Strategjia e re e kriminelëve në vjedhjen e bankave shqiptare

Grabitja e bankave nuk është një fenomen i ri, por është shqetësues fakti se, pas një periudhe “pushimi”, grabitja e bankave po shfaqet përsëri në skenë, madje me një frekuencë jo normale…

Nga Roland Tashi
Ekspert i çështjeve të sigurisë

Duket rastësi, por viti që kaloi u mbyll për sistemin bankar me grabitjen e një objekti në qytetin e Laçit, ndërsa viti që sapo ka nisur është “përshëndetur” nga grupet kriminale me grabitjen e një tjetër objekti bankar në qytetin e Tiranës, duke shënuar kështu dy ngjarje në harkun e 20 ditëve.

“Rastësia” në dukje duhet përkthyer dhe analizuar shumë mirë nga strukturat dhe përgjegjësit për sigurinë në banka, si dhe nga agjencitë ligjzbatuese përgjegjëse për sigurinë njerëzore dhe atë publike, pasi veprimet kriminale, grabitjet si dhe situata të tjera me qëllime abuzive, janë të mirëstudiuara dhe vështirë të mendosh se ndodhin në kushtet e rastësisë.

Është shumë e njohur teoria e “valvulave” të krimit, nëpërmjet të cilave krimi mundohet të nxjerrë, të marrë, të përfitojë të ardhura, vlera monetare apo përfitime të tjera në zonën, qytetin, rajonin ku vepron. Kur shteti dhe të gjitha strukturat përgjegjëse veprojnë me fuqinë e ligjit, frenojnë dhe pengojnë veprimtaritë e paligjshme, pra bllokohen “valvulat funksionale”. Në këto kushte, krimi mundohet me të gjitha format dhe mënyrat për të hapur shtigje dhe për të krijuar valvula të reja për arritjen e qëllimit fitimprurës.
Grabitja e bankave nuk është një fenomen i ri, por është shqetësues fakti se, pas një periudhe “pushimi”, grabitja e bankave po shfaqet përsëri në skenë, madje me një frekuencë jo normale.

Studimi, peridha kur ka më shumë vjedhje

Në një studim të Komitetit të AAB (Shoqata Shqiptare e Bankave) për Sigurinë Bankare, është marrë në analizë një periudhë 12-vjeçare, 2000-2012, ku nëpërmjet përpunimit të të dhënave të siguruara nga bankat e nivelit të dytë, Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, jepen statistika për grabitjet e ndodhura në sistemin bankar të vendit dhe disa prej vendeve të rajonit, metodologjinë e përdorur si dhe rekomandime për rritjen e kujdesit dhe nivelit të sigurisë e mbrojtjes.

Nëpërmjet rezultateve të analizave statistikore mësohet se numri më i madh i grabitjeve kryhet gjatë muajit dhjetor dhe dita e premte, e quajtur “black friday”, është dita me ngarkesën më të madhe kriminale. Në 13 raste, ose 37.14%, për periudhën e analizuar, ngjarjet janë regjistruar ditën e premte. Duhet theksuar se kjo ditë ka ngjashmëri me ciklin javor të ngjarjeve kriminale në banka edhe në disa vende të tjera europiane.

Vjedhjet e bankave, në numrin më të madh të rasteve, ndodhin në gjysmën e dytë të orarit të punës, deri në mbylljen e veprimtarisë ditore. Objektet më të sulmuara mbeten ato në qytete me ngarkesë të lartë të veprave penale, objektet jashtë unazës rrugore të qytetit dhe periferi, objekte përgjatë autostradave, si dhe objekte në qytete ku mundësia e largimit dhe fshehjes është më e shpejtë.
Dy grabitjet e fundit të ndodhura në njësitë e biznesit të sistemit bankar, duket se janë brenda “parametrave statistikore” të hulumtuara nga studimi.

“Strategjia” e kriminelëve dhe masat që duhen marrë

Krahasimi i këtyre dy ngjarjeve me ngjarjet e analizuara në studimin e Komitetit të Sigurisë në AAB, si dhe referenca në përvojat europiane, tregon se krimi përdor gati të njëjtat elemente dhe metodologji për arritjen e qëllimit.

Ky fakt, padyshim edhe pas analizave të tjera, duhet t’i orientojë dhe ndihmojë strukturat përgjegjëse për sigurinë dhe sidomos ato drejtuese në banka, për të marrë masat e duhura për përmirësimin e gjendjes, për diferencimin e mënyrës së konceptimit të planimetrive të brendshme dhe hyrjes për në objekt, duke u fokusuar tek ato më të rrezikuarat, si dhe duke planifikuar masa shtesë sigurie në ditët, muajt me ekspozimin më të madh ndaj rrezikut të grabitjes.

Studimet, statistikat, materialet e ndryshme informuese të përgatitura nga ekspertë të fushës së sigurisë, eksperiencat bashkëkohore të vendeve të tjera, me karakteristika të ngjashme me vendin tonë, nuk duhet të mbulohen nga pluhuri dhe të mbeten sirtarëve të harresës, por duhet të shfrytëzohen, të “shtrydhen”, të përmirësohen më tej me studime më të thelluara, për të shërbyer si referenca dhe materiale orientuese për rritjen e njohurive, si dhe masave të sigurisë.

Është shumë e kuptueshme që nuk mund të ketë të njëjtat parametra të mbrojtjes fizike dhe elektronike një objekt i vendosur në qendër të Tiranës, me një objekt të vendosur në periferi të saj apo në qytete të cilat kërkojnë masa shtesë sigurie.
Baza për të konceptuar një sistem eficient sigurie, duhet të jetë rezultat i analizës së detajuar të elementeve dhe funksioneve të rrezikuara. Për të mbrojtur një degë, agjenci bankare, zyrë këmbimi valutor apo për të kryer transportin e vlerave monetare, kërkohet që baza e analizës së faktorëve që krijojnë e favorizojnë rrezikun të jetë sa më e gjerë, duke analizuar edhe ngjarjet e mëparshme nëpërmjet ndërtimit dhe aplikimit të matricave të analizës së riskut.

Disa nga elementet kryesore që duhet të marrë në analizë dhe përpunojë specialisti i sigurisë, nëpërmjet matricës së riskut, duhet të jenë; ngarkesa kriminale në qytet sipas të dhënave të Prokurorisë, pozicioni i vendosjes së bankës, largësia nga rrugët kryesore, mënyra e hyrje-daljes dhe qarkullimit në objekt dhe vendqëndrimi i punonjësit të sigurisë, mënyra e ndërtimit të sporteleve, shpejtësia e mbërritjes së grupeve të gatshme të Shoqërive Private të Sigurisë Fizike (SHPSF) dhe forcave të Policisë së Shtetit, etj.

Masat

Disa nga elementet kryesore që duhet të marrë në analizë dhe përpunojë specialisti i sigurisë, nëpërmjet matricës së riskut, duhet të jenë; ngarkesa kriminale në qytet sipas të dhënave të Prokurorisë, pozicioni i vendosjes së bankës, largësia nga rrugët kryesore, mënyra e hyrje-daljes dhe qarkullimit në objekt dhe vendqëndrimi i punonjësit të sigurisë, mënyra e ndërtimit të sporteleve, shpejtësia e mbërritjes së grupeve të gatshme të Shoqërive Private të Sigurisë Fizike (SHPSF) dhe forcave të Policisë së Shtetit, etj.

Siguria është kyçe

“Siguria” duhet të konsiderohet si fjalë kyçe për sistemin bankar, jo duke u nisur vetëm nga dy grabitjet e fundit, pasi kur ajo është e pamjaftueshme nënkupton një rrezik të drejtpërdrejtë dhe me peshë të konsiderueshme në çdo vendimmarrje biznesi.
Mungesa e njohurive dhe koncepteve të qarta për sigurinë, mosvlerësimi i rekomandimeve dhe orientimeve të specialistëve dhe ekspertëve të fushës, duke vendosur jo rrallëherë përballë tyre kostot ekonomike për projektet e paraqitura për sigurinë, mosmarrja e masave të nevojshme dhe masave shtesë për objekte të konsideruara me rrezik të lartë, duhet të vlerësohet nga të gjithë si një pasiguri e “paralajmëruar”.

Të shkruash, komentosh, rekomandosh për domosdoshmërinë e rritjes së nivelit të sigurisë në banka, nëpërmjet aplikimit të masave shtesë, nuk përbën ndonjë lajm interesant e të veçantë, pasi kjo temë tashmë është e njohur dhe shumë evidente. Siguria në banka, duhet kuptuar si një shërbim, produkt i nevojshëm, e mirë publike që krijohet nga konvejeri i të gjithë operatorëve, strukturave shtetërore, kontraktorëve të shërbimeve të sigurisë dhe më pas përftohet “pa pagesë” jo vetëm nga punonjësit, por edhe nga klientët, shtetasit që veprojnë brenda ambienteve pa të cilët banka nuk mund të ekzistojë.

Drejtuesit e bankave duhet të qartësohen për një fakt shumë të rëndësishëm, në rast se ngjarjet, grabitjet nuk parandalohen me zgjidhje të studiuara, ato kthehen në fenomene të cilat bëhen shumë të rrezikshme, pasi ato mund të lëkundin dhe shkatërrojnë besimin e punonjësit ndaj punëdhënësit, si dhe të klientëve ndaj bankës, duke krijuar kështu kosto dhe pasoja shumë herë më të mëdha se dëmi i parave të humbura gjatë grabitjes, të cilat në shumicën e rasteve kthehen nga kompanitë e siguracioneve.

Kryerja e veprimeve normale nga punonjësit dhe klientët brenda një banke, si dhe reduktimi i rasteve të grabitjeve, mundësohet nëpërmjet kombinimit të përshtatshëm të trinomit të përbërë nga, – mënyra e hyrjes në bankë, – mënyra dhe vendi i kryerjes së shërbimit nga punonjësi i sigurisë – informimi dhe formimi i punonjësve për të reaguar dhe për të vepruar gjatë një situate grabitje.

Pikat e dobëta të sigurisë

Le të ndalemi shkurtimisht në rolin e tre faktorëve të trinomit të parë të sigurisë.
1.Hyrja e lirë e klientëve në bankë, pa asnjë pengesë apo masë mbrojtëse, vazhdon të mbetet një nga pikat më të dobëta për sigurinë. Aplikimi i dyerve të njëpasnjëshme, me vonesë në kohë hapje, të quajtura sisteme kafaz, të ndërtuara me xhama antiplumb/antivandalizëm, të pajisura me telekamera të brendshme dhe sensorët e nevojshëm për diktimin e sendeve metalike, mbetet aktualisht një nga zgjidhjet më efektive e cila ndikon ndjeshëm në mbrojtjen e punonjësve dhe reduktimin e grabitjeve.

Instalimi i këtij sistemi nuk duhet të mbetet zgjidhje alternative, duke e lënë në gjykimin e bankave, të cilat synojnë drejt reduktimit të shpenzimeve. Ky duhet të jetë një kusht për funksionimin e degëve, agjencive në të gjithë sistemin bankar të vendit, i sanksionuar në rregulloret e sigurisë të bankës qendrore, udhëzimet përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bazuar edhe në ligjin e masave shtesë të sigurisë miratuar së fundmi nga ligjvënësi.

2.Punonjësi i shërbimit të sigurisë, në vartësi të SHPSF, është individi i parë që ballafaqohet me një situatë kriminale, duke qenë edhe objektivi kryesor që tentohet të neutralizohet nga keqbërësit. Në rast se ky punonjës nuk ka një mbrojtje paraprake fizike, ai është i ekspozuar që të dhunohet, të viktimizohet, të merret peng, duke mbetur kështu një hallkë e dobët e zinxhirit të sigurisë. Aplikimi i sistemeve kafaz do të ndikojë njëherësh edhe në mbrojtjen e punonjësit të sigurisë, i cili duke qëndruar brenda ambienteve, pas portës së dytë hyrëse të sistemit kafaz, ka mundësinë që të veprojë, të japë sinjalin e alarmit, të bllokojë dyert dhe të kryejë detyra të tjera mbrojtëse pa pasur kontakt direkt me grabitësit, duke rritur kështu eficencën e sigurisë.

Duhet kuptuar qartë se me të gjitha mundësitë duhet të shmanget përdorimi i armëve të zjarrit brenda ambienteve të bankës, si rezultat i presionit që ushtrojnë keqbërësit apo konfrontimit fizik me punonjësin e sigurisë. Pasojat që shkaktohen nga armët e zjarrit mund të rezultojnë fatale, duke shkaktuar dëme të parikuperueshme, shumë herë më të mëdha dhe të pakrahasueshme me grabitjen e parave. Ambientet e brendshme të bankave nuk duhet të kthehen në arena përleshje apo poligone, ku mund të përdoren armët e zjarrit. Këto fenomene reduktohen nëpërmjet instalimit të sistemeve kafaz në hyrje.

3.Formimi dhe informimi, thënë ndryshe trajnimi i punonjësve që kryejnë detyrat e shërbimit të sigurisë për mbrojtjen e objekteve dhe transportin e vlerave monetare, në vartësi të SHPSF-ve, mbetet kushti kryesor që këto shërbime të jenë eficente dhe të ndikojnë në reduktimin e rasteve të grabitjeve.

Punonjës sigurie, të cilët kanë marrë një trajnim të përgjithshëm bazik vetëm gjatë periudhës së licencimit dhe më pas nuk i janë nënshtruar trajnimeve specifike për të shërbyer në banka, për t’u përballur me grabitësit, për t’u mbrojtur dhe për të mbrojtur punonjësit dhe klientët, për të bashkëpunuar gjatë kohës së kryerjes së procedurës së transportit të vlerave monetare, është e vështirë që t’i kryejnë këto detyra.

Punonjësit e bankave, sidomos ata që do të punojnë në “front office”, në sportelet e degëve dhe agjencive, nuk duhet të ulen dhe të fillojnë ditën e parë të punës pa marrë paraprakisht trajnimet e nevojshme të sigurisë, ashtu siç mësojnë procedurat e bërjes biznes. Nëpërmjet këtyre trajnimeve, ata duhet të mësojnë, të edukohen, t’u krijohen shprehitë e nevojshme si duhet të veprojnë në rastet e grabitjeve për të shmangur ngarkesat e larta emocionale dhe psikologjike, si dhe dëmtimet e ndryshme të shëndetit mendor e fizik. Shpenzimet për trajnimin e punonjësve të bankës, specialistëve dhe ekspertëve të strukturave të sigurisë, duhet të konsiderohen “investime” me vlerë të pallogaritshme.

Motoja e të gjitha trajnimeve duhet të jetë, “banka nuk kërkon heronj, por zbatimin korrekt të procedurave të sigurisë”
Siguria është para së gjithash një kërkesë primare e individit, biznesit, institucionit, komunitetit dhe shoqërisë, por ajo është gjithashtu një nevojë organizative, e cila kërkon integrimin e të gjithë aktorëve dhe operatorëve, duke u bazuar në gjetjen e një ekuilibri të përshtatshëm.
Pavarësisht nga masat e mundshme të mbrojtjes dhe sigurisë që marrin bankat, ato nuk mund të krijojnë “ishuj qetësie” brenda territorit administrativ që kontrollon shteti.

Praktikat e vendeve europiane, përfshirë edhe Greqinë fqinje, tregojnë se strukturat shtetërore, agjencitë ligjzbatuese, banka qendrore, kanë një rol parësor dhe të rëndësishëm në përcaktimin e standardeve të sigurisë të njësive të biznesit të sistemit bankar, duke lejuar zhvillimin e veprimtarisë së tyre vetëm brenda parametrave, standardeve të paracaktuara të sigurisë dhe duke ushtruar kontrolle të vazhdueshme për zbatimin e tyre./Monitor