Qeveria u hedh lekët, dorëzohen pedagogët

Nga Edi Vunoi dhe Spiten Prulli.

Të premten dhe të shtunën pedagogët ishin në prag të një revolte kundër qeverisë. Pagat e muajit janar ishin vonuar 10 ditë. Ministria e Arsimit deklaronte se nuk kishte fonde për shkak të një vendimi të Këshillit të Ministrave që nuk ishte miratuar ende. Një peticion i pedagogëve, i bënte ultimatum Edi Ramës dhe ministres, Lindita Nikolla me një listë të gjatë kërkesash. Mes të tjerash kërkonin rishikimin e ligjit të ri për arsimin, më shumë autonomi për universitetet, largimin e anëtarëve të bordeve në universitet që caktohen nga qeveria dhe mos fuqizimin e universiteteve private në kurriz të shtetërorit. Në parim ishin kërkesa të drejta që mund të vendosnin qeverinë në situatë të vështirë.

Opinioni publik u ndez dhe në shumicën dërmuese ishte pro kërkesave të drejta të pedagogëve.

Të hënën, dje, ishte planifikuar një përballje e fortë mes intelektualëve në universitete dhe përfaqësuesve të qeverisë. Studentët u lajmëruan nga pedagogët që të bëheshin gati dhe për bojkotim të mësimit e protesta. Rreth 6 mijë punonjës të universiteteve shtetërore dhe dhjetëra mijëra studentë, në rrjete sociale u karikuan për një protestë kundër asaj që e quajnë papërgjegjshmëri të qeverisë dhe kaos në universitete. Mediat u dhanë të drejtë dhe i mbështetën në kërkesat e tyre si rrallë herë më parë, aq më tepër duke ditur se shumica e mediave janë në influencën e qeverisë. Shoqëria civile u rreshtua në krah të pedagogëve me shpresën se, më në fund, dikush nga akademikët u ngrit pa urdhër partiak për të kërkuar llogari ndaj qeverisë. Ishte nga ato reagimet e munguara prej vitesh në shoqërinë shqiptare. Publiku dhe studentët prisnin një përballje mes palëve, natyrisht me debat e logjikë, por edhe me protesta nëse logjika e qeverisë nuk punon në rregull.

Por, mëngjesin e djeshëm, në orën 10:00 Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla njoftoi se pagat e pedagogëve do të kalonin me urgjencë në llogaritë e tyre personale. Në orën 10:30, në telefonat e profesorëve dhe akademikëve mbërriti SMS-ja e bankës: “I nderuar klient! Paga u kreditua në llogarinë tuaj. Ju mund ta tërhiqni atë në çdo ATM”.

Kaq mjaftoi dhe protesta e intelektualëve mori fund. Kaq pak integritet!

Me deklaratën e ministres dhe mesazhin e bankës, pedagogët u zhdukën nga ekranet e mediave dhe nuk ankohen më për sistemin e degraduar arsimor. Në rrjetet sociale, veç disa pedagogëve që bënin ironi, nuk pati më as thirrje e as ankesa për qeverinë. Gjithë pakënaqësia e 12 ditëve të fundit, u zhduk. Në takimin e thirrur për negociata me qeverinë ishin vetëm Mark Maku, Artan Fuga dhe disa pedagogë të tjerë që kanë folur gjithmonë për problemet e arsimit. Sërish, këta emra të nderuar të jetës universitare folën për problemet e arsimit, por ishin vetëm dhe shumë pak.  Të tjerët, ata që ankoheshin dhe bërtisnin më shumë gjatë javës së kaluar, nuk u panë dje. Sapo qeveria firmosi çekun, të gjithë u zhdukën duke iu gëzuar pagës së muajit, si gjithë nëpunësit e tjerë partiakë të administratës. Revolta e tyre, kriza e arsimit dhe bindjet intelektuale e qytetare, siç duket kaq vlenin, vetëm një rrogë mujore.

Nëse protestën dhe revoltën e pedagogëve do ta kishte nxitur ndonjë parti politike, askush nuk do t’u vinte faj që u dorëzuan kaq shpejt. Çështja është se gjithë problemet që dolën këto ditë për arsimin i ngritën vetë pedagogët. Ishin ata që folën për ndërhyrje të qeverisë, për dhunë politike dhe psikologjike nga njerëzit e Rilindjes në borde dhe administratë. Ishin ata folën për fonde që fluturojnë nga shteti te privati dhe universitetet publike ngelen pa rroga. Ishin ata që thanë hapur se reforma në arsim ka dështuar. Pas marrjes së pagës mujore këto gjëra sigurisht që nuk u zgjidhën. Kaosi dhe kriza vazhdon sërish. Madje, tashmë shanset e zgjidhjes së problemeve të tyre janë edhe më të pakta, sepse qeveria kuptoi se si kudo, edhe me intelektualët, gjithë debati qenka vetëm punë lekësh. Vetëm sa për një pagë! Aq e qartë është kjo skemë për qeverinë, sa edhe në takimin e thirrur nuk shkoi asnjë përfaqësues i lartë i Këshillit të Ministrave. Ndërsa kryeministri Rama tregoi se i quan të parëndësishme kërkesat e tyre, të padenja edhe për një status në Facebook.

Shumë prej pedagogë ishin të kënaqur me atë që arritën dhe thanë se e mundën qeverinë. Në fakt ishte e kundërta. Qeveria kuptoi ata që quhen elita e vendit mund t’i manipuloj njëlloj, në mos më lehtë se tjerët, mjafton t’u japi rrogën e muajit. Kjo zgjidhje e problemit dhe trajtimi si nëpunës të thjeshtë të ish-komunave duhet t’i kishte revoltuar dhe më shumë pedagogët dhe intelektualët. Fakti që shumica heshtën dhe e pranuan kokulur këtë zgjidhje i bënë dhe ata përgjegjës. Muajin tjetër do t’u vonohen sërish pagat, por këtë herë askush nuk i marrë seriozisht.

Kaq e paskan integritetin, sa një pagë mujore!