Sa turq ka vrarë Gjergj Kastrioti, Skënder Beu!

Nga Edmond Kaceli.

Qysh me fillimin e protestës së 27 janarit, plasi gara marramendëse e shifrave të pjesëmarrjes! Numërues të shumtë nga të dyja palët nisën, dhe vijonë, një garë të shfrenuar që nuk do të ndalet deri në protestën tjetër të radhës!

Dikush numëron 5 mijë veta. Dikush mbërrin në shtatë -tetë mijë! Kulmi i pjesëmarrjes mbërrrin në shifrën e bukur të 500 mijë protestuesve!

Ekspertë të matematikës llogaritëse, ekspertë të dronëve dhe të numërimit me dron (pika dronit që shpikën shqiptarët!), ekspertë statistikash, merren me llogaritjen e saktë duke na futur aq saktësisht në qorrsokak sa harrohet, qëllimisht, thelbi i protestës, cilësia e pjesëmarrësve në të, cilësia e folësve, lidervë, çka u tha e çka nuk u tha në protestë!

Askush nuk shpjegon përse gjithë ai presion policor kontrollesh, krejt të pajustikuara e lajmesh të frikshme për rrëmuja. Kur dihet dhe pranohet botërisht, se lidershipi aktual i PD-së, ka probleme të organizojë protesta! Aq më shumë ti bëjë ato të dhunshme! Protesta që i ngjajnë shijes që ka kafeja dekafeinato, birra analkolike, coca -cola zero, apo mishi pa yndyrë!

Askush nuk u mor me risinë e kësaj proteste! Për herë të parë një numër i konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë udhëtuan drejt Tiranës vetëm për të protestuar kundër një qeverie që iu premtoi shumë dhe iu dha asgjë!

Askush nuk merret me cilësinë e drejtuesve -pronarë të partive të mëdha e të vogla (si Mediu, Ndoka e kompani) që në antarësinë reale të tyre kanë maksimumi veten dhe ndonjë familjar të rangut të parë!

Por të gjithë merremi me garën e çmendur të numërimit të njerëzve në protestë! Mirë që nuk na bie ndërmend të numërojmë edhe ata që iu bashkuan protestës në FB! -se Twiter, Istagram e G+, nuk nuk kanë vlerë statistikore në shifrat e protestuesve!

Numërime boshe në kohën e kolerës!

Këtyre matematicienëve të mbaruar dhe mjeshtërve të statistikave do iu drejtohesha me një kërkesë serioze:

Meqënëse jemi në Vitin e Skënderbeut, të shpalluar me bujë nga Kolera Aktuale Shqiptare, a mund të më thoni: Sa turq ka vrarë Gjergj Kastrioti, Skënder Beu, gjatë luftës së tij 25 vjeçare?

Nuk po iu kërkoj të mi numëroni sipas betejave, por vetëm totalin!

Dua një shifër të saktë! Kështu iu besojmë edhe aftësive tuaja llogaritëse!

Hajt ma gjeni se iu kam xhan! Ju dua fort! Ju dua fort jo vetëm unë, por edhe Skënderbeu!

Me respekt maksimal për të gjithë ata që protestojnë ashtu edhe për ata që nuk protestojnë! (satirë)