Kumbaro takon artistët, diskutohet statusi i tyre

Në kulmin e debatit mes artistëve dhe Ministrisë së Kulturës, Ministrja Mirela Kumbaro takoi në mbrëmje përfaqësues të shoqatës Skena e Pavarur.

Statusi i Artistit ishte shqetësimi kryesor i përfaqësuesve, i cili sipas tyre në këto vite demokracie, ka qenë në rënie të lirë. Një tjetër shqetësim që ngritën artistët, që lidhet me Projektligjin e Ri për Artin dhe Kulturën, është emërimi i drejtuesve të institucioneve kulturore, i cili sipas projektligjit të ri, parashikon të bëhet direkt nga ministrja, një pikë ku artistët nuk janë dakord.

“Shqetësimi i artistëve është që ata nuk kanë asgjë në dorë, pasi çdo gjë bëhet sipas sistemit vertikal, ku drejtorin e emëron kryeministri. Nuk është fare e natyrshme, që bordi i një teatri, apo bordi i një institucioni publik, të emërohet sipas një skeme vertikale. Duhet të përmirësohet ligji, me qëllim që artistët të kenë tagër në vendimmarrje, të kenë mazhorancën, jo minorancën”, u shpreh Gjergj Prevazi.

“Jam gati të pres një propozim të një modeli, që funksionon, që edhe të mos bëjmë eksperimente”, tha ministrja Kumbaro.

Artistët kërkuan kohë për të dalë mbi një model konkret, të cilin do ta propozojnë në takimin e radhës me ministren.