Përplasja Llalla-Lu si mund të përfundojë?

Tashmë është publike përplasja mes ish-prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu. Kur ishte në detyrë Adriatik Llalla tha në një emision televiziv, fill pas refuzimit të vizave të tij dhe familjes nga ambasada amerikane, se kjo është hakmarrje personale e ambasadorit, pas refuzimit që i ka bërë për të mbyllur hetimet penale ndaj një kompanie amerikane në Fier, e cila merrej me naftën.

Raportet mes Lu dhe Llallës nuk kanë njohur ditë të mira, pas këtij prononcimi të Llallës. Ambasadori ka thënë i lumtur ditën kur Llalla iku nga kryeprokuror se tashmë drejtësia u pastrua nga një i korruptuar. Nuk e ka thënë direkt me emër, por nga teksti dhe koha kur doli sqarimi i ambasadës amerikane në Tiranë, ishte i qartë për këdo se nënkuptonte Adriatik Llallën.

Në dy-tre raste pas largimit të Llallës dhe ardhjes në krye të Prokurorisë të Arta Markut, ambasadori ka sulmuar ish-kryeprokurorin. Deri këtu nuk kishte ndonjë ngjarje për t’u shënuar deri në momentin kur Departamenti Amerikan i Shtetit firmosur nga sekretari Rex Tillerson nxori një njoftim ku shpjegonte se i ishte ndaluar hyrja në SHBA, Adriatik Llallës dhe familjes së tij. Rasti i zotit Llalla ishte i pari i një zyrtari të lartë shqiptar ndaj të cilit Shtetet e Bashkuara marrin sanksione të tilla. Javën e shkuar ish kryeprokurori u tërhoq nga e drejta për të qenë gjykatës në Apel duke preferuar të mbetet jashtë sistemit të Drejtësisë. Një vendim i cili solli sot dhe ndërprerjen e procesit të rivlerësimit të nisur ndaj tij. Por prapë ambasadori Lu insiston se duhet të hetohet dhe kalojë në Vetting.

Sqarimi i DASH për median TCH ishte se “Seksioni 7031 pika C përfshin një dispozitë që kërkon që Departamenti i Shtetit ta përcaktojë publikisht apo privatisht individin si subjekt të ligjit. Kjo e drejtë është në fuqi që prej vitit 2008 dhe ky është rasti i parë i përcaktimit publik të një individi të klasifikuar sipas seksionit 7031 pika C”.

Pra e ka fjalën se kjo u zbatua vetëm për ish-zyrtarin e lartë shqiptar.

Adriatik Llalla është i pari person që prej vitit 2008 të cilit ndalimi për të hyrë në Shtetet e Bashkuara i bëhet në mënyrë publike. Që prej vitit 2008 mund të ketë pasur plot individë të cilëve mund t’u jetë ndaluar hyrja në territorin amerikan pas informacioneve për korrupsion apo shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Por askush që prej asaj periudhe nuk është përcaktuar publikisht si subjekt i ligjit prej sekretarit të shtetit siç ndodhi me zotin Llalla. Ky ndalim iu komunikua publikisht edhe familjarëve në moshë madhore, bashkëshortes Ardjana Llalla, vajzës Eni Llalla dhe fëmijës tjetër të zotit Llalla. Sigurisht, edhe personat e tjerë të familjes përjashtohen nga e drejta për të hyrë në territorin amerikan për shkak të lidhjes së tyre me ish-Prokurorin e Përgjithshëm.

Pra, për herë të parë që nga viti 2008 ndodh që DASH bën publik emrin e Adriatik Llallës. Ndërkohë sot Adriatik Llalla ka dhënë një prononcim për gazetën amerikane Wall Street Journal, ku ndër të tjera thekson se “Jam i sigurtë se vendimi është marrë bazuar në keqinformimin e dhënë për personin tim nga ambasadori Donald Lu për Departamentin e Shtetit” tha ai për Wall Street Journal. Bile Llalla shton se ““Ai më ka ofenduar mua dhe familjen time dhe të gjithë trupën gjyqësore dhe të prokurorëve, duke na trajtuar i kriminelë, duke na denigruar publikisht dhe personalisht” . Por një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha të premten se departamenti “ka informacione të besueshme që Z. Llalla është i përfshirë në korrupsion gjatë mandatit të tij”. Pas këtij reagimi, departamenti nuk bëri komente të tjera, shkruan TCH. Në të njëjtën ditë që Llalla foli për gazetën amerikane Wall Street Journal, mënjëherë “Zëri i Amerikës” kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme një qëndrim “nëse do të ndërmerret apo jo ndonjë veprim ndaj ish Kryeprokurorit Adriatik Llalla, pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për t’i ndaluar atij hyrjen në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në raste të mëdha korrupsioni”.

Nga ana e saj prokuroria u tregua e kujdeshme për ish-kreun e saj. “Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë i jep përparësi integritetit moral dhe profesional të zyrtarëve. Populli shqiptar pret dhe meriton që zyrtarët të punojnë me ndershmëri dhe integritet në të mirë të interesit publik”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Përgjithshme ndërsa shton se ky institucion “u jep mbështetjen e plotë të gjithë prokurorve që punojnë me përkushtim, dinjitet dhe integritet” dhe se “gjithashtu mbështet qëndrimin për ndëshkimin e cilitdo që cënon parimet e Shtetit të së Drejtës”.

Pra Prokuroria ndonëse nuk foli se ka shkelje, prapë e la një derë hapur në varësi të presionit amerikan në Tiranë.

Tani lindin disa pyetje, të cilat publiku ka nevojë t’i dijë. A është Adriatik Llalla rasti më problematik për SHBA që nga viti 2008 dhe nëse “po” atëhere pse nuk arrestohet nga prokuroria e Shqipërisë? Derisa e ndalojnë dhe e nxjerrin hapur si person të rrezikshëm për Amerikën pse prokuroria shqiptare nuk iu përgjigj “Zëri Amerikës” se ka hetime për Llallën siç akuzohet nga ambasadori Lu. Prokuroria shqiptare duhet të jetë më e sinqertë me publikun;a ka dosje korruptive për ish-kryeprokurorin apo kjo bëhet për ti bërë qejfin ambasadorit Lu, i cili e ka si hakmarrje dhe ka “keqinformuar DASH”, siç mbrohet Llalla te gazeta amerikane.

Kjo përplasje ka dy zgjidhje: Ose ka fakte dhe fillojnë hetimet për ish-kryeprokurorin nga kryeprokururorja Arta Marku dhe arrestohet Llalla ose ambasadori Lu duhet të largohet se ka shkelur cakun diplomatik dhe është treguar hakmarrës për llogaritë e vjetra të kohës së Bankers.

Ose ka edhe një tjetër analizë, e cila duket si një ekuacion me shumë të panjohura. Që Amerika, natyrisht me agjensitë e saja të investigimit në Tiranë ka dosje dhe informacione ndaj VIP-ve politikë, ndaj u tund kokën e prerë të Adriatik Llallës dhe u thotë politikanëve me peshë në Shqipëri se “mund të pësoni fatin e ish-kryeprokurorit”.

Nëse është kështu atëhere ka diçka me shumë se insistimi i ambasadorit Lu.

Ed Vunoi

Ja artikulli i gazetës amerikane:

Në një përgjigje për Wall Street Jornal, Llalla shprehet se ky vendim është marrë pas keq informimit që DASH-it i është bërë nga ambasadori Lu:

Departamenti Amerikan i Shtetit i ndaloi ish-prokurorit të përgjithshëm shqiptar hyrjen në SHBA, duke pretenduar se është i përfshirë në korrupsion.

Adriatik Llalla, gruaja e tij dhe dy fëmijët u bllokuan të hyjnë në SHBA sipas një ligji të vitit 2017 që autorizon Departamentin e Shtetit të vendosë ndalime për viza ndaj zyrtarëve qeveritarë që janë gjetur si “të përfshirë në korrupsion të rëndësishëm ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.

Ligji autorizon ndalimin e anëtarëve të familjeve të këtyre zyrtarëve.

Z. Llalla shërbeu si prokuror i përgjithshëm i Shqipërisë nga dhjetori 2012 deri në dhjetor 2017.

Ai mohoi çdo akuzë për korrupsion duke iu përgjigjur pyetjeve me shkrim, ai tha se kurrë nuk ishte vënë nën hetim nga autoritetet shqiptare.

Ndalimi i shkeljes në SHBA ndaj tij dhe familjes së tij është produkt i një grindjeje me ambasadorin Donald Lu, tha ai.

“Unë jam i sigurt se ky është një vendim i marrë pas keqinformimin mbi personin tim nga Ambasadori Lu në Departamentin e Shtetit”, tha ai.

Njoftimi i SHBA u bë i njohur përmes një deklaratë të shkurtër postuar të mërkurën në mbrëmje, njoftimi nuk specifikonte aktet e korrupsionit për të cilat ai akuzohet.

Një zëdhënëse e DASH-it tha të Premten përmes një emaili se departamenti “ka informacion të besueshëm se z. Llalla është i përfshirë në raste të dukshme korrupsioni gjatë ushtrimit të detyrës së tij” në këtë pozicion. Ajo refuzoi komente të mëtejshme.

Zotërinjtë Llalla dhe Lu janë përballur për çështjen e reformës në drejtësi, një nga problemet e rëndësishme në përpjekjet e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së.

Reforma u miratua në vitin 2016, por zbatimi i saj ka qenë i vështirë, me tymuese të hedhura në Parlament pas votimit për zëvendësuesin e përkohshëm të z. Llalla.

Zoti Lu akuzoi zotin Llalla në fillim të 2017 se ishte shprehur kundër reformës dhe z. Llalla i quajti komentet një përpjekje për të manipuluar opinionin publik.

Konflikti u përshkallëzua. Në atë kohë ambasada amerikane revokoi vizat e udhëtimit të disa gjyqtareve dhe prokurorëve shqiptare pa publikuar emrat e tyre, duke bërë të ditur “abuzimin flagrant të vizës zyrtare” nga ana e një prokurori të lartë dhe bashkëshortes së tij.

z. Llalla tha se vizat e tij dhe të bashkëshortes ju revokuan vitin e shkuar për arsye së bashkëshortja udhëtoi në SHBA me një pasaportë diplomatike për shkak të problemeve shëndetësore.

Gjatë periudhës së udhëtimit ajo ishte shtatzënë dhe lindi në SHBA.

Llalla tha se pas kësaj iu bë e njohur nga z. Lu se zyrtarët nuk mund të përdorin viza diplomatike për vizita private.

Z. Llalla tha se nuk e di çfarë provash për korrupsion ka për të SHBA, por ai bën fajtor zotin Lu për këtë çështje, duke u shprehur se z. Lu “ka keqinformuar dhe keqinformon me qëllim”.

“Ai më ka fyer mua, familjen time dhe gjithë trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke na trajtuar si kriminelë, duke na denigruar publikisht dhe personalisht”, tha zoti Llalla