çështja e vijës zyrtare të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kishte prezantuar gjatë ditës një aneks-marrëveshje me Malin e Zi, sipas të cilës pritet që të ratifikohet demarkacioni. Për të mos patur asnjë vonesë në lidhje me këtë vendim, që ka bllokuar prej disa kohësh vijimin e procesit integrues të Kosovës, të dielën do të mbahet një séance e jashtëzakonshme e Parlamentit për ta votuar atë.

Për qytetarët e Kosovës zgjidhja e kësaj çështje, është e lidhur më së shumti me çështjen e liberalizimit të vizave, si një kusht i Brukselit për avancimin e shpejtë të këtij procesi. Eshtë e kotë të thuash se për një qytetar, vlera dhe pasha e shtetit të vet, matet shumë thjeshtë. Mjafton të kuptojë fuqinë ose pafuqinë që ka pasaporta që mban në xhep, në raport me dëshirën, nevojat dhe të drejtën universal të lirisë së lëvizjes. Pasaporta e Kosovës, edhe për shkak të rrethanave historike dhe procesit të njohjes dhe pranimit ndërkombëtar, është ndër ato dokumenta identifikimi, që u shërbejnë më pak mbajtësve të vet.

Përtej kësaj, “keqkuptimi” në këtë rast me siguri ka ndodhur për shkak të natyrës shumë të hapur dhe direkte që Edi Rama ka gjatë komunikimit qoftë me publikun brenda por edhe jashtë vendit. Mos harrojmë tonet kritike ndaj BE qoftë në Tiranë e në Bruksel, në lidhje me qasjen që ka unioni me procesin e zgjerimit. Apo “provokacjet” e tij gjatë vizitës së parë në Beograd, e kështu me radhë.

Nga ana tjetër, për të mirëkuptuar reagimin e Haradinajt, duhet të dijmë jo vetëm qasjen e tij emotive publike, por edhe sfidat e brendshme dhe të jashtme politike me të cilat po përballet si Kryeminitsër. Çështja e demarkacionit me Malin e Zi, e Gjykatës Speciale, vrasja e Oliver Ivanoviçit në Mitrovicën e Veriut dhe qëndrimi në pritje për rifillimin e dialogut teknik me Beogradin, mosavancimi sa e si duhet në procesin e integrimit, “stopimi” i injohjeve të reja, pa llogaritur problemet brenda koalicionit qeveritar, janë jo pak për një njeri që dikur hyri me armë në dorë në Prishtinë si çlirimtar dhe sot mban mbi supe përgjegjësinë e shefit të qeverisë, në 10 vjetorin e parë të jetës së shtetit të ri shqiptar në Ballkan.

E si të mos i mjaftonin të gjitha këto, mu në mes të Prishtinës, të vjen edhe kryeministri i shtetit amë dhe ta thotë publikisht atë që nuk thuhet ndonjëherë si rregull i pashkruar, as edhe përballë. Ndaj, edhe duke mos përjashtuar ndonjë “spicë” të nisur në formë “këshille”.., ka shpërthyer. Ka shpërthyer në mënyrën më të papritur, sipas parimit të reciprocitetit që zakonisht përdoret mes vendeve “jo mike”. Flakë për flake dhe po publikisht. Me një gjuhë të drunjtë, të troçtë, pa stërhollime e deri në vrazhdësi.

Nëse ajo që shkruan Ramushi do ishte thënë për Ramën nga Tsipras, Erdogan, Zaev, Vuçiç… atëherë në Tiranë do të kishte rënë tërmet. Por e thënë nga Kryeministri i Kosovës, për atë të Shqipërisë dhe në rrjetet sociale, e gjitha bën sensin e kundërt. Në vend të dozave të luftës, situata mer gati gati doza humori. E ndërsa po mbyllja kështu këto radhë, veç kur shoh një foto që sapo doli në facebook-un e Kryeministrit të Shqipërisë. Ku shfaqen Rama me një gotë në dorë dhe Ramushi i veshur sport, që e ka nxjerrë kokën si vëllai i vogël çamarrok, kur kërkon të ta bëjë komplet informale pozën.

Si për ti vënë diçiturën të gjithës, Rama shkruante sipër fotos: Përplasje gotash në shtëpinë e Haradinajve. Gëzuar festën e Pavarësisë!/Alpenews.al