Klevis Balliu: Nuk mund të hymë në Europë me “gjysmë Shqipëri”

Intervistë me deputetin e PD Klevis Balliu

A përmbushi protesta e 27 janarit pritshmëritë e Partisë Demokratike?

Protesta i tejkaloi pritshmëritë e Partisë Demokratikë dhe pritshmëritë e çdo syri kritik që sot ka humbur kohë duke I bërë analizë opozitës dhe jo qeverisë. Shqiptarët u bashkuan pavarësisht bindjeve politike kundër një qeverie, e cila ju hoqi çdo shpresë shqiptarëve për mirëqenie dhje integrim në Bashkimin Europian.

Kush është beteja e rradhës e PD?

Beteja sapo ka filluar dhe nuk do të mbarojë deri në rrëzimin e qeverisë Rama. Duhet dhe do të ketë përshkallëzim të aksionit opozitar. Fronti opozitar përpara interesit kombëtar nuk vë dhe nuk mund të vendosë asnjë interes partiak. Në një vend me destabilitet politik sistemi politik bie.

Le të kthehemi në aktualitetin politik, çështja Tahiri është rikthyer në vëmendje pas vendimit të ministres Etilda Gjonaj për ekstradim Nezar Seitaj. A është ky një hap drejt pafajësisë së Saimir Tahirit?

Ky është një nga rastet flagrante të radhës që fakton se kjo mazhorancë nuk njeh ligj dhe Kushtetutë kur bëhet fjalë për çështjen Tahiri. Ekstradimi i Nezar Seitaj është një akt i turpshëm për të cilin ministrja e Drejtësisë duhet të përgjigjet përballë organeve të drejtësisë. Një individ që është në hetim në vendin e tij nuk mund kurrsesi të ekstradohet pa u mbyllur hetimet. Nezar Seitaj e kanë larguar me aq shpejtësi nga qelia e paraburgimit saqë lanë pas dhe orenditë personale. Nuk më surprizën, pasi çështja Tahiri është themra e Akilit të qeverisë Rama. Pasi është ai dhe lidhjet e tij me krimin pasqyra e vërtetë e kësaj Rilindjes.

A ka rilindur politika e jashtme me Ditmir Bushatin dhe Edi Ramën?

Politika e jashtme sot ka kaluar në degradim. E para, vota kundër SHBA në OKB ishte një thikë pas shpine aleatit kryesor strategjik të Shqipërisë dhe njëkohësisht ishte një thikë pas shpine shqiptarëve, të cilët i njohin SHBA-të si shpëtimtarët e vëllezërve dhe motrave tona në Kosovë dhe si mbrojtës të sistemit demokratik në Botë.

Donald Trump ka lëshuar ndoshta sinjalin më të fortë në fjalimin e tij të fundit, për të gjithë ato vende që votuan kundër SHBA sa i përket Rezolutës në OKB. A ishte ky një mesazh i qartë edhe për kryeministrin Edi Rama?

Presidentit Trump është në të drejtën e tij kur thotë që asnjë dollar i taksapaguesve amerikanë nuk duhet të shkojë drejt vendeve që votuan kundër SHBA.  Por, nuk mund të fajësohet një popull i tërë, i cili do ti ndiqte Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çdo betejë, në çdo luftë ushtarake apo diplomatike për faj të një qeverie narkotrafikantësh, korruptive, e cila nuk voton në OKB për interesa të shqiptarëve por për interesa personale. Zoti Rama dhe qeveria e tij janë shembulli më i pastër se si një qeveri e korruptuar, e degraduar mund të çojë në drejtimin e gabuar popullin dhe të ardhmen e vendit.
Mesazhi ishte i qartë jo vetëm për zotin Rama por për çdo shqiptar. Ndaj sot të gjithë duhet të vendosen nëse do ti bashkohemi frymës amerikane, perëndimore, demokratike, paqësore, apo do të qëndrojmë nën udhëheqjen e një qeverie narkotrafikësh.
Do t’i lutesha ambasadës Amerikane që të përcillte mesazhin Presidentin Trump që qytetarët shqiptarë e refuzojnë këtë qëndrim të qeverisë Rama të shprehur  me votë në OKB.  Opozita do të ndërmarrë çdo masë për të vënë në dijeni ekzekutivin dhe popullin amerikanë që vota në OKB ishte një tradhti po aq e madhe për amerikanë aq sa dhe për shqiptarët.