80 vite histori, “Ju flet Tirana”

Pedagogë, gazetarë dhe pronarë të radiove janë mbledhur në një forum të përbashkët për të kujtuar magjinë dhe sfidat e radios në 80 vite, qëkur radio Tirana nisi transmetimet e para.

“Përmes radios ne kemi mundësi që në një kohë reale të përçojmë, shkëmbejmë dhe bëjmë interaktivitet me shqetësimet, problemet apo sukseset që ka një komuniteti i caktuar”, thotë studiuesi Arben Muka.

Ikona e radios, Zamira Koleci ndan me kolegët, eksperiencën e saj në drejtimin e Top Albania Radios.

“Më thonin të gjithë nëpër lokale, që sapo fillon ajo flash në 100 mhz, të gjithë rrijnë e dëgjojnë”, kujton ajo.

Radio në Shqipëri ka kaluar nëpër etapa të ndryshme gjatë këtyre viteve të ekzistencës së saj.

“Buxheti vjetor i reklamës për radio në 2016 ka rënë në 0.9 për qind. Pra, sa vjen e ngushtohet buxheti për radiot”, thotë gazetari Blendi Salaj.

Në Ditën Ndërkombëtare të radios, Presidenti Ilir Meta priti njerëz të shquar që kanë qenë pjesë e Radio Tiranës ndër vite.

“Kur isha njëherë në Santo Domingo, në vitin 2000. Më mori në intervistë një gazetar atje. Kur e pyeta se nga e kishte gjithë këtë informacion, më tha kam qenë dhe jam ndjekës i rregullt i Radio Tiranës. Gëzuar 80-vjetorin e Radio Tiranës dhe 20-vjetorin e Top Albania Radios”, deklaroi Meta.