Protesta, Basha: Beteja vazhdon, në rrugë dhe sheshe çdo ditë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, një ditë pas protestës madhështore të frontit opozitar përpara kryeministrisë, ka dalë në një prononcim për mediat, ku fillimisht ka falenderuar protestuesit që sipas tij, dje hapën një horizont të ri.

Mesazhi i kreut të PD-së është i qartë: Protesta, betejë e fituar nga shqiptarët. “Shqiptarët u bashkuan për të refuzuar padrejtësinë dhe për t’ju bashkuar kauzës sonë popullore”, u shpreh Basha.

Kreu i PD-së shtoi se: “Lufta jonë vazhdon çdo ditë për të fituar këtë kauzë pa të cilën nuk mund të ketë Shqipëri europiane”. Sipas Bashës, “shqiptarët e bashkuar në protestë dhanë një mesazh shprese se Shqipëria mund dhe do të bëhet vend me drejtësi dhe mundësi për të gjithë”.

Deklarata e Lulzim Bashës

Mirënjohje për vërshimin popullor nga qindra mijëra qytetarët. I falënderoj të gjithë. Bashkimi është mesazhi i qartë, që shqiptarët nuk e pranojnë më këtë gjendje, bashkim gjigant vullnetesh, i tregoi botës që në Shqipëri ka dinjitet ka vlera dhe respekt për demokracinë dhe ligjin.

Ka një popull që e do drejtësinë e barabartë dhe lirinë. Mesazhi i protestës së djeshme është i qartë; shumica e refuzon qeverinë e bandave dhe drogës. Duam qeveri antimafia, zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes reformës zgjedhore. Dita e djeshme është një betejë e fituar nga shqiptarët, që u ngritën mbi dallimet partiake. Ky ishte bashkimi më i madh në 27 vite për të refuzuar padrejtësinë.

Fitorja e kësaj beteje është një ogur i mirë për luftën e përditshme në të cilën është angazhuar opozita, ne do të vijojmë këtë luftë ditë për ditë, në rrugë dhe në sheshe, në cdo hapësirë institucionale. Shqipëria do të bëhet një vend evropian me drejtësi të barabartë për të gjithë. Ky është mesazhi i shpresës, fitorja e betejës së djeshme. Angazhimi do të vijojë deri në realizimin e krijimit të një qeverie antimafia.