Viti i parë pa Dritëroin

Në një vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit, Dritëro Agolli të shumta kanë qenë aktivitet dhe mesazhet e figurave publike për mungesën e një personalitetit të madh të letrave shqipe. Akademiku nga Kosova Rexhep Qosja, i ka dërguar  një letër familjes së shkrimtarit Dritëro Agolli, në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta. Përmes kësaj letre, Qosja shkuan se Dritëroi është krijues i një vepre të shumëllojshme, klasik i letërsisë sot dhe vëllimet e tij janë maja më e lartë kuptimore e artistike. “Unë jam historian i letërsisë shqipe,  kurse Ai krijues i një vepre të shumëllojshme e të shumëvëllimshme, të cilën e quaj njërën prej majave më të larta kuptimore e artistike të kësaj letërsie, prej së cilës mijëra lexues shqiptarë, i kanë parë e i kanë përjetuar më thellë e më gjithanshëm të kaluarën, traditën e të përtashmen tonë, dhe janë frymëzuar të mendojnë bashkë me mua me shpresë e me besim në të ardhmen tonë të përbashkët kombëtare e shtetërore”,- shprehet Rexhep Qosja. Po ashtu dhe edhe akademiku, Ali Aliu në një mesazh dërguar familjes Agolli vlerëson kontributin e shkrimtarit, “Gjatë këtij viti pa Dritëro Agollin, më është thelluar edhe më shumë bindja për madhështinë e veprës së tij letrare. Ka qenë i madh, prandaj e mbajti jashtë shablloneve krijimtarinë e tij, poezinë antologjike, por edhe gdhendjen e personazheve si komandanti Rrapo, Mato Gruda, apo e romaneve si Arka, që fsheh satirën e rebelimin ndaj pushteteve autoritare. Prandaj që në gjallje të tij, vepra e Dritëroit u pranua klasike, dhe ajo do të vazhdojë të jetë e përjetshme në letërsinë mbarëkombëtare shqiptare”, shkruan Ali Aliu.

 Letra

Klasiku i letërsisë sonë

Nga Prof. Rexhep QOSJA

E nderuara Sadije,  të nderuar familjarë, kolegë e miq!

Ju përshëndes prej Prishtinës, me mendje e me zemër jam bashkë me ju, dhe jam aty ku jeni edhe ju: aty ku po prehet  e ku po përkujtohet me nderimet më të përkushtuara shkrimtari i madh, klasiku i letërsisë sonë,  Dritëro Agolli, Dritëroi ynë i dashur.

E si të mos e përkujtoj unë gjithnjë, çdo vit e çdo ditë të shënuar të tij? Unë jam historian i letërsisë shqipe, kurse Ai krijues i një vepre të shumëllojshme e të shumëvëllimshme, të cilën e quaj njërën prej majave më të larta kuptimore e artistike të kësaj letërsie, prej së cilës mijëra lexues shqiptarë, i kanë parë e i kanë përjetuar më thellë e më gjithanshëm të kaluarën, traditën e të përtashmen tonë, dhe janë frymëzuar të mendojnë bashkë me mua me shpresë e me besim në të ardhmen tonë të përbashkët kombëtare e shtetërore.

Prishtinë, 3 shkurt 2018       

LETRA

Madhështia e veprës së Dritëroit

Nga Prof. Ali Aliu

E dashur familje e Dritëroit,

Edhe për ne, miqtë e Dritëro Agollit, mungesa e tij  gjatë një viti ka qenë e përditshme dhe e dhimbshme. Edhe malli i thellë përcjell kujtime gjithnjë të pranishme nga takimet me të. Për ju ndërsa, familjarët e dashur të tij, mungesa ka qenë përmasash të rënda. Sa herë kam sjellë ndërmend këtë, e dashur Sadije, më kujtohen vargjet e poezisë përmes të cilave Dritëroi të porosit që kur të mos jetë ai, kur të mungojë, ta kërkosh te poezia shkruar për ty.

Gjatë këtij viti pa Dritëro Agollin, më është thelluar edhe më shumë bindja për madhështinë e veprës së tij letrare. Ka qenë i madh, prandaj e mbajti jashtë shablloneve krijimtarinë e tij, poezinë antologjike, por edhe gdhendjen e personazheve si komandanti Rrapo, Mato Gruda, apo e romaneve si Arka, që fsheh satirën e rebelimin ndaj pushteteve autoritare. Prandaj që në gjallje të tij, vepra e Dritëroit u pranua klasike, dhe ajo do të vazhdojë të jetë e përjetshme në letërsinë mbarëkombëtare shqiptare.

Ju përqafojmë familjarisht,

Aliu