Agron Duka: Me marrëveshjen e detit Rama ka përmbysur veten

Z. Duka kanë kaluar disa ditë nga protesta 27 janarit, e organizuar nga Opozita e bashkuar, shumë komente janë bërë mbi pjesëmarrjen dhe impaktin e saj. Mund të na jepni një koment për atë?
Në gjykimin tim protesta ishte e pa precedent nga pikëpamja e pjesëmarrjes dhe qytetaria që u dëshmua nga protestuesit . Numri i madh i qytetarëve, të mbledhur vetëm shtatë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, dëshmon se situata e krijuar nga mazhoranca nuk është vetëm perceptim i opozitës. Qytetarët i dhanë një mesazh të qartë qeverisë. Korrupsioni, varfëria, krimi i lidhur me politikën, largimi në masë i qindra mijëra shqiptarëve dhe cënimi i zgjedhjeve nuk mund të mos shkaktonin këtë rebelim paqësor të qytetarëve; të cilët ndihen të harruar nga mazhoranca.
Cilat do të jenë hapat e radhës së opozitës?
Protestat tona nuk do të ndalen; gjithsesi unë gjykojë se detyra jonë kryesore është të qëndrojmë pranë njerëzve; të jemi pranë shqetësimeve të tyre, t’ju dëshmojmë se kemi një alternativë të suksesshme, se kemi një zgjidhe për krizën ekonomike dhe politike që po dominon gjithnjë e më shumë jetën e përditshme të pjesës dërrmuese të popullsisë. Me pak fjalë, duhet të tregojmë që opozita është gati të qeverisë. Sigurisht që në këtë moment kemi nevojë edhe për mbështetjen e ndërkombëtarëve, të cilët kanë kuptuar se qeveria është në një krizë morale.
Për sa i përket Partisë Agrare Ambientaliste, duke nisur nga ky muaj, do të organizojmë takimet në çdo Qark për të dëgjuar problematikat dhe për t’i njohur qytetarët me ofertën tonë politike, më vlerat tona dhe vizionin tonë për bujqësinë, blegtorinë, agrobiznesin, sigurinë ushqimore dhe ambientin. Duhet të jemi gati për çdo rast, pasi instabiliteti i mazhorancës dhe pakënaqësia e shkaktuar te qytetarët, mund të krijojnë kushtet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Mendoni realisht se mund të ketë zgjedhje të parakohshme?
Arroganca, paaftësia dhe kriza morale e kësaj mazhorance do të prodhojnë një krizë politike që mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme. Nuk është diçka që mund të hamendësohet vetëm nga pjesëmarrja e madhe në protestë, por edhe prej faktit që qeveria Rama tashmë ka përmbysur veten. Asnjë nga zotimet e këtyre pesë viteve nuk është mbajtur, përkundrazi, jemi përballë një mazhorance që po bënë atë për të cilën kritikonte kundërshtarët e saj përpara se të vinte në pushtet. Mjafton të kujtojmë qëndrimet mbi importin e mbetjeve dhe marrëveshjen me Greqinë. Nuk ka asnjë koherencë, asnjë marrje përgjegjësish.
Cili është opinioni juaj për marrëveshjen me Greqinë?
Në parim nuk kam asnjë paragjykim ndaj marrëveshjes; gjithashtu proceset integruese në të cilat kemi hyrë na detyrojnë të negociojmë me disa partner ndërkombëtarë, midis tyre është edhe Greqia. Problemi kryesor, që nuk prek vetëm këtë fushë, është se mazhoranca ecën përpara me një agjendë të fshehtë. Nuk ka transparencë, nuk ka sqarim të opinionit publik. Sigurisht kjo lloj mënyre e të bërit politik ngre shumë dyshime, sidomos kur flasim për një mazhorancë jo koherente ndaj premtimeve që i ka bërë qytetarëve. Erdhën në pushtet duke kundërshtuar hapur këtë marrëveshje, akuzuan ata që e sigluan në 2009 si tradhtarë, kurse sot kërkojnë të na bindin se janë shpëtimtarët e kombit, kjo është një hipokrizi dhe një nga arsyet kryesore pse qytetarët janë të zhgënjyer nga partitë politike. Nëse vjen në pushtet me një kontratë, e cila votëbesohet në zgjedhje, nuk mund të ndryshosh kryekëput qëndrimet, mos të marrësh asnjë përgjegjësi dhe të akuzosh gjithmonë të tjerët për gjërat që nuk shkojnë në këtë vend.
E ndoqët seancën parlamentare të së enjtes? Përballjet midis opozitës dhe mazhorancës ishin mjaft të ashpra, si i komentoni?
Kam ndjekur seancën dhe kam qenë në komunikim me kolegët e opozitës. Protesta brenda Parlamentit dëshmon se mazhoranca po abuzon me kartonat e saj. Ajo sallë nuk është vetëm e palës që gëzon 74 mandate, por aty duhet të shprehen edhe ata 66 të tjerë që janë mandatuar nga qytetarët për të qenë një alternativë. Arroganca e mazhorancës në seancën e së enjtes dëshmon një vullnet për të tensionuar akoma edhe më shumë marrëdhëniet midis palëve; janë të interesuar të shkaktojnë më shumë sherr sepse shmangin debatin, dhe vijojnë me agjendën e tyre e cila nuk përkon me atë të qytetarëve. Një shembull i mirë është debati për aeroportin e Vlorës, i cili u vendos në tryezën e komisioneve pa transparencë. Madje duke akuzuar ata që ngritën dyshime të drejta mbi financimin dhe rreziqet fiskale si njerëz që nuk duan zhvillimin e asaj zone. Sigurisht që çdo vepër që sjellë infrastrukturë dhe zhvillim duhet përshëndetur. Por nuk mund të shmanget një debat serioz për një investim prej 100 milion eurosh, dhe sidomos kur vendosen klauzola që parashikojnë pagesën nga buxheti i shtetit i të ardhurave të munguara ndaj kompanisë private. Mungon transparenca, dhe për këtë arsye debati nxehet në nivelin që të gjithë ndoqëm.