Mbi çati ka nisur të dali tymi i zi

Nga Alfred Peza

Ndryshe nga rituali i Vatikanit, kur dalja e tymit të bardhë nga oxhaku i Kapelës Sistine sinjalizon se Kardinalët kanë zgjedhur Papën e ri që do të drejtojë Kishën Katolike, në Shqipëri ka nisur që mbi çati, të dalë tymi i zi. Nuk është fjala për tymin e oxhakëve dhe sobave të familjarëve, bizneseve apo institucioneve që përdorin dru për tu ngrohur në palcën e këtij dimri. Por për tymin e zi të flakëve që tentojnë të fshehin gjurmët e korrupsionit ndër vite. Si një shenjë e sigurtë paniku dhe prove e qartë se këto janë shenjat e para se reformën në drejtësi, kanë filluar ta ndjejnë.

Një re e stërmadhe tymi i zi, aspak në kuptimin figurativ por në kuptimin e parë të kësaj shprehje, ka dalë orët e fundit nga godina e ALUIZN-it në Fushë Krujë. Sipas policisë zjarri i qëllimshëm është ndezur në zyrën e drejtorit të institucionit dhe në arkiva, për të djegur ato dosje që me siguri kanë bërë gjatë këtyre viteve batërtinë e një procesi kaq rraskapitës e të shumëpërfolur.

Një proces që ndërthuret me njëmijë e një mënyra e fije ligjore dhe jo ligjore, me çështjen e pronave, trojeve, tokave, legalizimeve, pronësimeve, shpronësimeve, kompensimeve, zhvendosjeve, mbivendosjeve, tjetërsimeve, zhvatjeve, grabitjeve, allishverisheve, korrupsionit, lojës politike, elektorale, partiake, shoqërore, farefisnore, klanore, të pushtetit qëndror, të pushtetit lokal, të pushtetit të parasë, të pushtetit të më të fortit kundër të dobëtit, e kështu pafundësisht.

Një lojë që ka sjellë më shumë viktima, të vrarë, të plagosur, të dhunuar, të presionuar, shantazhuar, kërcënuar, të stresuar, të sulmuar fizikisht, verbalisht e psikologjikisht se çdo luftë tjetër dhe çdo ushtri armike që mund të ketë kaluar ndër ato anë, ndoshta që nga koha e Sulltan Mehmetit të Dytë kur dërgonte taborret për të pushtuar kalanë e Krujës, e për të thyer Skënderbeun.

Megjithëse është një proces rreth 20 vjeçar, deri më tani, askush pothuajse nuk e kishte vënë ujin në zjarr nga zyrtarët e këtij institucioni, pavarësisht qeverive që kanë shkuar e që kanë ardhur. Por, me sa duket këtë radhë, edhe ata që nuk u shqetësuan për mbi dy dekada me radhë, kanë filluar ta ndjejnë presionin gjithnjë e në rritje e konkret, që po i troket në derë të zyrës a të shtëpisë, për shkak të reformës në drejtësi. Kanë mjaftuar disa arrestime në nivele drejtorësh drejtorie e poshtë, që të bëhen gati tre bidona me benzinë,- siç u tha nga policia,- që u gjetën në zyrat e Fushë Krujës dhe tymi i zi të dalë mbi çatinë e institucionit që presupozohej se duhej të zgjidhte hallet e popullit.

Aq i zi e aq i madh ka qenë tymi tek ALUIZN-i, sa fillimisht zjarrëfikëset mund të kenë ngurruar për tu nisur, se mund tu jetë dukur një nga shtëllumgat e gropave të gëlqeres apo oxhaqeve të fabrikave të çimentove, që nuk pushojnë ditë e natë ndër ato anë.

Sigurisht që rasti i Fushë Krujës me hall dosjesh e shkresash, nuk është i vetmi me sa duket këto ditë dhe me siguri, që shtëllunga të tjera tymi të zi mund të shohim sërisht nëpër çati të tjera nëpër Shqipëri. Eshtë detyra e drejtuesve të institucioneve që të bëjnë më shumë kujdes edhe në këtë drejtim me sa duket, për të parandaluar zjarrin e shkresave korruptive, sepse mund të digjen edhe vetë bashkë me to.

Pak orë përpara kësaj ngjarje, mediat raportuan se në shtëpinë e Dashamir Xhikës, ish drejtorit të Rrugëve të Republikës ishin gjendur 80 dosje tenderash të rregullt. Një informacion ky që deri tani, as nuk është pohuar e as nuk është mohuar nga institucionet ligjzbatuese.

Dikush duhet të mari shkas nga këto raste, për të filluar një proces verifikimi, inventarizimi dhe të rritjes së masave për ruajtjen dhe sigurinë e institucioneve, arkivave e zyrave që kanë më shumë propabilitet, nga çatitë e të cilëve, të mund të dalë nesër sërisht tymi i zi. alpenews.al