Kreshma e Pashkës fillon të hënën më 19 shkurt 2018, ja rregullat që duhen ndjekur

Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare ka njoftuar sot se Kreshma e Madhe fillon të hënën, dt. 19 shkurt dhe zgjat deri në kremtimin e Pashkës, dt. 8 prill.

Kreshma e Pashkës së Madhe është një kreshmë e veçantë me karakter të thellë pendimi, si periudhë përgatitore për kremtimin e Pashkës.

Kreshma e Madhe fillon gradualisht. Duke filluar nga nesër dt.12 shkurt heqim mishin dhe produktet e tij nga përdorimi, pra nuk hamë mish deri ditën e Pashkës. Këtë javë nga dt.12 – 18 shkurt përdorim prodhimet bulmetore dhe peshkun. Dhe nuk hamë më nga dt.19 shkurt deri për Pashkë.

Çfarë hamë dhe nuk hamë:

Nuk lejohen përdorimi i mishit dhe i produkteve të tij, as i peshkut, bulmetit, vezës, por hahen perimet, zarzavatet, frutat, frutat e detit, gatime e produkte brumërash, vera dhe vaji (përdorimi apo privimi i vajit e verës varet nga udhëzimet e atit shpirtëror).

E Hëna, e Marta, e Mërkura e javës së parë të fillimit të kësaj kreshme, quhen të bardhë sepse nuk hahet dhe nuk pihet. Ky privim i fortë bëhet edhe të Premten e Madhe (të premten e Javës së Madhe para Pashkës). Për këtë lloj privimi në këto ditë nevojitet biseda paraprake me atin shpirtëror (priftit ku rrëfehemi), duke ditur larminë e madhe të mundësive, kushteve, vështirësive e faktorëve ndryshëm të besimtarëve dhe jetës së tyre.

Të Shtunave dhe të Dielave gjatë Kreshmës së Madhe, me përjashtim të së Shtunës së Madhe (që është kreshmë e fortë) mund të përdorim vaj dhe verë (edhe për këtë veprojmë sipas udhëzimeve të atit tonë shpirtëror).

Lejohet te hahet peshk vetëm në festën e Ungjillëzimit, në dt. 25 Mars dhe të Dielën e Palmave (Dafinave) që këtë vit bie dt. 1 Prill.

Shënim i rëndësishëm:

Kalendari ynë kishtar është hartuar në mënyrë të tillë që të na drejtojë me zell në rrugën e duhur në jetën tonë shpirtërore. Në të ka shumë ditë kreshmimi të cilat na përgatisin për ditët e festave.

 

Gjithashtu është e këshillueshme që çdo i krishterë orthodhoks të këshillohet me atin shpirtëror (priftit ku rrëfehemi) përsa i përket nevojave personale për të kreshmuar.

Ka mënyra të ndryshme kreshmimi që varen nga udhëzimi i atit shpirtëror.

Gjatë gjithë kreshmës Kisha rekomandon pakësimin e sasisë së ushqimit që konsumoni çdo vakt dhe të mos hahet ndërmjet vakteve.

Kreshmoni (mos hani) për disa ushqime dhe pije që ju pëlqejnë më shumë (ëmbëlsira, alkool) dhe për disa zakone apo varësi (të pirit duhan, televizori, radio, facebook etj).

Bisedoni me atin shpirtëror dhe merrni bekimin e tij për arsye shëndetësore, për gratë shtatëzëna dhe për raste të tjera të veçanta.

Pse kreshmojmë:

* Kreshma na bën të vetëdijshëm për varësinë tonë tek Perëndia.

* Kreshma na ndihmon të krijojmë disiplinë personale.

* Kreshma shërben si një periudhë ndriçimi, veçanërisht për të na përgatitur për kremtimin shpirtëror dhe misionin e krishterë.

* Kreshma është periudhë që zbulojmë nevojat tona të vërteta.

* Kreshma është shenjë vuajtjeje dhe pendimi.

Si të kreshmojmë:

* Mbani kreshmë shenjtëruese.

* Kaloni më shumë kohë me Perëndinë gjatë Kreshmës.

* Kombinoni bamirësinë me kreshmën.

* Ruani një shpirt përulësie, pendimi dhe faljeje.

* Kreshmoni në fshehtësi.

*Kreshmoni me gëzim.

Kreshma dhe familja

– Diskutoni me familjen përpara se të fillojë Kreshma, për rëndësinë e të kreshmuarit, sesi do të kreshmojë familja juaj dhe për çfarë feste të madhe po përgatiteni.

– Gjatë periudhës së kreshmës të heqim dorë nga diçka e veçantë për ne.

– Të reduktojmë pak sasinë e ushqimit që hamë.

– Nga paratë e kursyera nga kreshma të bëjmë diçka për njerëzit në nevojë.

– Rriteni aktivitetin tuaj shpirtëror (lutuni në komunitet dhe personalisht vetëm për vetëm me Zotin, lexoni çdo ditë Biblën, lexoni jetë shenjtorësh dhe shkrime të tjera të shenjta të Kishës).

– Mos e kufizoni përfitimin nga kreshma thjesht duke hequr dorë nga ushqimi, sepse kreshmë e vërtetë do të thotë të shkëputesh nga e keqja.

– Prishni çdo lidhje të padrejtë, hidhni tutje çdo pakënaqësi ndaj të afërmit tuaj, faleni për ofendimet e tij ndaj jush.

– Mos u grindni.

– Kujdes! Ju nuk hani mish, por mërzitni me grindje të tjerët; nuk pini verë, por vazhdoni të fyeni të tjerët. Nëse jetoni kështu, përpjekja e kreshmës nuk ka dobi.