Xhaka për UEFA-n: E kam nisur si mbledhës topash, vëllai më ka këshilluar për duelin me Sitin

Dikur Taulanti dhe Graniti mbanin veshur së bashku fanellën Bazeli. Tashmë gjërat kanë ndryshuar, me Granitin që luan për Arsenalin në Premier Ligë, ndërsa vëllai i tij një vit më i madh i ka qëndruar besnik klubit të fëmijërisë.

“Së bashku me vëllanë tim kam luajtur që prej skuadrave të moshës U-12 deri në U-21. Pastaj erdhi thirrja në skuadrën e parë gjithashtu me të, e cila ishte një ëndërr e bërë realitet për mua dhe jam shumë krenar”, thotë mesfushori kuqezi në një intervistë për UEFA.com.

Të dy vëllezërit e kanë përshkuar së bashku të gjithë rrugëtimin e karrierës, gjë që është pa dyshim një avantazh i madh, sepse ata nuk janë ndier kurrë vetëm.

“E kemi këshilluar gjithnjë njëritjetrin dhe nëse diçka nuk shkonte, ai ma thoshte direkt dhe anasjelltas. Mendoj se kjo na ka lidhur shumë”. Por, hapi i fundit duhet bërë gjithnjë vetë. Dhe Taulantit i kujtohet ende momenti kur ai mësoi për herë të parë se do të firmoste kontratën e parë si profesionist: “Isha shumë i emocionuar. Kishte një telefonatë dhe, më pas, babai më tha se tani do të firmosësh një kontratë profesionisti. Nuk e besova fillimisht”.

Por, për të shpërthyer në skuadrën e parë, iu desh pak kohë. Taulantit iu desh fillimisht të huazohej te Grasshopersi. Por ai e fitoi eksperiencën dhe u shndërrua në një titullar pas rikthimit në “St. Jakob-Park”. “Unë e nisa si një mbledhës topash, eca hap pas hapi dhe tani mund të luaj vetë në këtë stadium”, tregon me krenari.

Sot Bazeli i tij do të përballet me Mançester Sitin (skuadra më e shtrenjtë e futbollit në botë, 878 milionë euro) në sfidën e parë të 1/8- ave të Champions-it. “Mendoj se Mançester Siti është aktualisht skuadra më e mirë në botë. Janë kompaktë, të shpejtë në sulm dhe çdo lojtar i tyre mund ta vendosë i vetëm ndeshjen, si për shembull De Brujne apo Aguero. Kështu që nuk mund t’u lejojmë shumë hapësira. Duhet të jemi me të vërtetë kompaktë dhe të përpiqemi t’i ngacmojmë”. Por, pavarësisht superioritetit të skuadrës së Pep Guardiolës, Xhaka ka ende një “as” nën mëngë, të cilin ai do të përpiqet ta luajë sonte. “Kam folur me Granitin. Ai ka luajtur kundër tyre në Premier Ligë dhe më informoi se do të jetë tepër e vështirë, pasi ata lëvizin shumë”. Dhe, ashtu si në kohët e dikurshme, vëllai e ka një këshillë për të vëllanë: “Më tha se duhet të besoj dhe të luaj fort, sepse në futboll nuk i dihet kurrë”.