Pakti me Greqinë, Shehu: Qeveria do të paguajë një çmim të lartë pasi…

Nënkryetari i Komisionit të Jashtëm në Kuvend, Tritan Shehu, e sheh si rikthim të arsyes për maxhorancën rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë.Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Shehu inkurajon çdo takim dhe bisedim të Ministrisë së Jashtme me palën greke, por kërkon që të ketë transparencë për çdo negociatë. Shehu thekson se pala shqiptare duhet të paguajë një çmim të lartë lëshimesh pas gjithë kësaj marrëdhënieje të ngrirë që ka pasur me shtetin grek.

Cili është qëllimi i këtij debati, që do të zhvillohet këtë të enjte në seancë plenare?

Është një kërkesë e një grupi deputetësh ku bëj pjesë edhe unë. Së pari, dua të sqaroj se qëllimi kryesor i saj nuk është të marrë përsipër zgjidhjen e “Çështjes së Jerusalemit” dhe as për tu bërë faktorë në atë zonë shumë të komplikuar, larg nesh e interesave tona konkrete kombëtare. Ne përpiqemi të influencojmë aty në përputhje me dimensionet tona për forcimin e paqes atje dhe në botë, por kjo ka kufizimet e veta objektive. Këtu duhet të jemi realistë dhe jo megalomanë. Interesat tona madhore janë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku dhe mund e duhet të luajmë një rol parësor jo vetëm për faktorin shqiptar, por edhe për stabilitetin, integrimin europian të tij, rol që mbas vitit 2013 e kemi humbur, duke i kaluar ky Serbisë.

Ndërsa në politikat e mëdha botërore, siç është Lindja e Mesme, në traditën tonë diplomatike ka qenë konsoliduar strategjia e ndjekjes së ShBA-së dhe BE-së, pa të cilët absolutisht nuk mund të zgjidhen konfliktet. ShBA-ja është faktori kryesor botëror në mbrojtje të vlerave, lirisë, demokracisë e paqes. Po të përmend këtu edhe rolin vendimtar të atij vendi lider në zgjidhjen e mrekullueshme të çështjes shqiptare këto 25 vite, rolin e tyre në stabilitetin e rajonit tonë dhe në integrimin e tij europian, gjërat bëhen më të qarta për këdo, që dëshiron të kuptojë.

Pra, këtu qëndron dhe thelbi i asaj Rezolute, që kërkon të korrigjojë një gabim në kundërshtim me interesat tona kombëtare, të realizuar nga qeveria aktuale, e cila ka miratuar dy lloj dokumentesh, të cilat jo vetëm na përplasin me ShBA-në, por dhe komplikojnë më shumë gjendjen në Lindjen e Mesme. Së pari, janë ato të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), ku sulmi ndaj ShBAsë është ekstrem e kërkohet mosqenia më e tyre si interlokutore në Lindjen e Mesme.

Më tej, është dokumenti i OKB-së, ku përsëri goditet një vendim i një shteti sovran si SHBA-ja për vendosjen e ambasadës së tij, duke e kthyer atë në të akuzuar. Pra, të dyja këto dokumente, të miratuara në mënyrë absurde edhe nga ne, “krijojnë konflikt” me SHBA-në. Së dyti, dokumenti OBI-së në mënyrë direkte kërkon të bllokojë rolin e SHBAsë aty, ndërsa ajo e OKB indirekt e handikapon atë, duke vështirësuar kështu dialogun në atë zonë. Ne u rreshtuam me ato edhe mbas paralajmërimeve e kërkesave të forta, të qarta e direkte amerikane. Këtë gjë e rikonfirmoi Presidenti Trump qartësisht, përsëri ditët e fundit. Pra, kërkesa jonë për tu distancuar nga këto dokumente, ka të bëjë kryesisht me një qëndrim të marrë kundër Washingtonit dhe jo direkt për problemet midis Izraelit e Palestinës, por që gjykojmë që krijon probleme edhe për procesin e paqes aty.

Kjo detyrimisht duhet korrigjuar. Për këtë, ne kemi përcaktuar dhe rrugët politike e juridike përkatëse, që duhet të ndjekë qeveria jonë në bazë të një vendimi të Kuvendit, gjë që shpresoj të realizohet duke e votuar pozitivisht kolegët atë rezolutë. Kjo është esenca e atij dokumenti, i cili kështu së pari kërkon të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve tona me ShBA-në, që fatkeqësisht tashmë janë vështirësuar, shumë larg interesave tona kombëtare kjo.

Mendoni se në votën e Shqipërisë në OKB kanë ndikuar interesat që vendi ka me BE-në?

Së pari, ajo nuk ka asnjë lidhje me BE-në sepse nuk kishte asnjë vendim zyrtar e të detyrueshëm të Këshillit të Ministrave të BE-së për këtë çështje. Ishte një prononcim i zonjës Mogherini, por pa efekte të tilla. Fakti që shtatë vende të BE-së abstenuan apo nuk morën pjesë në votim në OKB, pra, nuk e miratuan atë dokument, e konfirmon këtë gjë. Nga ana tjetër, është edhe qëndrimi i ynë në mbledhjet e OBI-së, duke miratuar rezolutat e atyshme, që ishin tejet provokuese për ShBA-në e dëmtuese për procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Dhe kjo ndodhi përpara Asamblesë së OKB-së, gjë për të cilën nuk pati asnjë sinjal nga Brukseli. Pse ishte i tillë!? Pra, le t’i lëmë lojërat e “strucit” se gjërat lexohen.

Atëherë, si e justifikoni këtë votë të Shqipërisë?

Asgjë nuk ndodh kot. Jam dakord që këtu kemi edhe paaftësi, tendencë për të marrë role etj, por këto nuk mjaftojnë për të shpjeguar këtë e gabime të tjera trashanike në politikën tonë të jashtme, që i kushtuan e po i kushtojnë Shqipërisë e shqiptarëve, rajonin tonë. Për të kuptuar më qartë, gjërat duhen parë në kompleks. Që te marrëdhëniet me Greqinë të dëmtuara për katër vite në mënyrë artificiale kryesisht nga ne, te rolet e gabuara të marra me Maqedoninë, qëndrimet e “pakuptueshme” ndaj Serbisë, me të cilën vërtet duhen marrëdhënie të mira e normale, por deri në një pikë, për të vazhduar me moskonkretizimin e marrëdhënieve të shkëlqyera me Italinë. Më tej, kemi vendosjen në programin e Rilindjes të disa ideve të rrezikshme për ne, si ato të një “katërkëndëshi strategjik”, të kufizimit të rolit të Italisë ndaj nesh kryesisht në Mesdhe, të terminologjisë infantile të “kyçjes e çkyçjes” sonë, ndërrimi i konceptit të partneritetit strategjik etj!! Pra, këtu kemi një linjë të gabuar, që cenon interesat tona e ato kombëtare, që kërkon të penetrojë, kemi të bëjmë me pozicionime edhe të fshehta apo të koordinuara me diku tjetër, me të cilat interesat tona nuk përputhen.

Për kë e keni fjalën?

Nuk e gjykoj racionale të përgjigjem më konkretisht sot. Unë edhe në Komision i thashë Ministrit Bushati që vetë i kam të kristalizuara mendimet për shkaqet, por nuk dëshiroj t’i bëj publike për ndjenjën e përgjegjësisë ndaj vendit, gjë që mund t’i shpreh në mbledhje konfidenciale. Sidoqoftë, duhet të kuptojmë se unë si deputet, kolegët e mi, jemi përfaqësues të shqiptarëve e duhet të mbrojmë interesat tona. Në politikë mund të ketë partnerë, me të cilët krahas shumë interesave që përputhen, ka dhe të tjera që nuk janë të tilla, kjo është normale. Pikërisht këtë, ne duhet të dimë e mund ta diferencojmë.

Po për zgjidhjen e çështjes në Lindjen e Mesme?

Unë e theksova dhe më lart që ne mbrojmë në radhë të parë interesat tona, pa dyshim duke kontribuar edhe në proceset e paqes aty apo në tërësi. Këtë synon edhe Rezoluta e paraqitur nga ne. Unë jam së pari deputet i Shqipërisë. Kështu veprojnë të gjithë. Aq më shumë duhet realizëm për dimensionet tona, që kufizojnë shumë rrezen e zonës së veprimit të tyre e të mundësive reale që kemi për të influencuar. Ne nuk jemi as Gjermania, as Italia, as Franca, as Turqia, as Britania.

Ndërsa në parim, për Lindjen e Mesme ne jemi për zgjidhjen e konflikteve nëpërmjet së drejtës për dy shtete të lira, të Palestinës e Izraelit. Izraeli aktualisht është një shtet i konsoliduar e demokratik. Dhe kjo mund të arrihet nëpërmjet një procesi dialogu e marrëveshjesh midis tyre, ku roli i ShBA-ve është parësor së bashku me atë të BE e OKB-së. Cenimi i kësaj cenon edhe procesin e paqes aty. Ky është edhe nënteksti i dytë i Rezolutës sonë.

Më herët përmendët edhe marrëdhëniet me Greqinë. Si i shihni zhvillimet e reja në funksion të arritjes së një marrëveshjeje strategjike mes dy vendeve?

Po, i përmenda si një shembull konkret të asaj që mund të quhet “karikatura” e politikës sonë të jashtme në këto katër vite. Politika jonë e jashtme, por jo vetëm, punoi intensivisht për katër vite rresht për të zbehur ato marrëdhënie strategjike për ne, shumë të mira deri më 2013. Pse do thoni ju?

Për shkaqe komplekse e të lidhura edhe me çfarë folëm. Si pasojë e këtyre, ne dëmtuam marrëdhëniet bilaterale, nuk zgjidhëm problemet e qytetarëve, nuk nxitëm investimet që janë zero, nuk nënshkruam asnjë marrëveshje produktive, as për patentat, toponimet, pensionet, vulat etj. Të shoqëruara këto me politika absurde brenda e jashtë Ballkanit Perëndimor, ne humbëm edhe kredibilitetin tonë me partnerët. Këto janë disa nga faktorët, që influencuan për të mos pasur më rolin tonë lider për stabilitetin e tij, që e kishim deri më 2013, duke penalizuar kështu të gjithë faktorin shqiptar.

Por së fundmi, janë ministrat e Jashtëm duke punuar për një marrëveshje, e cila pritet të normalizojë shumë çështje të mbartura?

Më vjen shumë mirë që tashmë një “rreze arsyeje” është kthyer edhe te Rilindja për marrëdhëniet me Greqinë dhe inkurajoj takimet, bisedat edhe megjithëse çfarë dimë nga pala jonë konkretisht, është shumë pak e këto lidhen me “lakrorin, vallet, këngët” e të tilla. Ndërsa Ministri grek ka qenë më konkret e transparent. Por sidoqoftë, së pari duhet përgjigjur pyetjes: Kush do të mbajë përgjegjësi për katër vite marrëdhëniesh të dëmtuara me të gjitha pasojat negative ekonomike, sociale, politike, imazhi etj., për ne? Dikush duhet të përgjigjet e paguajë për ato.

Që të kthehemi sot te niveli pozitiv i marrëdhënieve të 2013-ës është e vështirë, kërkon kohë dhe do të kërkojë edhe një çmim të lartë “lëshimesh” nga ana jonë. Në diplomaci kjo është e kuptueshme sepse besueshmëria jonë ka rënë shumë poshtë, roli ynë në Rajon është dobësuar, imazhi ynë është zbehur, niveli ekonomik e social është përkeqësuar, momenti i mundësisë së hapjes së negociatave është delikat e imponues. Të gjitha këto i dobësojnë pozitat tona në çdo negociatë, gjë që duhej menduar disa vite më parë. Ky fenomen u vu re në procedurat për varrezat e ushtarëve grekë (që pa sens Rilindja i bllokoi për katër vite).

Po kështu, nga të dhënat nga pala greke dhe nga ato indirekte për marrëveshjen e re të kufirit detar, deduktohet se në rastin më të mirë ajo nuk do të na sjellë ndonjë “dhuratë”, ndërsa çfarë arriti qeveria Berisha dhe e “anatemuar” nga Rilindja, ishte optimale e normale. Pra, mjegullnaja që u ngrit kundër saj ishte spekulative e në bilanc dëmtues për ne. Për të mos llogaritur këtu, siç thashë më lart, humbjet e tjera nga katër vite luftë “donkishoteske” ndaj një partneri strategjik.

Po flitet për heqjen e “ligjit të luftës”, çamët, pronat e shqiptarëve?

“Ligji i luftës” është një relikë absurde, atavizëm, që n.q.s mbahet, do të ishte një gabim absurd i kujt e mban, konkretisht i palës greke. Në fakt, ky ligj ka rënë që me Konferencën e Paqes në Paris, kur Shqipëria u vendos me fituesit e Luftës së Dytë, më tej me vendimin e Qeverisë Papandreu më 1987 e më pas me Traktatin e Miqësisë me Greqinë 1996, i cili do të vazhdojë të jetë në fuqi së paku edhe për pesë vite, duke përfaqësuar nivelin më të lartë formal të bashkëpunimit e zgjidhjes të problemeve midis dy vendeve.

Po kështu, ai “ligj” është kthyer në një “arkivol të varrosur” edhe me hyrjen e vendit tonë në NATO, me mbështetjen e vazhduar nga Greqia të rrugës sonë të integrimit e zhvillimit etj., por që n.q.s juristët gjykojnë se duhet bërë edhe një hap formal, është Greqia ajo që duhet ta realizojë e zgjidhë atë. Ne nuk kemi ndonjë “ligj lufte” me Greqinë apo dikë tjetër. Ky “ligj” nuk ka penguar zhvillimin e marrëdhënieve tona në nivele shumë të mira. Nga ana tjetër, dua të përmend atë që pranoi edhe ministri Bushati, se kjo “heqje” nuk zgjidh aspak p.sh çështjen e pronave të çamëve në territorin grek, siç ishte trumbetuar. Ato ngelin të bllokuara.

Ndërsa për pronat e qytetarëve shqiptarë në përgjithësi, Z.Bushati tha se ato do të zgjidhen në përputhje me ligjet e Greqisë, gjë kjo normale dhe e përfshirë që në Traktatin e Miqësisë. E them këtë për të hequr iluzionet dhe për tu kuptuar se kërkohet nga pala jone të “shitet si fitore” nxjerrja nga “varri e atij arkivoli” me atë “ligj” pa vlerë brenda, ndoshta duke u shkëmbyer kjo me gjëra reale për ne.

Politika e jashtme nuk bëhet me aventurizma, protagonizma sureale, improvizime, “novitete” të pakonsultuara e jashtë traditave të konsoliduara, mashtrime, rrëshqitje nga boshtet kryesore, skutave etj. Po të shikosh politikën tonë të jashtme në këto katër vite, edhe me Greqinë, kjo karakterizohet nga aventurizmat që dëmtuan ato marrëdhënie, mashtrimet e opinionit publik për realitetin e pritshmëritë dhe tashmë nga një fund kapitullues. Në fakt, nuk mund të ndodhte ndryshe në një ecuri të tillë.