Merkel nën kritika, aleatët dhe kundërshtarët: Marrëveshja, gabim politik

Ndërkohë që kryeqytetet europiane mirëpritën lajmin për arritjen e marrëveshjes për koalicion në Gjermani, vetë politika gjermane duket skeptike. Kancelarja Angela Merkel është nën kritika jo vetëm nga kundërshtarët, por edhe nga partia e saj, që e konsideron akordin me Social-Demokratët si një gabim politik.

Arritja e marrëveshjes për krijimin e koalicionit qeverisës mund të ketë zgjidhur ngërçin politik të krijuar në Gjermani, por Angela Merkel përballet sërish me pengesa.

Si aleatët ashtu edhe kundërshtarët e kancelares kanë kritikuar koalicionin “pa ndjenja” të krijuar mes konservatorëve e Social-Demokratëve. Disa madje e shohin marrëveshjen si një shenjë se koha e kancelares gjermane po përfundon.

Marrëveshja e arritur në kohë rekord do të përballet me testin e parë kur anëtarët e Partisë Social-Demokrate të vendosin ratifikimin ose jo të këtij akordi që shumë nuk e kanë pranuar.

Por edhe vetë kampi i Merkel është detyruar të pranojë një ujdi që i dorëzon postin e ministrit të financave partnerëve të qendrës së majtë, në këmbim për një mandat të katërt në detyrë për gruan e cila ka dominuar politikën europiane për 12 vitet e fundit.

Të dy krahët janë detyruar të bëjnë lëshime për të arritur marrëveshjen, e cila premton një rivlerësim të pazakontë të koalicionit pas dy vitesh.

Kjo shihet nga shumë si një mundësi që Merkel më në fund të tërhiqet nga skena politike.

Megjithatë, lajmi i pritur me skepticizëm në Gjermani, është përshëndetur nga kryeqytetet europiane, të cilat shohin me optimizëm përfundimin e 4 muajve të pasigurisë politike në ekonominë më të fuqishme të BE-së.

Marrëveshja i hap rrugë bashkëpunimit me Francën për reformën e Eurozonës, sipas Ministrit francez të Financave, Bruno Le Maire