Kryeministri turk: Greqia të jetë e kujdesshme, pasi…

 

Kryeministri turk  Binali Yldrim ka kërkuar nga autoritetet e Greqisë që të qëndrojnë larg shkaktimit të tensioneve, raporton Anadolu Agency.

Yldrim, para vizitës zyrtare në Bjellorusi, u tha gazetarëve se dje në bisedën telefonike me homologun grek, Alexis Tsipras, theksoi se Deti Egje duhet të jetë det i miqësisë dhe duhet të shfrytëzohet në mënyrë efektive për të mirën e popullit turk dhe atij grek.

“Kohët e fundit pati disa shkelje rregullash, ndërsa gjithçka filloi me shkeljen e territorit turk te ishulli Kardak, ku Turqia në mënyrë adekuate është përgjigjur”, tha Yldrim.

Roja bregdetare turke kohët e fundit parandaloi një anije të delegacionit të ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kammenos, që të lundrojë në disa ishuj turq në Detin Egje.

Agjencia greke e lajmeve AMNA bëri të ditur se dje në mbrëmje një patrullë turke ka bllokuar lëvizjen e patrullës greke në afërsi të ishullit Kardak.

Turqia dhe Greqia në vitin 1996 ishin në prag të shpërthimit të luftës për shkak të mospajtimeve mbi ishujt e pabanuar në Detin Egje, ndërsa këto tensione janë të pranishme edhe javët e fundit.

“Tensionet ose rreziku i shpërthimit të konfliktit nuk mund të shkaktohet vetëm nga njëra anë. Nëse ka shkelje, ka shkelje edhe nga ana tjetër. Prandaj evitimi i tensioneve nuk mund të jetë obligim vetëm i Turqisë, por edhe pala greke duhet të jetë e kujdesshme dhe të respektojë normat”, tha Yldrim, duke shtuar se me Tsipras-in është dakorduar vazhdimi i dialogut mes dy vendeve.

Duke folur për helikopterin turk të rrëzuar të shtunën gjatë Operacionit “Dega e Ullirit”, kryeministri turk deklaroi se ende nuk ka dëshmi, as njohuri që helikopteri të jetë rrëzuar nga veprimi i armikut.

“Megjithatë, nuk përjashtojmë asnjë mundësi dhe është formuar komision për hetim mbi fatkeqësinë. Komisioni është nën kujdesin e forcave të armatosura dhe ky proces edhe më tej zgjat”, tha Yldrim.