Mazhoranca nën ankthin e zgjedhjeve të parakohshme

-Skenarët që e trembin PS-në për rrëzimin e qeverisë; skandalet qeveritare, protestat e opozitës dhe refuzimi i hapjes së negociatave. 

-Edi Rama mund të kap në befasi opozitën dhe të shkojë në zgjedhje politike fill pas përgjigjes negative të BE në maj të këtij viti.

Në kulmin e debateve për reformën në drejtësi, kapjen e “peshqve” dhe dyshimeve për shitjen e detit, kryeministri Edi Rama ka mbledhur strukturat e Partisë Socialiste të Tiranës. Qëllimi i takimit ishte zëvendësimi i disa drejtuesve lokalë të PS, që janë nën hetim për trafik dore si Saimir Tahiri, apo që kanë marrë detyra ministrore. Por nga një mbledhje partie e zakonshme, debatet në takimin e Ramës me drejtuesit e Tiranës kanë përfunduar në temën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kryeministri Edi Rama dhe deputetet e tjerë të PS-së kanë kërkuar forcimin e strukturave, duke deklaruar se PS duhet të nisë që tani përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2019, ku do të jetë forcë e vetme politike dhe pa aleatë ndaj do jetë në pikëpyetje fitorja socialiste në shumë bashki. Por viti 2019, duke parë zhvillimet aktuale politike, duket ende larg. Udhëzimi i Ramës për ristrukturimin e degëve duket se lidhet me skenarë edhe më të afërt sesa zgjedhjet lokale, pasi në tryezë diskutimi janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kështu të paktën qarkullon në mjedise të ngushta në selinë rozë, ku nën zë e koridorëve tregojnë se “nuk i dihet Ramës, pasi mund të bëjë lëvizje spektakolare dhe të kap në befasi opozitën duke shkuar për 45 ditë në zgjedhje politike”.

Në muajin maj Brukseli pritet të japë verdiktin nëse Shqipërisë do t’i hapen negociatat për integrim ose jo. Sinjalet e disa vendeve të BE-së nuk janë optimiste për Shqipërinë. Në rast se Edi Rama dhe qeveria e tij nuk do të marrin çeljen e negociatave, ky vendim i Brukselit pritet të sjellë një reaksion të fortë në Tiranë. Bllokimi i procesit të integrimit me të drejtë do të cilësohet si dështimi më i madh i qeverisë së Edi Ramës. Opozita e drejtuar nga PD-LSI do të kërkojë si të vetmen zgjidhje, zgjedhje të parakohshme. Një qeveri e cila nuk merr notë kaluese në Bruksel, automatikisht është e rrëzuar. Ndaj dhe qeveria e PS do të ndodhet përballë një presioni të fortë në vend dhe përballë kritikave që i vijnë nga Brukseli. Për të minimizuar këtë skenar, që tani PS ka bërë gati strategjinë. Pavarësisht sesa ka punuar qeveria, për PS dhe ministrat, arsyet pse nuk hapen negociatat është për faj të opozitës. Një argument i tillë nuk dihet nëse do të pijë më ujë në momentin që Brukseli do të flasë hapur. Por rreziku i zgjedhjeve të parakohshme nuk ekziston vetëm për çështjen e negociatave. Në gjashtë muajt e fundit, qeveria “Rama” ka pasur skandale sa për gjashtë vjet të marra së bashku. Dosja “Tahiri”, ekstradimi i financierit të bandës së “Habiljave”, zgjedhja e njëanshme e kryeprokurores, përdorimi politik i Prokurorisë dhe së fundi dyshimet për një marrëveshje katastrofë me Greqinë për detin janë vetëm disa nga problemet madhore që ka qeveri “Rama”. Të gjitha këto çështje tregojnë për një qeverisje që çdo muaj ka prodhuar nga një skandal dhe bilanci në vijim pritet vetëm të thellohet.

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë më vetëm ide politike, që pas protestës së fundit të opozitës më 27 janar. Pjesëmarrja e madhe në shesh, një fakt që nuk e mohon as vetë PS dhe Rama, ishte sinjali i parë i qytetarëve se qeveria moralisht nuk është më shumica. Opozita ka bërë këto kohë vetëm beteja mediatike dhe u është larguar shesheve. Por nëse opozita do të vijojë të organizojë protesta të njëpasnjëshme presioni qytetarë mund të prodhojë dhe rezultate politike që ta detyrojnë Edi Ramën të tërhiqet dhe të kërkojë zgjedhje të parakohshme.

Në javën e fundit ka dy qëndrime të krerëve të opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi ku janë dhënë sinjale për qeveri të përkohshme që do të sjellë zgjedhje të reja. Lulzim Basha, kur shpjegoi idenë e tij për “qeverinë anti-mafia” tha se PD po kërkonte një qeveri provizore që do të çonte vendin në zgjedhje, pa Ramën kryeministër.  Ndërsa Kryemadhi foli për një qeveri tranzitore që mund të drejtohej nga një socialist tjetër, i cili do votohej edhe nga opozita nëse ishte figurë e pranueshme. Nëse opozita vendos të zbatojë këto skema duke përfituar dhe nga ndonjë grup i pakënaqur brenda PS, Edi Ramës nuk i mbetet gjë veçse t’u prishë planet duke futur vendin në zgjedhje për 45 ditë e ku të gjithë do mbeten më gojë hapur. Thirrja që bëri kryeministri disa ditë më parë për të afruar në PS edhe figura që nuk i “sheh dot me sy” si Fatos Nano etj, tregon pikërisht panikun e një zhvillimi të tillë politik. Ndaj dhe dje mblodhi PS-në e Tiranës, qarku që ka më shumë deputet, dhe u kërkoi përgatitjen për zgjedhjet lokale të 2019-ës. Në fakt kjo është shenja e parë e ankthit të zgjedhjeve parlamentare që mund të jenë shumë afër.

Edi Rama tashmë është mjeshtër në manovra politike dhe nuk është çudi që t’i çudisë të gjithë spektrin politik opozitar duke i vënë para faktit të kryer. Nëse dështon marrja e statusit në BE ai do të fajësojë mënjëherë opozitën dhe do aplikojë mekanizmin kushtetues ku kërkon Mocion Besimi dhe natyrisht porosit të vetët të mos e votojnë të gjithë “pro”, dhe kështu shkon në zgjedhje por prapë si kryeministër.

Q.Xhani.