Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, ja 4 super sfidat që do të luhen nesër

Futbolli shqiptar nuk ndalet as në mesjavë, me 4 ndeshjet e radhës të vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Në garë janë 8 ekipe, të cilat e kanë fituar më parë këtë trofe, me përjashtim të Skënderbeut, që pavarësisht dominimit që i ka bërë futbollit tone në vitet e fundit nuk ka mundur t’i shkojë deri në fund këtij kompeticioni. Sipas traditës, sfidat janë ndarë në dy orare të ndryshme, në orën 14:00 dhe 17:00.

Në “Niko Dovana” Teuta pret kryesuesit e kampionatit dhe, pavarësisht diferencave në klasifikim, durrsakët kërkojnë një biletë për në gjysmëfinale. “Djemtë e Detit” që në startin e edicionit kanë synuar pikërisht këtë trofe, ndërkohë që me të njëjtin objektiv janë edhe korçarët. Ndeshja e fundit në kampionat ndaj Lushnjës, tregoi se ekipi i Nicës nuk është në formën më të mirë.

Një tjetër ndeshje interesante do të luhet edhe në Laç, pasi vendasit presin skuadrën më në formë për momentin, Luftëtarin. Kurbinasit janë cilësuar si ekspertët e këtij kompeticioni. Gjirokastritet mundën Skënderbeun 2-0 në fundjavë, dhe janë favorit për të marrë 3 pikët e radhës, edhe pse këtë herë në një fushë të vështirë.

Në orën 17:00, në Vlorë, do të përsëritet ndeshja e fundjavës, mes Flamurtarit dhe Partizanit. Polemikat e duelit të fundit pas një penalltie të dyshimtë, janë harruar, pasi këtë herë bëhet fjalë për një ndeshje Kupe dhe jo kampionati. Të dyja skuadrat synojnë të fitojnë një trofe këtë edicion, me kuqezinjtë që të paktën deri në këtë moment të sezonit janë në formë më të mirë, ndërkohë Starova kërkon të shpëtoj sezonin në këtë kompeticion.

Tirana do të përballet me Kukësin, me synimin për t’u kualifikuar dhe për të mbrojtur trofeun e fituar majin e kaluar. Përballë është një kundërshtar të cilin e mposhti në finalen e Superkupës, por nga shtatori deri më sot kanë ndryshuar shumë gjëra te të dy ekipet. Sido që të shkojë mesjava, pritet të jetë spektakolare, me 8 skuadra që synojnë të ngrenë trofeun e kupës në fundin e këtij edicioni.

 

Nesër

Teuta – Skënderbeu (ora 14:00)

Laçi – Luftëtari (ora 14:00)

Flamurtari – Partizani (ora 17:00)

Tirana – Kukësi (ora 17:00)